Historia ka përmendur, ka studiuar dhe ka përkujtuar me shumë nderim shumë nga figurat historike, të cilat qëndruan stoike në shumë ngjarje me rëndësi në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, por jo shumë është folur edhe për figura që qëndruan dhe kontribuuan në këto ngjarje madhore për historinë tonë kombëtare. Në këto ngjarje ndoshta ekzistonte edhe ndonjë moment shpirtëror, i cili lidhet me figurat e parisë fetare të kohës. Ishin edhe ata që ditën të qëndronin pranë shumë figurave të mëdha intelektuale dhe luftëtarëve të kohës.
Ishin shumë figura të ulemave shqiptar, të asaj kohe, që për një arsye apo tjetër, pothuajse ishin fshirë krejtësisht nga faqet e historisë, pavarësisht se mungesa e një copëze në mozaikun e madh të historisë sonë kombëtare e bënë ngjarjen historike të paplotë. Janë, ndoshta, këto aspekte në dukje të vogla, por që mund të bashkohen, ashtu që të kontribuojnë që pamja të qartësohet edhe gjithnjë e më shumë.
Një fat të tillë e kishin edhe ulemaja e Plavës dhe Gucisë, të cilët edhe përkundër kontributit të tyre të gjithanshme në të mirë të çështjes kombëtare disi u anashkaluan.
Ndër personalitetet më në zë që më punën e tyre lan gjurmë në historinë tonë kombëtare janë; Mulla Jahja Plava, Mulla Osman Çela, Ismail efendi Nikoçi, Hoxhë Nokshiqi, mulla Sadi Musaj, mulla Hysen Ali Gjonbalaj (Vuthi). Mulla Agan Koja etj.
Këta patriot të pajisur me dije fetare dhe kombëtare, nuk do ta ndalin veprimtarin e tyre, qoftë kur ishte fjala me pushke e qoftë edhe ne aspektin arsimor. Në veçanti kontribut të pa kursyer dhanë për t’i dal në ndihmë Ymer Prizrenit, Haxhi Zekës, e Hoxhe Kadri Prishtinës dhe krerëve të tjerë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ja se si përshkruhet kontributi i tyre në momente vendimtare për vatanin: ” Prej minareve të xhamive të “ Ksabavet” të Plaves e të Gucisë hoxhallarët thërrisnin me zë të lartë, sipas Kuranit “ ezanin”, për shpetimin e vatanit”.
Ulemaja e Plavës dhe Gucisë në mbrojtje të vatanit
Ndër veprimtarët më të dalluar të ulemave të kësaj ane, që gjithë jetën ja kushtuan çështjes së çlirimit dhe bashkimit kombëtar janë:
Mulla Jahja Plava,
Sekretar e këshilltar i Ali Pash Gucisë, kadi i Plavës, shok e bashkëpunëtor i Jakup Ferrit, mik i Haxhi Zekes. Kur në vitin 1878, po behej provokime të ndryshme si ai i ngjyrosjes së xhamisë me gjak derri në Pepaj, në Ditën e Bajramit dhe kur Paria e asaj ane si; Binak Alia e kërkuan mendimin e Mulla Jahes për këtë çështje, ai në mes tjerash do të deklaroj:, “populli duhet të mos binte në grackën e atyre që sajojnë incidente si ai i përdhosjes së xhamisë në Pepaj me gjak thiu…, ne kemi hesape me ta për punë të vatanit, sepse vatani është i shejt”.
Mulla Osman Çela,
Hoxhë në krahinën e Plavës e Gucisë, në vitin 1878 do t’ia djegin xhaminë ku shërbente, do ta vrasin hoxhën dhe kryet do t’ia venë në majën e një huni, kryet së bashku me kokën ne hu do ta vendosin në majën e një kodre me qëllim që të shihej prej së largu, ky veprim ndaj hoxhës kishte ndodhur sepse i revoltuar nga veprimet e pushtuesve si ajo e grave ku shërbente hoxha do tu presin sisat për se gjalli dhe do ti lënë derisa të vdesin, hoxha do të organizoj rezistencë ndaj tyre, sepse gjerat e tilla ishin të pa përballueshme për hoxhën dhe xhematin e tij, ishte shok i Jakup Ferrit.
Ismail efendi Nikoçi,
Ismail Ferhat Nikoci u lind në Guci më 1876. Ishte i shquar si bashkëpunëtor i Ali Pashe Gucisë. Me interesimin e Ali Pash Gucisë në moshën 10 vjeçare e dërguan ne shkollën fillore për të vazhduar më pas të mesmen në medresenë e Pejës dhe më pas studio sheriatin në Selanik.
Në moshën 24 vjeçare kthehet në vendlindje. Një kohë qëndroi pran Mulla Jahja Plavës për të fituar eksperiencë nga fusha e kadiut për Plavë e Guci, ishte edhe njeri nga udhëheqësit e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, bashkëpunëtor i Isa Boletinit.
Mulla Agan Koja
Lindi në Plavë me 1892. Ishte imam në Plavë. Ishte nga drejtuesit e luftës kundër pushtuesve serb në krahinën e Plavës dhe Gucisë, veçanërisht gjatë viteve 1919- 1924.
Përkrahës i H. Ferrit e Ismail ef. Nikocit, bashkëthemelues dhe drejtues i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” për Plavë dhe Guci dhe udhëheqës i çetës kundra forcave pushtuese së bashku me Mulla Xhemën. Pas vitit 1919 ishte shpërngulur në krahinën Tropojës, i vazhdoi aksionet luftarake dhe propagandën atdhetare, nuk u ndal së vepruari në dobi të çështjes kombëtare e fetare deri në vitin 1930 kur edhe vritet nga forcat serbe.
Ulemaja e Plavës dhe Gucisë kontribuues të arsimit Kombëtare
( Hoxhë Nokshiqi, njëri nga përjetuesit e masakrave serbo malazeze të viteve 1912-1913)
Dy patriotët nga Plava mulla Sadi Musaj dhe mulla Hysen Ali Gjonbalaj (Vuthi), ishin ndër të parët që do t’ua mësonin shkronjat shqipe popullatës të asaj ane.
( Mulla Hysen Ali Gjonbalaj (Vuthi)
Shkronjat në shqipe ishin sjellur në këto anë nga e mulla Sadi Musaj dhe mulla Hysen Ali Gjonbalaj (Vuthit), në vitin 1909, dhe të futura në jetë në fill të pranverës 1916, ishin shpresa ndër të parat për ruajtjen e ndjenjës kombëtare. Vonesën e përdorimit e pengojë gjendja e atëhershme ballkanike etj. Më pas me arritjen e pushtuesit austro-hungarez, i cili duke pasur interesat e veta u paraqit me metoda të buta ndaj popullatës, e cila kishte përjetuar vetëm vuajtje, tmerr dhe gjenocid. Popullata e kësaj ane u habit për një reklamë të tillë. Sundimi i tillë ( 1916-1918) me sjellje të urtë, arriti që popullatës në varfëri të skajshme t’i pëlqenin shenjat e para të lirisë. Për herë të parë pushtuesit jo vetëm se nuk i pengonin të flisnin shqip, por bënë edhe disa lëshime administrative në dobi të shqipes.
Për realizimin e këtyre befasive mbetej që edhe paria e vendit të angazhohet për realizimin e tyre më për së afërmi. Ndër “shpresat fatlume” ishte rasti i hapjes të shkollës shqipe, së pari në Vuthaj e pastaj edhe në Guci e Plavë.
Në kujtimet e ish- nxënësve të këtyre alimava përshkruhen kështu:
Në qendër të lagjes Gjonbalaj ishte ndërtesa “mejtep” e punuar dekada më parë. Aty zuri fill, jo vetëm që mësuesi të flas shqip, Hysen efendi Vuthi, por edhe ua prezantoi shkronjat shqipe” .
Ja si rrëfenin nxënësit e parë që ndiqnin mësimin në këtë fill gëzimi: “… Me tellall lajmëruan për me u bashkua popullata e moshës 8-deri në 20 vjeç. Shumica ishim çoban, por lajmi na erdhi kudo edhe nëpër maja bjeshkësh, nga se thoshin se thërret paria e vendit, ku u bashkuam shumë vuthjanë në Mokna nën hije të Plepit, meqë ishte pranverë. Përshëndeteshim me njeri tjetrin dhe uleshim lirshëm në atë bri të blertë.Para nesh u ngrit në këmbë, Hysen Alia Gjonbalaj. E njihnim, por atë ditë ishte me mjekërr edhe më serioz.
“Dëgjoni vuthjanët e mi sot e pas kemi me mësua bashkë në “mejtep”. Ngase e çmonim me respekt shenjën e ngritjes në këmbë, sikur skifteri kur bie në pula u gjetëm pip në këmbë.
“ Të gjithë pas meje nga mosha 8-deri në njëzet vjeç”. Mori brisë në drejtim të “mejtepit. ” Nuk na nxënë të gjithëve, sot të hyjmë brenda vetëm ata nga 8-15 vjeç”. Brendia ishte e pa ndarë, e lyer me gëlqere të bardhë. Dysheme e shtruar me çullë, rreth e përqark me jastëk. Zumë vend si kishim edhe shprehi nëpër odat tona “këmbëkryq”. Një pjesë mbeti pip në këmbë, nga se nuk kishte vend. Të tjerët të moshave të ndryshme dëgjonin para dere.
Mulla Hyseni, se emrin mësues edhe nuk e dinim, deri sa e kuptuam nga ai. Nisi “vasin”, ndryshe nga ajo që kishim dëgjuar hoxhë më parë. Ne qëndronim në këmbë deri sa ai i thoshte duatë me lëvizje të qetë të buzëve, duke përfunduar zëshëm amin kur edhe ne iu bashkëngjitëm…”.
“Zoti na fali për me ditë për veti, familje, farefis, gjuhën e nënës, komb dhe vatan. Sa ma shumë që dimë aq ma tepër edhe Zoti na donë, dhe aq më të mirë jemi, aq më bujar dhe gjithsesi edhe ma trima. Kush nuk ka vatan nuk ka “din as iman”.
Vatani është toka e babagjyshave që na e lan edhe gjuhën shqipe”. Kështu e nisi dhe e përfundoi me shprehje edhe më të afërta për ne, meqë edhe më të moshuarit ishim mësuar që nga goja e hoxhës të dal vetëm dua drejtuar të Madhit Zot, e jo edhe shprehje të tilla kombëtare.
Ngriti tonin e zërit kur pa se në oborr arritën një turmë e madhe njerëzish. Merr qëndrim të tërthortë në derë dhe shton: “Me veti solla shkronjat në gjuhën shqipe”. Nuk duartrokisnim në atë kohë, e mira përcillej me shprehjet: “ Të lumt”, “kjofsh faqebardh” etj. Shprehje të tilla mori edhe nga ne që ishim vogëlush.
Meqë Hyseni ishte nga ai mes dhe i dinte mëhallët nisi shpërndarjen e fletave, nga një fletë për mëhallë. Në shikim të parë dukej letër e bardhë, kur e morëm në dorë vërehej shkrimi nëpër te, për ne i pakuptimtë. “Ruani si sytë atë letër, ta shohin edhe familjet tuaja. Nesër të vijnë kush të dojë se kemi me fol për secilin shenj”. Përfundoi fjalët me lëvizjen e buzëve dhe me shprehjen amin së fundi.
Qëndroi me ne disa orë. Nuk dinim për t’i bërë pyetje po,r ai na kuptonte dhe na kënaqte me shprehje të ëmbla, duke sjellë bisedën rreth atyre shkronjave.
“Nuk e harrova për ta fal “namazin” e mesditës edhe pse edhe xhaminë e kemi vetëm dhjetë metra larg nesh. Ju sot po më dukeni shumë më të afërt se gjithherë më parë. Një ajet i Kur’anit thot: “… Sevapin e madh e merr njeriu që përhap dije”, ku do të fitoi “sevap” ma shumë se sot me ju. Me njerëzit e mi, në katundin tim dhe të parëve tanë”. Me buzagaz përfundoi me:
“Do të dalim një nga një në oborr dhe pastaj të afrohen njëri afër tjetrit dhe ta këndojmë këngën malësorçe, fjalën e kam për këngën e kushtrimit”. Brofme në këmbë, duke mos iu përmbajtur porosisë për dalje nëpër derë. Në oborr formuam rrethin për ta lënë mësuesin në mesin tonë. “Kush e din këngën përmendsh?”, pyeti mësuesi me zë të thekshëm. Të gjithë lëshonim zë, unë e di, duke përsëritur edhe disa herë rresht, meqë atëherë e dinim se ngritja e dorës lartë është shenjë nderimi dhe pëlqimi ashtu edhe vepronim. Heshtja e njërit i ra në sy mësuesit, si shkas për ta pyetur: “Pse nuk jep zë ti Shpen?”. “ Unë e di me lëshua zërin e kushtrimit e fjalët t’i thonë të tjerët”.
Aty ditëm të duartrokasim, bashkangjitur me qeshje. “ Qe unë do t’ia filloi me fjalë e ju bashkohuni, aq sa majat të na ndihmojnë”. Shprehet mësuesi. Lëshuam zërin deri në kup të qiellit, edhe ai na shoqëronte me zë edhe më bukur se ne:
“Kush po i del asqerit para
Ali pasha e Ahmet aga
Ahmet Vuthi na ka mësua
Kurrë të huajit mos me i besua”.
Jehona sikur t’i zbërthente shpatet dhe të betohej në shkëmb. Mori zëri dhen se mësuesi dhe nxënësit po këndojnë.
Ditëve tjera mësimet i përcjellim në mejtep pasi kryenim “faljen e namazit në xhami”. Mësimin e mbante për çdo ditë, për vërritarët, kurse ata që ishin ngjitur për t’u bjeshkua nëpër d’banet e bjeshkëve kishin obligim të merrnin pjesë të hënën, të mërkurën dhe të premten. Të pranishëm më së paku ishin katerdhjetë veta”.
Paraqitja e parë ngjashëm ndodhi edhe në Guci, ku ishte prezantues Ismail Nikoçi, kurse në Plavë Sali Musaj, vëllai i Sadi Musajt, i cili nuk pati jetë t’i përgëzoi bashkëvendësit me sihariqin e sjell (alfabetin shqip), sepse hordhitë malazeze e pushkatuan në Plavë tri vite më parë, bashkë me qindra bashkëvendës. Duhet cekur se në këto dy qendra kishin ekzistuar edhe shkollat në gjuhën malazeze, në të cilat kishin vijuar mësimin edhe fëmija jo pravosllave. Shkronjat dhe gjuha shqipe, si dhe qëndrimi i pushtuesit të ri binin ndesh me shkronjat çirilikë dhe gjuhën malazeze, duke shkuar deri edhe në urrejtje”.
Kur merrja informata nga nxënësit e atyre viteve ruanin në kujtesë edhe sjelljen e kryehoxhës (myfti) nga Bosna, të cilit austro-hungarezët, përveç armatosjes i kishin dhënë edhe autorizim të lirshëm edhe për ti përdorë, së pari shkopin, pastaj edhe më shumë, ndaj atyre që nuk shkojnë në xhami pesë herë në ditë për “namaz”, si dhe ndaj atyre meshkujve që kishin kaluar dyzetë vjet dhe nuk mbanin mjekër. Ndaj sjelljes së tillë nisen reagimet e ashpra edhe nga hoxhët vendas, që ishte, përveç të tjerash edhe ky shkak ta humbin besimin reciprok.
Austro-hungarezët, në shtator i larguan mësuesit vendas me motiv se janë të nevojshëm për në Shkodër. Ashtu që më pas Hysen efendi Vuthi emërohet myfti i Shkodrës. Pastaj paria e vendit i delegoi, Hysenin dhe Ismailin, në Komitetin për Mbrojtjen e Kosovës. Si do qoftë prania e tyre në vendlindje ishte më e nevojshme. Bindshëm dyshohej se ata nisen të bien ferrë në sy administratës pushtuese, atëherë edhe ua bënë dredhinë. Nxënësve u kishte mbetur kujtim filli i mësimit të shkronjave shqipe dhe vallja dora-dorë:
“Sjelle vallen në këtë anë
Jemi zogj të Shqipnisë nanë”.
Me largimin e tyre Shërbimi administrativ austro-hungarez kishte përgatitur (që nga muaji gusht 1916) dhe i solli mësuesit më besnik (për vete) nga viset shumë të largëta, Arbanasi i Zares (bregdetit Adriatik)”.
Ulemaja e Plavës dhe Gucisë kontribuues të mirëkuptimit ndërfetar
Se dukuria e tolerancës ndërfetare te shqiptar në këtë kohë ishte e rëndësishme dhe se elementi musliman luajti rol konstruktiv në këtë aspekt, shihet edhe nga konstatimi i studiuesit: “Për zgjidhjen e objektivave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dukuria e tolerancës fetare fitoi statusin e potencialit më të fuqishëm për progresin shoqëror të vendit. Kjo dukuri u bë çelësi kryesor i zgjidhjeve të problemeve aq të mprehta të kohës. Elementi mysliman, që përbënte shumicën për realizimin e objektivave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, arriti të krijojë në kushtet e sundimit shekullor osman një unitet ndërmjet përfaqësuesve të kategorive të ndryshme si dhe të elementëve të ndryshëm të besimit. Ky vëllazërim përpara detyrës kryesore të kombit nuk njohu klasë, racë, ngjyrë apo ndryshime të tjera. Dhe nëpërmjet kësaj lidhjeje, dashuria dhe vëllazëria duke qenë secili përgjegjës për ekzistencën e tjetrit për rrjedhojë patën ndikim edhe për ekzistencën e kombit, sepse duke dashur njëri –tjetrin kanë dashur edhe kombin”. Toleranca fetare në këtë periudhe u be edhe katalizator i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Pa mëdyshje se ndër kontribuuesit me të mdhenjë për këtë dukuri te shqiptaret ishin prijësit fetar, “Falë vetëdijes së tyre të lartë, si edhe interpretimit të drejtë të misionit të fesë nga ana e prijësve fetarë, ndër shqiptarët nuk pati asnjëherë përçarje në baza fetare. Secili prej tyre me liri të plotë e predikonte dhe e praktikonte fenë e vet, e kur atdheut i kanosej rreziku nga armiqtë e jashtëm, ata të gjithë ishin unik në mbrojtje”.
Duke pasur parasysh elementet e lartcekura të tolerancës fetare te shqiptaret, padyshim se kontribuues ishin edhe ulemaja e Plavës dhe e Gucisë, po japim vetëm dy shembuj që mendojmë se flasin mjaft për personalitetin e ulemave të kësaj anë kundruall kësaj dukurie;
- Kur në xhamit ku po shërbenin ulemaja e kësaj ane, po bënin provokime të ndryshme, si ajo e hedhjes se kokave të derrit ne xhami ne ditët e caktuar islame, dhe kur popullata po e kërkonte mendimin e ulemave të kësaj ane, me qëllim të sajimt të gjakderdhjeve me popullatën jo myslimane të kësaj ane, ata do të përgjigjen; ” Ju nuk duhet të bini pre e provokimeve të ndryshme, ne kemi hesape të tjera”.
Duke ua bërë me dije popullatës se provokimet e tilla nga kushdo qofshin janë vepra të ulta dhe se popullata nuk benë të bjenë pre e këtyre provokimeve.
- Vëllezërit At Martin Sirdani dhe Dom Aleksandër Sirdani të mbetur jetimë, i rriti Hoxha i Gucisë, i cili më vonë pasi e arritën moshën madhore i dërgon në Shkodër dhe i vendos në shkollën katolike për të ndjekë rrugën e priftërisë.
Marrë në përgjithësi, për kontributin e ulemva të Plavës dhe Gucisë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare materialet apo burimet e ndryshme arkivore dhe tregimtare, që hedhin dritë mbi Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në këtë anë, në përgjithësi, na japin një mbështetje të fortë të konstatojmë se krerët fetar mysliman Shqiptar të kësaj ane, përgjithësisht nuk qe kundër lëvizjes. Një konstatim i tillë vlen kryesisht për periudhën e fundit të shekullit XIX e të fillimit të shekullit XX. Si prej krerëve fetarë mysliman ashtu edhe atij katolik, pati të atillë që e kuptuan Lëvizjen Kombëtare Shqiptar dhe rolin e saj pozitiv, që e simpatizuan atë, e ndihmuan atë dhe morën pjesë aktive në të. Sidomos në Plavë dhe Guci, një numër i ulemave u angazhuan edhe drejtpërdrejt në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, duke marrë pjesë aktive në aksione.
Jemi të bindur se numri i ulemave që u angazhuan në Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Plavë dhe Guci ishte edhe më i madh se ky që kemi cekur në këtë punim, por ne me hulumtimet e gjertanishme kemi identifikuar emrat e lartpërmendur.
Gjithashtu, rol konstruktiv ulematë e kësaj ane luajtën edhe në rritjen e tolerancës ndërfetare, sepse qarqet e caktuara më shumë se në çdo periudhë tjetër të lëvizjes kombëtare u munduan ta përshkallëzonin në gjirin e popullatës shqiptare, mirëpo ky fenomen u neutralizua falë vetëdijes së lartë të ulemave të kësaj.
/Nuridin AHMETI/