Është dorëzuar zyrtarisht kërkesa për ngritjen e memorialit të Heroit Kombëtar Dedë Gjon Luli në qendër të Tuzit. Lajmin e ka bërë të ditur iniciatori dhe financuesi i projektit, Gjergj Prenkoçaj.
Sipas Prenkoçajt, në kuadër të kësaj nisme është zhvilluar edhe një takim me Kryetarin e Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, gjatë të cilit është diskutuar mundësia e vendosjes së shtatores së heroit kombëtar në një hapësirë qendrore të qytetit.
Gjatë takimit është prezantuar projekti me të gjitha të dhënat dhe informacionet e nevojshme administrative dhe teknike që lidhen me realizimin e tij.
Iniciatori i projektit bëri të ditur se nga kryetari i komunës ka marrë përkrahje dhe zotimin se do të bëhen përpjekjet maksimale që projekti të realizohet sipas kërkesës së paraqitur.
Vendosja e një memoriali për Dedë Gjon Luli në Tuz konsiderohet një nismë me rëndësi të veçantë për ruajtjen dhe nderimin e figurave të shquara të historisë kombëtare shqiptare.
/Malisia.org