Shaban Hasangjekaj
Në muajin prill të vitit 2023, doli nga shtypi libri i pestë studimor për Eposin e Kreshnikëve në Ballkan “Studime për folklorin, V, Gjurmime të Eposit të Kreshnikëve në Ballkan: Kërkime në fonde arkivore të Harvardit dhe në disa vise në Ballkan”, autor i të cilit është epikologu i mirënjohur shqiptar, Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri, i botuar nga Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimit të Artit.
Recensues të vëllimit në fjalë janë: Prof. Dr. Nebi Bardhoshi, Akademia e studimeve Albanologjike, Tiranë, Prof. Dr. Nicola Scaldaferri, Universiteti i Milanos, Milano, Itali, Parathënie, Dr. Sc. Mikaela Minga, Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë, Pasthënie, Prof. Dr. Izaim Murtezani, Instituti i Folklorit, Shkup dhe Prof. Asoc. Dr. Albin Sadiku, Instituti Albanologjik, Prishtinë, Korrektorë: Avdi Gashi dhe Sulejman Dërmaku, Përkthyes: Shqipe Z. Neziri dhe Faruk Ferataj, Përkthyes konsultant: Robert Wilton, Përkthyes redaktor: Justin Elliot dhe Redaktor teknik: Zeni Ballazhi. Libri është shtypur në Shtypshkronjën “Grafoprint”, Prishtinë dhe përbehet prej 538 faqesh, botimin e të cili e ka financuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.
Vëllimi (libri) në fjalë fillon me tekstin e parathënies së recensuesit Prof. Dr. Nicola Scaldaferri: “Vitet e fundit janë shënuar disa hapa me rëndësi thelbësore në studimin dhe njohjen e repertorëve të këngës epike shqiptare. Kjo ka ndodhur për disa arsye. Nga njëra anë, mund të shohim thellimin e punës në terren dhe botimin e tyre në koleksione, që kanë shpalosur një traditë të gjallë në një zonë të gjerë territoriale, kjo nuk ka të bëjë vetëm me territorin e Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe me zona të konsiderueshme të vendeve fqinje”.
Recensuesi Scaldaferri në vazhdim të parathënies së vëllimit shton se “Nga ana tjetër, vërehet botimi i materialeve arkivore-historike me rëndësi të madhe, si koleksionet e njohura të M. Parry dhe A.B. Lord, të ruajtura në Universitetin e Harvardit, përfundimisht, pas kaq vitesh, ato e kanë parë dritën, ndaj janë bërë të arritshme për studiuesit dhe entuziastët si në versionin e printuar, ashtu edhe në internet, materiale me rëndësi të paçmuar për studimet e epikës shqiptare”.
Prof. Dr. Nicola Scaldaferri në recensionin e vet të shprehur në parathënien e vëllimit thekson: “E gjithë puna e bërë ndër vite nga Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri, përfaqëson nj gurthemel të këtyre operacioneve. Ai është anëtar i ekipit (ku përfshihen V. Friedman, N. Scaldaferri dhe i ndjeri J. Kolsi), që realizoi botimin e materialeve të ruajtura në Harvard, pra ka një njohuri të thellë dhe unike për materialet e atyre koleksioneve. Prof. Dr. Zymer U. Neziri është gjithashtu promotor i hulumtimeve të ndryshme në terren, që u zhvilluan në kuadër të Projektit E5. Ideja për të kërkuar Eposin e Kreshnikëve në kuadrin më të madh gjeografik të vendeve kufitare, ofron një perspektivë që zgjeron njohuritë e epikës shqiptare dhe shkon përtej mënyrës tradicionale të qasjes ndaj kësaj çështjeje”. Andaj libri i botuar si vëllim i pestë (V) i serisë “Studime për folklorin”, ofron një tregim domethënës të këtyre përvojave të ndryshme kërkimore të kohëve të fundit në fushën e këngës epike shqiptare.
Autori Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri librin (vëllimin) e vet në fjalë, të pestin me radhë për Eposin e Kreshnikëve, e ka ndarë dhe radhitur në tri pjesë: I. Eposi i Kreshnikëve në fonde arkivore të Universitetit të Harvardit (2002-2020), i ndarë në katër trajtesa shtjelluese: 1. Eposi i Kreshnikëve të Sanxhakut të Pazarit të Ri në fonde arkivore të Universitetit të Harvardit, 2. Eposi i Kreshnikëve i Krahinës së Plavës e Gucisë në fonde arkivore të Universitetit të Harvardit, 3. Eposi i Kreshnikëve i Krahinës së Rugovës: Lahutari Rizë Zymeri në fonde arkivore të Universitetit të Harvardit dhe 4. Eposi i Kreshnikëve i Krahinës së Mërturit: Lahutari Sokol Martini në fonde arkivore të Universitetit të Harvardit. Pjesa II. Rezultate të punës kërkimore në Gadishullin Ballkanik (G. Ilirik) për Eposin e Kreshnikëve (2012- 2020), e ndarë në gjashtë trajtesa shtjelluese: 1. Eposi i Kreshnikëve – Monument i trashëgimisë kulturore shqiptare në pesë shtete të Ballkanit dhe tradita lahutare në Krajë: Projekti E5 në Ballkan, 2. Eposi i Kreshnikëve ne Malësi të Madhe në fillim të shekullit XXI: Projekti E5 në Ballkan, 3. Eposi i Kreshnikëve në Llapushë në fillim të shekullit XXI: Projekti E5 në Ballkan, 4. Eposi i Kreshnikëve në Drenicë në fillim të shekullit XXI: Projekti E5 në Ballkan, 5. Eposi i Kreshnikëve në Gostivar me rrethinë në fillim të shekullit XXI: Projekti E5 në Ballkan dhe 6. Eposi i Kreshnikëve në Kërçovë me rrethinë në fillim të shekullit XXI: Projekti E5 në Ballkan. Pjesa III. Portrete rapsodësh të njohur të Rrafshit të Dukagjinit, përbërë nga dy trajtesa shtjelluese: 1. Halil Beka-Mehmetaj (1913-2002), rapsod i njohur i Rrafshit të Dukagjinit dhe 2. Bajrush Doda (1936-2011), rapsod i njohur i Rrafshit të Dukagjinit.
Nga të dhënat e sipërshënuara rrjedhë se libri në fjalë ka katër punime kërkimesh arkivore në SHBA, në Universitetin e Harvardit nga viti 2002 e këndej, Sanxhaku i Pazarit të Ri, Plava e Gucia, Rugova, Mërturi, ka gjashtë punime kërkimesh në terren nga viti 2012 e këndej: Kraja e Tivarit, Malësia e Madhe, Llapusha, Drenica, Gostivari e Kërçova, si dhe dy portrete rapsodësh (Halil Beka-Mehmetaj e Bajrush Doda).
Në vazhdimin e tekstit të vëllimit pasojnë recensionet e tre recensuesve: Prof. Dr. Izaim Murtezani, Prof. Asoc. Albin Sadiku dhe Dr. Sc. Mikaela Minga, pastaj treguesi i emrave të vendeve, i emrave të njerëzve, i termave, i nocioneve, i personazheve legjendare, i qenieve mitike, i toponimeve legjendare, i veglave muzikore, fotoalbumi me 33 foto-portrete në teknikën bardhë e zi dhe në kolor të lahutarëve shqiptarë nga trojet etnike, faqja e fotokopjes së Vendimit të Këshillit Shkencor të Institutit AKSA, Tiranë, ajo e Medaljes së Artë Amerikane për Punë Shkencore, si dhe ajo e çmimit evropian Mendim Special për Punë Kërkimore: Projekti E5 në Ballkan dhe fletëshënimi për fotografitë.
Vëllimi është përgatitur për shtyp sipas standardeve të larta teknike-shkencore. Ka parathënien nga recensuesi Prof. Dr. Nicola Scaldaferri, hyrjen nga autori Prof. Dr. Zymer U. Neziri, pasthënien nga recensuesja Dr. Sc. Mikaela Minga në gjuhën shqipe dhe atë angleze. Të gjitha punimet pos shkurtoreve e hyrjeve kanë përfundimet bibliografike dhe rezymetë në gjuhën angleze.
Në recensionin e recensuesit Prof. Dr. Izaim Murtezani thuhet se vëllimi (libri) me titull “Studime për folklorin, V, Gjurmime të Eposit të Kreshnikëve në Ballkan: Kërkime në fonde arkivore të Harvardit dhe në disa vise në Ballkan” i shkruar nga epikologu tanimë i njohur gjerësisht, jo vetëm ndër ne, por edhe më gjerë, Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri, paraqet vëllimin e pestë në vazhdën e vëllimeve të tjera paraprake që publikohen nën siglën “Studime për folklorin”.
Publikimet e kësaj natyre me siguri se do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, pasi autori Prof. Dr. Zymer U. Neziri tanimë një kohë të gjatë ka krijuar profilin e tij serioz të një mbledhësi dhe studiuesi të përkushtuar të krijimtarisë folklorike, në veçanti në fushën e epikes apo më konkretisht në Eposin e Kreshnikëve. Edhe vëllimi (libri) në fjalë të cilit recensuesi Murtezani i referohet në vazhdim është i kësaj natyre. Ai thekson se libri brenda kopertinave të veta përmban trajtesa të ndryshme shkencore, që kanë të bëjnë me preokupimet e thella e të përhershme të autorit për ta avancuar dhe për ta thelluar në vazhdimësi veçmas dijen, që kryesisht ndërlidhet me Eposin e Kreshnikëve, si një monument më i rëndësishëm i trashëgimisë shpirtërore kombëtare. Recensuesi Murtezani konfirmon se edhe këtë radhë, brenda strukturës përmbajtjesore të librit janë përfshirë punime shkencore, që i dedikohen një gjeografie më të gjerë etnike, duke përfshirë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët në Mal të Zi e gjetiu. Libri njëkohësisht sjell edhe rezultatet e punës kërkimore në arkiva e në terren, përfunduar njëherësh se ky lloj i krijimtarisë popullore edhe më tej bën jetë aktive, nënkuptohet duke u tërhequr dhe duke u cunguar vazhdimisht si rrjedhojë e jetës bashkëkohore. Megjithatë recensuesi Murtezani shprehet se këtij vëllimi (libri) ia jep vlerën specifike apo të veçantë, titulli “Studime për folklorin, V, Gjurmime të Eposit të Kreshnikëve në Ballkan: Kërkime në fonde arkivore të Harvardit dhe në disa vise të Ballkanit”.
Si rrjedhojë e gjithë kësaj, frytet e këtij projekti, padyshim paraqesin një arritje të rëndësishme historike në fushën e Albanologjisë, pasi pretendojnë që në të ardhmen të publikohen dhe të vihen në funksion edhe të opinionit më të gjerë dhe gjithsesi të studiuesve të tjerë, që me siguri do ta begatojnë dukshëm dijen Albanologjike në përgjithësi.
Rëndësia e këtij projekti është e madhe edhe në një dimension tjetër, përkatësisht për trashëgiminë shpirtërore kombëtare shqiptare dhe për UNESCO, dëshmi për regjistrimin e Eposit të Kreshnikëve – vlerë e trashëgimisë universale të njerëzimit.
Nga e gjithë kjo veprimtari e gjerë, duhet theksuar se Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri padyshim është një ndër mbledhësit dhe studiuesit më të pasionuar epikës shqiptare, duke përfshirë madje të gjitha krahinat e trevat ku jetojnë shqiptarët, pa marrë parasysh kufijtë e tanishëm politikë. Neziri ka sendërtuar profilin e mbledhësit dhe studiuesit të përkushtuar dhe të devotshëm, i cili ka arritur veçmas Eposin e Kreshnikëve dhe vlerat e tij t’i tejbartë edhe përtej kufijve etnikë, duke bërë përpjekje të pareshtura në drejtim të afirmimit të tyre ndërkombëtar.
Specifika e veprimtarisë shkencore e Prof. Dr. Zymer U. Nezirit bazohet në këmbënguljen e tij të eksplorimit në terren, ku edhe sot e kësaj dite arrin t’i gjejë dhe t’i nxjerrë nga harresa “Homerët e fundit” të këndimit epik, është shprehur recensuesi Murtezani në fund të recensionit të vet kushtuar librit.
Recensuesi Prof. Asoc. Dr. Albin Sadiku nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, në vështrimin e vet dedikuar librit, ka thënë se vëllimi i radhës – Studime për folklorin, V, është rezultat i një pune të denjë të Prof. Dr. Zymer U. Nezirit, siç e thotë vet autori në hyrje të librit, ky studim paraqet vijimësinë e përpjekjeve që Eposi heroik legjendar shqiptar të shndritë sa më mirë dhe të popullarizohet sa më shumë dhe kështu të përparohet edhe më tepër Albanologjia dhe Epikologjia shqiptare, po edhe ajo e përgjithshme.
Në mbyllje të pasthënies, recensuesja Dr. Sc. Mikaela Minga nga Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë, duke e vlerësuar posaçërisht punën dhe pasionin shumëvjeçare të Prof. Dr. Zymer U. Nezirit, mendon se kontributet antologjike të këtij formati, përfaqësojnë një moment reflektimi për punën e tij profesionale, si pjesë e një nevoje për të bërë një përmbledhje të një pune të gjallë. Nga ana tjetër, ato janë edhe një kontribut në fushën e studimeve në të cilat Prof. Dr. Zymer U. Neziri ka qenë një zë i rëndësishëm, jo vetëm brenda gjeografisë shqiptare, por në mes të një ekipi studiuesish vendas dhe ndërkombëtarë, të cilët punojnë prej më shumë se 20 vjetësh tanimë në këtë lëmi.
Në fund, pa ngurrim dhe me plot gojë e ndjenjë shpirtërore, konstatoj se libri më i ri i autorit Prof. Dr. Zymer Ujkan Nezirit, vërtetë ka peshë dhe vlerë të lartë në ndriçimin, shpalosjen, thellimin dhe reflektimin e Eposit të Kreshnikëve në pesë shtete të Ballkanit dhe më gjerë.
(Fund)