Veprimtaria shkencore e Ajetit ishte e gjerë dhe e gjithanshme
Në moshën 102 vjeçare sot vdiq albanologu, gjuhëtari e intelektuali, pedagogu dhe veprimtari i palodhshëm në zhvillimet tona shoqërore, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i saj në dy mandate, anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akademik, Idriz Ajeti. Lajmin për vdekjen e tij e bëri të ditur Kryesia e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës përmes një komunikate për media. Idriz Ajeti ka lindur në Tupallë të Jabllanicës së Epërme, me 27 janar 1917. Shkollën fillore e ka kryer në Banjë të Sijarinës, të mesmen në Shkup, më 1938. Po atë vit u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit, në Degën e Romanistikës. Studimet i ka mbarur pas lufte, më 1949 në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Beogradit. Deri në vitin 1953 ishte profesor i gjuhës shqipe në Gjimnazin e Prishtinës. Në vitet 1953-1960 ka punuar lektor në Degën e Albanologjisë në Beograd. Në vitin 1958 ishte doktoruar me temën: “Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë”. Nga viti 1960 ka dhënë mësim në Degën e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe në Fakultetin e Filozofisë të Prishtinës, një herë docent, pastaj profesor inordinar dhe nga viti 1968 profesor ordinar. Veprimtaria e tij shkencore ishte e gjerë dhe e gjithanshme. Ka botuar: Pamje historike e ligjërimit shqip të Gjakovës në fillim të shekullit XIX, (1960), Istorijski razvitak gegijskog govora Arbanasa kod Zadra (1961), Hymje në historinë e gjuhës shqipe (1963), Ortografia e gjuhës shqipe (bashkautor) (1964), Historia e gjuhës shqipe (Morfologjia historike), (1969), Probleme të historisë së gjuhës shqipe, (1971), (zgjodhi e mbarështroi), Studije iz istorije albanskog jezika (1982), Studime gjuhësore në fushë të shqipes I, (1982), II (1985), III, IV (1989), Shqiptarët dhe gjuha e tyre (1994). Në Prishtinë e Tiranë janë botuar vëllime me studime të zgjedhura të tij. Në vitet 1997-2002 Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka botuar veprën e tij të plotë në pesë vëllime. Me nismën e tij, si shef i Departamentit të Gjuhës Shqipe pas hapjes së Fakultetit në Prishtinë (1960), u nxor revista shkencore “Gjurmime albanologjike” (1962) e më 1974 u organizua Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare për të huaj. Gjatë vitit 1969-1971 ishte drejtor i Institutit Albanologjik, më 1971-73 dekan i Fakultetit Filozofik, në vitet 1973-75 rektor i Universitetit të Prishtinës. Anëtar i ASHAK ishte zgjedhur me gjeneratën e parë ta akademikëve dhe menjëherë ka marrë titullin akademik, ndërsa në vitin 1979 ishte zgjedhur kryetar i saj deri më 1981. Më 1996 ai ishte rizgjidhur kryetar dhe ka drejtuar Akademinë deri më 1999.