New York, 19 tetor 2025 — Në një atmosferë të ngrohtë festive, komuniteti shqiptar në New York u mblodh për të shënuar 20-vjetorin e themelimit të Fondacionit “Dom Simon Filipaj”, njëra nga organizatat e para humanitare të diasporës shqiptare në SHBA, e cila prej dy dekadash ka ndihmuar nevojtarët në vendlindje dhe ka përkrahur studentë e familje në vështirësi.
Fondacioni, i themeluar në vitin 2005 nga një grup patriotësh e bamirësish të komunitetit shqiptaro-amerikan, ka qenë ndër zërat më aktivë të solidaritetit kombëtar. Që nga ditët e para të veprimtarisë së tij, ky fondacion ka dërguar ndihma të shumta në zonat e Plavës, Gucisë, Ulqinit dhe Malësisë, duke u bërë simbol i unitetit, humanizmit dhe përgjegjësisë shoqërore.
Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Tom Shkreli, një ndër themeluesit e Fondacionit, kryetar aktual dhe aktivist i dalluar i komunitetit shqiptaro-amerikan, shprehu mirënjohjen për të gjithë bashkatdhetarët që për 20 vjet kanë qenë pjesë aktive e kësaj nisme fisnike.
“Vëllezër e motra, sonte festojmë një përvjetor të veçantë – 20 vjet nga themelimi i Fondacionit ‘Dom Simon Filipaj’. Ju jeni shembulli më i mirë i dashurisë ndaj vendlindjes dhe humanizmit të pashtershëm të komunitetit tonë,” – theksoi Shkreli.
Ai falënderoi veçanërisht udhëheqësinë e Fondacionit, duke përmendur Shefki Sefën, Palë Çotajn, Isa Adajn, Zef Gjokajn dhe Nikollë Gazivodën për përkushtimin e tyre dhe transparencën në çdo aktivitet humanitar:
“Kam parë nga afër ndershmërinë dhe kujdesin e tyre për çdo cent që është shpërndarë. Ata janë shembull i përkushtimit dhe i dashurisë ndaj komunitetit.”
Në vijim, Shkreli kujtoi me respekt dy anëtarët e ndjerë të udhëheqësisë, Gjon Zadrima dhe Fran Curaj, duke theksuar se kontributi i tyre financiar e moral do të kujtohet gjithmonë me nderim.
Ai shprehu falënderime për Don Pjeter Popajn, famullitarin e Kishës “Zoja e Shkodrës”, për ndihmën e vazhdueshme në mbështetje të Fondacionit, si dhe për një sërë kontribuesish të dalluar ndër vite, si Ana Zagreda, Cafo Boga, Luigj Shkreli, Valdet Çobaj, Mark Gjonaj, Nikollë Junçaj e Zef Gjokaj.
Një vlerësim i veçantë iu bë edhe grupit muzikor “Ceka”, që për shumë vite ka argëtuar falas të pranishmit dhe ka dhënë ndihma financiare për fondin humanitar.
Në këtë mbrëmje u veçua edhe Fran Çotaj, i cili udhëhoqi programin e darkës jubilare. Shkreli e cilësoi atë si “një ndër intelektualët dhe aktivistët më të dalluar të komunitetit shqiptar në diasporë, i përkushtuar ndaj punës kombëtare dhe fetare”.
Në vijim të traditës së Fondacionit, çdo vit përzgjidhet një folës nderi me merita të veçanta kombëtare. Këtë vit jubilar, fjalimi kryesor iu besua z. Gjekë Gjonlekaj, gazetar dhe intelektual i shquar shqiptar, me kontribute të mëdha për çështjen kombëtare në mbarë hapësirat shqiptare.
“Gjekë Gjonlekaj është një figurë që për më shumë se gjysmë shekulli i ka shërbyer kombit me penë e mendje, një zë i respektuar që ka qenë pranë çështjes sonë në çdo moment historik – nga Dejtoni në Rambuje, nga Prishtina në Tiranë,” – tha Shkreli, duke e falënderuar për praninë e tij në këtë përvjetor të veçantë.
Ky jubile, përveç atmosferës festive dhe fjalimeve të ngrohta, solli edhe një rezultat të prekshëm: gjatë mbrëmjes u grumbulluan rreth 40,000 dollarë amerikanë, të cilat do të shërbejnë për forcimin e buxhetit të Fondacionit dhe mbështetjen e projekteve të reja humanitare në vendlindje.
Në fund të fjalimit, Shkreli përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit dhe uroi që “Fondacioni të vazhdojë misionin e tij fisnik për dekada të tjera në shërbim të atdheut dhe njerëzve në nevojë”.
Përgatiti për botim:
Redaksia e Plava e Gucia Sot
Burimi: Fjalimi i mbajtur nga z. Tom Shkreli, në New York, më 19 tetor 2025, me rastin e 20-vjetorit të Fondacionit “Dom Simon Filipaj”.
Esad Gjonbalaj