Dr Ir. Edmond Balidemaj, një shkencëtar i ri, një shqiptar i suksesshëm sot në Holandë, suksesi akademik i të cilit është aq i admirueshëm, sikurse edhe përkushtimi i tij i vazhdueshëm për Kosovën. Ka studiuar Inxhinieri Elektrike në Universitetin e Teknologjisë së Delftit dhe ka përfunduar studimet në Universitetin e Kërkimeve Elektromagnetike në vitin 2010. Hulumtimi i tij u fokusua në metoda efikase për zgjidhjen e problemeve të inversionit elektromagnetik dhe e frymëzoi atë që të vazhdojë të ndjekë aspiratat e tij akademike. Si student PhD në Departamentin e Radioterapisë të Qendrës Mjekësore Akademike (AMC) në Amsterdam, kërkim e tij shkencore u financuan nga Shoqata holandeze e kancerit dhe Edmondi mori disa çmime në konferenca të ndryshme ndërkombëtare. Në vitin 2016 mori doktoraturë në Mjekësi në Universitetin e Amsterdamit.
Dr. Ir. Edmond Balidemaj është mjaft i lidhur me Kosovën, atdheun, prej të cilit u largua në Holandë në 1999, për shkak të luftës dhe pasigurisë së jetës dhe përjetimet e shumta që në moshën rinore në Kosovë, i kanë dhënë një bazë dhe fuqi për të përballuar çdo sfidë në jetë. Si student i shkëlqyer, por edhe si shkencëtar i ri, falë punës, vullnetit dhe aftësive të tij ka arritur suksese të admirueshme dhe çelësi i këtij suksesi ka qenë besimi i madh që ka tek vetja. Edmondi është një intelektual i kompletuar, që ndjek edhe zhvillimet politike, ekonomike, diasporën, gjithçka e shikon me një sy pozitiv dhe vlerëson çdo përpjekje apo arritje në këtë drejtim. Duhet më shumë kujdes, arsimi, shëndetësia, gjendja ekonomike janë ato që duhet të ndryshojë menjëherë në atdhe. Si shembull frymëzimi, Edmondi ka një mesazh: “Besoni në vetvete dhe kurrë mos u dorëzoni të realizoni ëndrrat dhe qëllimet tuaja!”
Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë te mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?
Në kohën që po jetojmë, një profesion i njëjtë dhe i vetëm nuk na shoqëron dot tërë jetën. Përfundimi i studimeve universitare të jep një bazë për profesione të ndryshme gjatë karrierës së mëtejshme dhe profesionin, besoj, që njeriu mund ta ndryshojë disa herë gjatë jetës së tij.
Unë, në rolin tim të tanishëm tek “Philips”, si analist dhe konsulent në fushën e pronësisë intelektuale, nuk e kam mirëllogaritur, por ishte një zgjedhje e mirë për të zgjeruar njohurinë time në teknologjitë e ndryshme, në fushën mjekësore. Për këtë zgjerim të njohurisë kisha nevojë, pasi përfundova doktoraturën në fakultetin e mjekësisë në Amsterdam, ku gjatë 4 viteve, bëra hulumtime në trajtimin e kancerit me Hipertermi. Hipertermia është një lloj trajtimi i kancerit përmes nxehjes së tumorit deri në 44℃. Ky trajtim aplikohet në kombinim me kimioterapi apo radioterapi (rrezatim).
Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional/ personal?
Përfundimi i temës së diplomës për Master në Universitetin Teknologjik në Delft më bëri kureshtar dhe të vlerësoja më shumë studimet shkencore. Kisha ndërtuar marrëdhënie shumë të mira me profesorët në Delft, të cilët më inspiruan të vazhdoj këtë rrugë në shkencë. Kjo eksperiencë më shtyri të marr hapa të mëtutjeshme, drejtuar një karriere shkencore që rezultoi një kapitull i ri, në fillimin e doktoratës në spitalin akademik (Academic Medical Center) në Amsterdam.
Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?
Për mua, çelësi i suksesit ka qenë vetëbesimi dhe një përcaktim i qëndrueshëm për të përfunduar me sukses atë që kam filluar. Edhe nëse keni pengesa gjatë rrugëtimit tuaj, gjithnjë duhet vazhduar dhe mos të dorëzohemi shpejt. Mirëpo, në përgjithësi, çelësi i suksesit në karrierë, besoj që varet edhe prej faktorëve të tjerë që nuk i kemi në kontroll, sikurse është fati. Fati, në atë kuptim që ekziston një mundësi, në atë moment kur ti je duke e kërkuar.
Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetën tuaj?
Sfida më e madhe ka qenë fillimi i jetës në një vend të ri, kur arrita në Holandë, në vitin 1999. Mësimi i një gjuhe të re, integrimi në një vend tjetër si dhe përballja me sfida rreth lejes së vendqëndrimit etj., ishin ndër vështirësitë që i takojnë asaj kohe kur emigruam këtu.
Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja?
Duke marrë parasysh rrethanat, mundësitë dhe informatat që kam pasur në momentet e vendimeve në jetën time, besoj që kam marrë vendimet e duhura. Unë nuk veproj pa u menduar mirë dhe nuk gjykoj shpejt askënd. Besoj që është e rëndësishme, për çdo njeri, për të pasur paqe dhe jo keqardhje për të kaluarën. Duhet bërë gjithçka për të marrë/nxjerrë më të mirën nga vetja.
Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje tuaja përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset?
Nuk e di a mund të them që arritjet e mija kanë kaluar përtej vetës, sepse një gjë ndoshta është e pamundur. Ndërkaq, disa prej arritjeve që mund t’i theksoj, është përfundimi i shkollës së mesme dhe universitare me rezultate të shkëlqyera. Gjithashtu kam fituar shpërblime të shumta për rezultatet e shkëlqyeshme të studimeve shkencore që bëra gjatë doktoratës.
Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme, të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe”?
Fjala Atdhe sjell memorie të fëmijërisë sime në Prishtinë, ku u rrita me familje dhe me shoqërinë time. Kjo fjalë sjell gjithmonë një ndjenje të ngrohtë, ku me plot dëshirë kthehem për pushime verore, tashmë së bashku me gruan dhe fëmijët e mi, të cilët e adhurojnë vendlindjen tonë Kosovën.
Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira, trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm?
Ne si popull kemi pas, edhe para luftës, sfida të ndryshme dhe nuk jemi dorëzuar kurrë. Besoj që përjetimet e shumta qysh në moshën rinore në Kosovë, më kanë dhënë një bazë dhe fuqi për të përballuar çdo sfidë në jetë.
Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në ekperiencën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?
Si emigrant në Evropë mund të përballesh me paragjykime në jetën private, edhe pse fatmirësisht nuk kam pasur përvoje me ndonjë pasojë serioze. Në jetën profesionale, gjatë doktoraturës dhe në punën që bëj sot, vazhdimisht gjendem në ambiente ndërkombëtare, ku nuk ndjej paragjykime apo diskriminim.
Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptar?
Përmirësimi fillon duke krijuar rrjete të ndryshme t’i bashkojnë shqiptarët anembanë botës, që të shkëmbejnë eksperiencat e tyre dhe ekspertizën me njëri – tjetrin. Përpjekjet në këtë drejtim kanë filluar nga organizata të ndryshme jo qeveritare si Germin. Ndërkohe që edhe qeveritë në Kosovë dhe Shqipëri kanë filluar të vlerësojnë rëndësinë e diasporës, për të cilët kanë krijuar ministri të veçanta të Diasporës që merren me këtë çështje. Besoj që në të ardhmen do të shohim më shumë përpjekje nga këto organizata si dhe institucionet tona qeveritare, për të realizuar një bashkëpunim më cilësor sesa që kemi aktualisht.
Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?
Ka shumë gjëra që kanë nevojë për përmirësime në mëmëdhe. Pikësëpari gjendja ekonomike-sociale e vendit duhet të përmirësohet me tërheqje të investimeve afatgjatë, për të zvogëluar papunësinë dhe varfërinë e skajshme në të cilën shumë njerëz jetojnë. Më tutje, mundësitë për diagnostikin dhe trajtim shëndetësor duhet zhvilluar për të zvogëluar kërkesat e shumta për trajtim jashtë vendit. Gjithashtu edhe luftimi i korrupsionit është kryesisht një nga prioritet për të lejuar vendin të realizon ndryshimet e nevojshme për përparim në fusha të ndryshme.
A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare?
Së pari është një shenjë e mirë që qeveritë shqiptare kanë krijuar ministri për diasporën, gjë që tregon një interesim të veçantë për këtë pjesë të (ish)banorëve të saj. Në tjetrën anë shohim që të njëjtat qeveri të Kosovës dhe Shqipërie kanë vështirësi t’i përmbushin dëshirat dhe nevojat e banorëve të përhershëm të shteteve përkatëse, gjë që të bën pesimist në atë që çfarë ato mund të arrijnë të bëjnë për diasporën. Njëkohësisht jam shumë optimist që, qeveritë shqiptare, së bashku me organizata të ndryshme jo qeveritare, në të ardhmen e afërt, do të arrijnë të bëjnë më shumë për të organizuar diasporën në një mënyre që ajo të kontribuojë në Kosovë dhe Shqipëri, por njëherësh edhe t’i përmbushen nevojat dhe dëshirat që diaspora kërkon nga shtetet shqiptare.
Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen?
Planet e mia për të ardhmen janë të vazhdojë udhëtimin tim drejt sukseseve të mëtutjeshme. Plane konkrete nuk kam, por në përgjithësi do të fokusohem në avancim të më tejshëm në karrierën time profesionale.
“The Albanian” tanimë ka mbi 1 milion ndjekës online. Cili do te ishte mesazhi juaj si motivim (mosdorëzim) ?
Së pari ju falënderoj juve për këtë platforme fantastike dhe përpjekjet e saj të bashkojë dhe organizojë diasporën shqiptare në Angli dhe jo vetëm. Mesazhi im për lexuesit është: beso në vetvete dhe kurrë mos u dorëzoni të realizoni ëndrrat dhe qëllimet tuaja, sepse gjithmonë mund të arrijmë më shumë se sa imagjinata na lejon. Vazhdoni, punoni shumë për një të ardhme më të mirë dhe qëndroni optimist gjatë rrugëtimit tuaj edhe kur keni ndonjë pengesë!
Intervistoi: Flori Slatina/”The Albanian”/