Unioni Demokratik i Shqiptarëve, ju bashkua sot Forumit Shqiptar, të përbërë nga Alternativa Shqiptare dhe Lidhja Demokratike Shqiptare, për zgjedhjet lokale të 3 Marsit.
Në mbledhjen e mbajtur sot është arritur marrëveshja dhe UDSH-ja i është bashkuar Forumit Shqiptar.
Përmes një postimi ne Facebook Nik Gjeloshaj, kryetar i Alternatives Shqiptare njofton me sa vijon:
Të nderuar miq,
Me kënaqësinë më të madhe, dëshiroj të ndaj me Ju lajmin që Alternativa Shqiptare dhe Lidhja demokratike shqiptare arriten të përfundojnë me sukses misionin e filluar për bashkimin e subjekteve shqiptare, për zgjedhjet lokale të 3 marsit!
ASH, LDSH dhe UDSH i bashkoi Malësia dhe rëndësia e këtij procesi hisorik zgjedhor!
Të gjithë ne , së bashku me diasporën e realizuam Komunën e Malësisë, ndërsa bashkimi jonë ishte obligim moral dhe kombëtar.
Ne mendojmë që me këtë veprim, realizuam me sukses Kërkesën bazë të qytetarëve shqiptarë! Jemi të sigurtë që ky unifikim, përveç qytetarëve do të përkrahet fuqishëm edhe nga diaspora jonë e nderuar, kudo ndodhet.
Prezenca e tyre këtu në Malësi, do t’a konfirmoj angazhimin tonë të përbashkët për një Malësi shqiptare për jetë e mote!
Ju nuk jeni kurrsyer, asnjëherë për asnjë çështje kombëtare, andaj jemi të sigurtë që edhe për Malësinë tonë të dashur, do të jepni maksimumin që të dalim faqebardhë edhe me 3 mars!
Pavarësisht kritikave që kemi pasur, kjo klasë politike që sot bashkon shqiptarët në një koalicion, e ka dëshmuar se e don Malësinë, e kemi dëshmuar se kemi kapacitet t’a drejtojmë dhe ruajmë Malësinë, amanet ashtu si na e lanë të parët!
Sinqerisht,
Nik Gjeloshaj
Malësia na Bashkon!
Forumi shqiptar (ASH-LDSH-UDSH)
Po ashtu përmes një postimi ne Facebook , Nikoll Camaj , Kryetar i LDSH njofton me sa vijon:
Sonte, me 29 janar 2019, u arrit një marreveshje tejet e rëndësishme, jo vetëm për këto zgjedhje, por për të ardhmen e Malësisë. Të prirë nga përgjegjësia para gjeneratave të ardhshme, dhe të vetëdijshëm për momentin historik, ne liderët politik shqiptarë, dhe bashkëpunëtorët tonë, arritëm një pakt, me shpresë se do të jetë udhërrëfyes për të gjithë malësorët, që t’i kthehen vetvetes. Shqiptarët vetëm të bashkuar mund të prosperojnë, e ne u bashkuam: LDSH-ASH-UDSH!
Malësia na bashkon!
Unë jam mirë, vetëm kur është mirë Malësia!