Nga Xheladin Zeneli
Për rreth një shekulli e gjysëm, shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre stërgjyshore në Mal të Zi, kanë qenë të nënshtruar asimilimit të dhunshëm gjuhësor dhe kombëtar të tyre nga regjimet e ndryshme sllavo-malazeze. Vendbanimet që e kanë pësuar më keq në aspektin e tjetërsimit kombëtar të shqiptarëve kanë qenë Roxhaja, Plavë e Gucia dhe Tivari, të cilët në një mënyrë apo tjetër vazhdojnë gjithënjë edhe sot të ballafaqohen me këtë dukuri.
Edhe përkundër disa ndihmave simbolike financiare që shteti amë-Shqipëria ka dhëne kohë pas kohe gjatë tre dekadave të fundit për shqiptarët në Mal të Zi, realiteti është se në esencë aty kanë munguar projekte të mirëfillta dhe konkrete që do të kishin një efekt të qendrueshëm në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit të tyre kombëtar.
Vlen të theksohet se gjatë kësaj periudhe ka qenë mërgata shqiptare me prejardhje nga trojet shqiptare nën Mal të Zi që ka dhënë një kontribut të çmuar financiar në forma të ndryshme ku përfshihen edhe ndihmat financiare që kanë të bëjnë me kultivimin e trashigimisë, kulturës dhe gjuhës shqipe në vendlindjet e tyre.
Gjatë tre dekadave të fundit në këtë aspekt janë shquar shoqatat dhe fondacionet ndër më të vjetrat që veprojnë në SHBA dhe që mbajnë emrat e vendbanimeve dhe krahinave të tyre autoktone si shoqatat : “Ana e Malit”, “ Kraja”, “ Malësia e Madhe” ( në Nju Jork dhe Detroit), Fondacioni “Plavë-Guci”. Kontributi financiar i tyre si edhe i dhjetra shoqatave të tjera simotra atdhetare që janë themeluar më vonë në SHBA, arrin shifrën e miliona dollarëve. Ky kontribut për vendin e origjinës së tyre gjithënjë vazhdon edhe në ditët e sotme.
Viteve të fundit në komunitetin shqiptar vepron një fondacion i cili vëmendjen kryesore të aktivitetit të vet ka ndërgjegjësimin dhe ngritjen e vetëdijës kombëtare sidomos të nxënësve dhe të rinjëve shqiptarë që ndjekin shkollimin në Mal të Zi. Ky është Fondacioni “Trojet Tona” me seli në Nju Jork.
Fondacioni është themeluar në vitin 2018 me qëllimin fillestar për të ndihmuar financiarisht familjet me vështirësi ekonomike në Anë të Malit (Komuna e Ulqinit) . Gjatë kohës së pandemisë Covid-19 (2020-2021), Fondacioni “Trojet Tona “ ka dhënë një kontribut shumë të rëndësishëm në mbledhjen dhe dërgimin e ndihmave dhe donacioneve në vendlindje me fokus në përballimin e situatës shëndetësore dhe lehtësimin e pasojave të kësaj pandemie.
Por përveç aktiviteteve bamirëse si dhe përkrahjen financiare që jep në sfera të ndryshme të jetës së bashkëvendasve tanë në vendlidje, pra siç u cek edhe më lart, Fondacioni “Trojet Tona” ka për mision edhe ndërgjegjësimin dhe vetëdijësimin kombëtar të të rinjëve shqiptarë në Mal të Zi.
Këte e realizon në mënyra të ndryshme, si ajo e organizimit dhe financimit e kurseve të gjuhës shqipe në vendbanimet shqiptare ku mësimi i saj mungon apo nuk është në nivelin e duhur. Konkretisht, Fondacioni “Trojet Tona” ka inicuar dhe ka ndihmuar financimin e kursit të gjuhës shqipe “ Mësojmë Shqip” në Rozhajë, duke i pajisur ndjekësit e këtij kursi me tekste mësimore, me mjetet e tjera edukative që janë të nevojshme për mbarëvajtjen e mësimit të gjuhës shqipe si dhe me sigurimin e lokalit për këtë qëllim, në një shkollë fillore të këtij qyteti.Për shumë nga këto nxënës mësimi i gjuhës shqipe është mësimi i një gjuhe që të parët e tyre e kanë pasur gjuhë të përditshme e të folurit,pasi që Rozhaja ka qenë dikur me popullsi shumicë shqiptare.
Mënyra tjetër praktike e angazhimit të Fondacionit në fjalë në ngritjen e vetëdijës kombëtare te nxënësit shqiptar në Mal të Zi, është organizimi dhe financimi i ekskurzioneve në Shqipëri dhe në Kosovë me qëllim që ata të njihen me figurat tona historike e kombëtare si dhe me monumentet e trashigimisë kulturore në shtetet e tyre amë. Nga ky organizim, në dy-tre vitet e fundit kanë përfituar nxënësit e shkollave fillore në Anë të Malit, Krajë, Plavë-Guci dhe Rozhajë. Këto vizita edukative, Fondacioni “Trojet Tona” i ka realizuar në bashkëpunim dhe në bashkëfinancim me shoqatat e tjera simotra të komunitetit, konkretisht me Shoqatën “Kraja”, (në ekskurzionin e vitit 2022) dhe me Fondacionin “Plavë-Guci” (në ekskurzionin e vitit 2023 )ku ata kanë sponzoruar udhëtimin treditor të rreth 300 nxënësve shqiptarë të klasave të 9-ta që vijojnë shkollimin në Mal të Zi.Falë dëshirës dhe interesit të madh të nxënënsve shqiptarë në Mal të Zi, këto ekskurzione po kthehen në organizime tradicionale.
Duhet cekur se njohuritë që nxënësit shqiptarë në shkollat e Malit të Zi kanë për ngjarjet dhe figurat historike të popullit të vet, nuk janë të plota dhe kjo vjen si rezulltat programeve të kufizuara shkollore që iu afrohen atyre nga institucionet shtetërore të arsimit në Mal të Zi. Prandaj njohja me heronjtë e tyre kombëtar si dhe me vendet e trashigimisë kulturore e historike në Shqipëri dhe në Kosovë, është me një rëndësi të veçantë për brezin e ri shqiptar dhe i shërben edukimit të tyre kombëtar.
Pjesë e angazhimit në aspektin e ndërgjegjësimit kombëtar është edhe iniciativa e Fondacionit “ Trojet Tona” për heqjen e prapashtesave sllave -viq (vić) dhe -iq(ić) nga mbiemrat e shqiptarëve. Dihet tashmë mirë se si këto prapashtesa iu janë impunuar shqiptarëve nga politikat asimiluese dhe çkombëtarizuese të regjimeve të ndryshme të Malit të Zi, sidomos gjatë shekullit të kaluar. Është për keqardhje që aktualisht një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve në Mal të Zi, gjithënjë vazhdojnë ti mbajnë prapashtesat me -viq(vić) dhe -iq(ić) në mbiemrat e tyre, edhe përkundër faktit se se ata sot mund t’i ndërrojnë dhe shqipërojnë këto mbiemra pa kurrfarë pasoje. Para pak viteve Fondacioni “ Trojet Tona” si pjesë e fushatës për shqipërimin e mbiemrave, ka marrë iniciativën për pagesën e shpenzimeve administrative ligjore për të gjithë ata që vendosin të bëjnë një gjë të tillë. Fatmirësisht disa bashkëvendas janë përgjigjur pozitivisht kësaj iniciative të cilët tashmë i kanë shqipëruar mbiemrat e tyre . Njëkohësisht egziston një pjesë tjetër e shqiptarëve në Mal të Zi të cilët për çudi ende ngurrojnë të bëjnë desllavizimin e mbiemrave të tyre!?.
Vlen të përmendet se në frymën e promovimit të vlerave tona kombëtare në vendlidje , në kuadër këtij Fondacioni dhe me përkrahjen fonanciare të tij, vepron edhe shoqëria kulturore-artistike AKV “Trojet Tona”, e cila falë talentëve dhe artistëve të rinj që ka në përbërjen e vet, me dinjitet dhe me kranari përfaqësojnë këngët, vallet dhe folklorin e bukur shqiptar të trevës të Anës së Malit, jo vetëm në festivalet e ndryshme që mbahen në hapësirën mbarëshqiptare por edhe më gjërë. Me këtë AKV “ Trojet Tona” po vazhdon traditën e shumë shoqërive kulturore-artistike që kanë vepruar më parë në Anë të Malit dhe kanë dhënë një kontribut të çmuar në ruajtjen e vlerave dhe trashigimisë kulturore të kësaj treve autoktone shqiptare.
Në fund, mos të harrojmë për asnjë moment se është bujaria, zemërgjerësa dhe merita e shumë pjesëtarëve të komunitetit shqiptar të Amerikës të cilët kontribojnë financiarsiht përmes donacioneve të tyre në Fondacionin “ Trojet Tona” dhe janë pra këto kontribute të tyre financiare që bëjnë të mundur realizimin e një game të llojëllojshme të projekteve në vendlidje që përfshinë edhe edukimin kombëtar të brezave të ri në vendlindje duke i brumosur ato me dashurinë për atdheun dhe kombin shqiptar.
Janar 2025