Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Nga Binak ULAJ “Vada e Shalës në Vuthaj – vepër mahnitëse arkitekturale e degraduar”

Screenshot

Binak Ulaj

Këtyre ditëve kur zhegu përvëlon, shumëkujt, besoj , do t ‘ i vete mendja se sa rëndësi ka uji për njeriun, kafshët, bimët, se pa ujë nuk ka jetë. E, Vuthaj, fshati skajor i krahinës së Plavës e Gucisë, është i njohur edhe për burime uji të pastër, veçmas për Synin e Skafkaçit, ku buron lumi me emrin Skafkaç, i cli formon ujëvarën Gërla dhe kanjonin me të njëjtin emër, për Krojet e Ali pashë Gucisë, nga burojnë rreth katër metra kub ujë në sekondë e që nuk shterojnë në asnjë stinë të vitit. Këto mrekulli natyrore e bëjnë këtë fshat ndër viset më të bukura shqiptare dhe ndër fshatrat malore më të vizituara nga adhuruesit e natyrës dhe ajrit të pastër, veçmas nga alpinistët e shumë shteteve që vijnë këtu për t’ u ngjitur në majat që prekin qiellin, Majen e Jezerës, të Kollatës, të Rosit, Karafilet… apo për të shkuar në Valbonë, Theth, Çerem… Në Vuthaj ka edhe kroje të ndërtuara që prej kohësh nga rrënjësit, si Krojet në Buzbreg ( tani aty është kroi përmendore kushtuar burrit të njohur vuthjanë, Zymer Haxhë Kelmendit, ndërtuar nga familjarët e tij ), Kroni i Ulajve, Gurra e Mehmet Zenlit, Gurra e Ali Metës, ku furnizoheshin me ujë për pije, për larjen e rrobave ( dikur kryesisht me finjë), ndërsa kafshët pinin në lugje pishe të ndërtuara apostafat te krojet, në lumë apo përrenj, gjatë vajtjes a ardhjes nga kullota. Ujët për nevoja shtëpiake e bartnin gratë në bulera ( bucela), të cilat i ngarkonin ato në shpinë duke i lidhur me teje të leshta, të bëra nga vetë ato.
Deri kah fundi i viteve të gjashtëdhjeta, asnjë familje në Vuthaj nuk e ka pasur të instaluar ujin në shtëpi. E kuptueshme! Vetëm katër a pesë familje, që kishin më shumë anëtarë, arrinin të siguronin mjete të domosdoshme jetese. Familjet tjera jetonin fare zgriptas. Për ndihma shtetërore as që mund të mendohej. Përkundrazi. Masat e llojllojta policore, gjyqësore e administrative, që zbatonin organet e pushtetit ’’ popullor’’ jugosllav edhe pas LDB-së, synonin t’ ua bënin vuthjanëve, por edhe shqiptarëve tjerë, veçmas atyre që jetonin në trojet e veta stërgjyshore pranë kufirit, që copëtonte e vazhdon të copëtojë trupin e atdheut tonë, jetën sa më të padurueshme, që t’ i detyronin t ’ i braktisnin ato, që në to të vendosnin edhe më shumë malazezë a serbë e të shtonin kështu numrin e kolonëve të sjellë që pas pushtimit të Plavës e Gucisë, kah fundi i vitit 1912, që do të ishin si pykë çarëse e ndarëse e vazhdimësisë territoriale të trevave etnike e historike shqiptare. Përveç kësaj, mungesa e sipërfaqeve të tokës së punueshme dhe e livadheve, nuk u mundësonte banorëve të kësaj treve të zhvillonin as bujqësinë e as blegtorinë, të vetmet profesione me të cila siguronin mbijetesën. Kulturat kryesore që kultivoheshin ishin misri, patatet dhe fasulet. Patatet mbilleshin edhe në ndonjë bjeshkë, si në Bori, Paishtë, Ropojan, kryesisht në vende ku ka pasur vatha. Kur mungonte misri, ushqimi i vetëm që përdorej për bukë, e blinin në Pejë. Bartej me kuaj dhe vajtje- ardhjet zgjasnin tri ditë. Meqë dimrat ishin të gjatë ( prej Shmitri deri n’ Shëngjergj) edhe ushqimi për kafshë ishte shumë i kushtueshëm. Jo vetëm sana, por edhe talla paguhej shtrenjtë. Vuthjanët, jo rrallë, i kositnin edhe qetat, si në Qytezë, Qetën e Bregut të Romanit, Qetën e Hysë Kurtit, etj. Sanën, e bërë barrë, e bartnin në shpinë. Kur s’ mund ta bartnin me kuaj, për shkak të terrenit të keq, atë e linin deri në dimër kur e tërhiqnin nëpër borë, punë koj shumë e mundimshme, madje edhe e rrezikshme kur barrët e sanës tërhiqeshin nëpër vllaçigje ( si rrugë e hapur dhe pak e thelluar maleve të thikta që shfrytëzoheshin për të tërhequr edhe drurë për ngrohje). Për të mos e kullotur e ruajtur barin e livadheve për dimër, në muajin maj, shtjerrat i ndanin nga delet që mileshin dhe, ata që kishin pak shtjerra, i qitnin në qeta ku i linin tri- katër javë në mëshirën e fatit. Ka pasur raste kur janë dëmtuar nga ujku, ariu, apo janë rrëzuar në shkëmb. Duke mos pasur fare ujë dhe nga bari i egër në qeta, buzët u bëheshin me gojëza ( puçrriza ) të thara. Një trajtim të tillë të shtjerrave edhe tani e kujtoj si dhembje.
Kështu e kishte jeta një kohë, nga e cila kanë mbetur edhe vepra jetësore për banorët që i kanë rezistuar kohës. Njëra prej tyre është edhe Vada e Shalës, e cila ishte shkas për këtë shkrim.
Për shkak të përbërjes gjeologjike të tokës në Vuthaj, kultivimi i të lashtave, nuk ishte i mundur pa ujitje. Kur bënte mot shumë i thatë, në korrik e gusht, të lashtat ujiteshin edhe natën, duke bërë dritë me pishë në dorë. Vuthjanët e vyeshëm, prej kohësh, kudo që ishte e mundur, kanë ndërtuar vada, gjë që ishte punë shumë e mundimshme. Ato duhej çelur nëpër guraja e kodra shkëmbore. Në Leskovë, Nermatanë, Qokishta. Laqe, Skaqe…, kanë mbetur shkret dhjetëra vada. Njëra prej vadave , që ka edhe vlerë arkitekturore, është Vada e Shalës. Ajo sillte ujin nga Syni i Skafkaçit, nëpër lagjen e sipërme të Vuthajve, të Gjonbalajve e deri në lagjen e Qosajve. Këtë emër e ka marrë sipas ndërtuesve të saj, shaljanëve, të cilët na kanë lënë trashëgim këtë vepër monument arkitektural. Terreni kodrinor e shkëmbor që e përshkon, e bën të tillë, veçmas kur të kihet parasysh koha kur është ndërtuar. E, sipas Ibrahim Ali Ahmetajt, tani nëntëdhjetekatërvjeçar, ajo është ndërtuar para vitit njëmijenëntëqind, me nismën e mendarit të dalluar vuthjan, Ahmet Zenelit, këshillëdhënës i Ali pashë Gucisë. Fatkeqësisht, për këtë vepër madhore, nuk kemi shënime kush e ka projektuar, sa ka zgjatur ndërtimi, sa punëtorë kanë punuar, çfarë mjetesh janë përdorur për të çarë shkëmbinjtë …Gazatari, Gjovalin Zef Nikçi, më ka treguar se një vadë e ngjashme gjendet edhe në pjesën tjetër të Kelmendit, në Vukël.
Xha Ibrahimi tregon se lugun e pishës, nga kalon uji përmbi konjonin e Gërlës, e kanë sjellë me qe. Përpjetës shkëmbore deri të vendi i vendosjes, me litarë të lidhur për gafa ( shufra të shkurtra e të lakuara metali me dy maja ) të nguluar në lug, e kanë tërhequr dhjetëra burra . Sot kjo vadë, si dhe shumë vada tjera, është lënë në mëshirën e kohës. Jo vetëm për mungesë të fuqisë punëtore?! Arat e livadhet e pa kultivuara në Vuthaj, por jo vetëm aty, shumëkujt ia vrasin syrin.
Ka vite e vite prejse askush nuk merr më ujë prej Vadës së Shalës. Për këtë arsye ajo ka mundur të shfrytëzohet si shteg i përshtatshëm për shëtitje, ecje, veçmas për gjatësinë që ka dhe pamjet e bukura që ofron. Sigurimi me litar, apo rrethojë hekuri, edhe i kalimit nëpër lugun e vadës, që i lidhë dy anët e kanjonit Gërla, do ta bënte vadën shteg jashtëzakonisht joshës edhe për vizitorë e shumtë. E shndërruar në shteg të tillë, vada do të ruhej, jo vetëm si monument arkitekturor, por edhe si objekt mirënjohjeje për mundin e djersën e ndërtuesve të saj. Mjerisht, kjo vadë është degraduar dhe sa vjen e degradohet. Mungesë e vetëdijes, e kulturës, apo e ndjenjës për vepra vlerash arkitekturore !?

Exit mobile version