Site icon PLAVA E GUCIA SOT

TRIBUNA E GURTË E ALI PASHË GUCISË

Ramiz LUSHAJ

Gurin e madh historik të kohës së Ali Pashë Gucisë
Sot deshta me e gurapeshë Toka-Qiell
Si dikur Gjeto Basho Muja në këto male.
Me ua çue të Mëdhenjve të Botës, të Djehit e të Sodit,
Si Tribunë lartnore të Historisë Shqiptare.
Ah, s’po muj prej dashnie e dhimte…dhe n’ta kisha fuqinë e Globit
Me e rranjëshkulë atë Gurë prej Trollit:
A hjeket zemra prej krahërorit?!!

Ai gurë, i madh e i randë sa 7 malet e Malësisë.
Aty Ali Pashë Gucia i “Arbanisë së Vogël” i foli Shqiptarisë.
Aty u thyen vendimet e 7 krjalive të Kongresit të Berlinit.
Aty u istikam thirrja për Luftën e Nokshiqit, brigjeve të Limit.
Aty , mbi bjeshkë të Vizitorit e Komovit, u valvit Flamuri i Skënderbeut
Aty morën hov trimat e Plavë-Gucisë, dhe të Malësive…krejt Atdheut.

Ai Gure ashtnor i Rrafshit të Kelmendit, i Burrave të Vendit…
Ai ishte Tribunë luftarake e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Tek ai Gur morën fluturim Shqipet,
Tek ai Gurë i mbrojtëm Atdheut Pranverat.
Tek ai Gurë i ka la Gjergj Elez Alia 7 plagët me ujët e liqenit të Plavës
Tek ai Gur i kemi varret, ëndrrat, amanetet, i përkundëm djepet.
Tek ai Gurë kemi lavdi të djeshme, forcë në qëndresën e të sotmes,
Aty marrim prapë fuqinë e Trollit, të votrës, të sofrës, të epokës…

Ai Gurë tribunal, legjendar, historik, skej qytetit të Gucisë,
Dhe me mbet’ nji shenjë në tokë apo sypamje në fotografi,
Është Memorial e Memorie e Historisë.
Jetnon si një nga simbolet e Shqiptarisë.
E kemi në Prag. Ende kullon gjak.
E , po ke nevoja, dhezet flakë, kthehet në Bajrak.
Kit’ tribunë të Gurtë të Ali Pashë Gucisë
E kemi dhe në shtizen e ngjyrën e Flamurit të Pavarësisë…


Vepra e Ramiz Lushaj për Plavë Gucinë
Exit mobile version