Vëllazëria që sfidoi Vezirin – Historia e Vuthjanëve të Kralanit

Lidhur me Vuthjanët e Kralanit, historiani nga Vuthaj, prof. Rexhep Dedushaj, në veprën e tij “Krahina e Plavë-Gucisë nëpër shekuj”, ndër të tjera shkruan:

“Kah fundi i shekullit XVIII, veziri i Shkodrës i dënoi Vuthjanët duke ua uzurpuar bjeshkën – nga Rokopeçi deri te lumi Vruja në Gjonbalaj. Këto veprime të vezirit nxitën reagimin e Vuthjanëve të kohës, siç ishte Deme Gjeka Vukaj.

Ai i kishte humbur pronat rreth Vrujes dhe në Bradë, dhe bashkë me disa shokë Vuthjanë nga Zgerlyqi ia vret vezirit barinjtë, ia pret qentë (ugiçët) dhe ua merr kumbonët. Kjo ngjarje, sipas dëshmive të kohës, ka ndodhur kah fundi i shekullit XVIII.

Veziri e kërcënon Deme Gjekën se nuk do t’ia lërë vend në gjithë Perandorinë Osmane. I detyruar, ai shpërngulet me familje dhe mshehet në Kralan, afër Gjakovës, ku nuk arriti ta gjejë kurrë veziri.”

Nga Kralani, një pjesë e kësaj familjeje të madhe kalon në Pejë, prej nga sot rrjedhin edhe Ukellet, që mbajnë mbiemrin Kelmendi – për shembull, Isuf Kelmendi, i cili na ndihmoi në vitin 1982 për të hapur shkollën shqipe në Vitomiricë.

Serbët e kishin quajtur Isuf Kelmendin “Mal Moskva”. Ai na tha:

“Po ju ndihmoj, pasi qenkemi kushërinj – edhe unë jam nga Vuthajt, Qerimaj. Kam shkuar dikur në vizitë në trojet tona të vjetra.”

Në atë kohë, ai ishte kryetar i komitetit në Pejë dhe deputet në Kuvendin e Serbisë.

Në Kralan, përveç Vukajve (sot Qerimajve), më vonë janë vendosur edhe disa familje Ahmetaj, me gjasë për t’u fshehur edhe ata pas përplasjeve me vezirin.

Përshkrimi i fotos:

Foto e bërë në vitin 1960. Në të janë: Smajl Selimi, Dem Haliti, Beqir Halili, Daut Zymeri, Isuf Sadiku, Zenun Dina, Daut Ibishi, Sadik Brahimi, Bilall Ademi, Jakup Ademi, Azem Dana dhe Sadik Isufi. Të gjithë të afërm dhe kushërinj mes vete.

Plava e Gucia Sot

Esad Gjonbalaj