Vendbanimet shqiptare në Plavë Guci të diskriminuara nga elektrodistribucioni i Malit të Zi

Plavë Guci 10 Janar 2018

Edhe sot, kur bota funksionon përmes super-stradave të informimit, në Plavë Guci vendbanimet shqiptare e madje fshatra e lokalitete të tëra kanë në shtëpitë  e tyre cilësinë e rrymës së para gjysme shekulli, qe nga koha kur ishte bërë elektrifikimi i parë i Plavës dhe Gucisë. Lagje dhe fshatra të tëra ende janë me rrymë  monofazore ku banoret vuajnë dhe u pamundësohet jeta si rrjedhojë e mos investimeve dhe të  neglizhencës së qëllimshme të Kompanisë së shpërndarjes së rrymës i njohur si Elektrodistribucioni i Malit t Zi.

E që anomalia të jetë  edhe me e madhe ka fshatra shqiptare që janë lënë në terr pjesërisht më vite e dekada të tëra  sikur të jetonim në mesjetë e jo në shekullin 21-të. Si rast konkret të kësaj kemi fshatin Hot të Plavës,  ku rrjeti i shpërndarjes është primitiv i vendosur që në fillim të viteve të 70-ta, e madje madje, në disa lagje të Hotit nuk ka rrymë fare.

Thuajse  të gjitha fshatrave dhe vendbanimeve  joshqiptare në Plavë Guci  u është mundësuar dhe bërë  furnizimi cilësor  me rrymë trefazore, e përpos kësaj në vendbanimet joshqiptare është  bërë edhe ndriçimi publik i këtyre vendbanimeve dhe lagjeve në tërsi.

Në fshatin më të madh shqiptar të Plave Gucisë,  në Vuthaj gjendja e furnizimit me energji elektrike është zhgënjyese, meqë pjesa më e madhe e fshatit funksionon me rrymë  monofazore, si para gjysme shekulli, ku si rrjedhojë vie edhe deri tek dëmtimet e shpeshta të  pasijeve të amvisërive shtëpiake. Këto dëmtime janë të shpeshta për shkak të  kësaj problematike, gjegjësisht të tensionit të rrymës së ulët e jo stabile.  Po e njëjta gjendje me të njëjtat halle dhe brenga është edhe në vendbanimet shqiptare  Martinaj, Kukaj dhe Hakaj dhe gjetiu ku popullata shqiptare është shumicë.

Në fshatin Vuthaj në lagjen Zaronicë ku energji elektrike kishte  deri në vitet e 90-ta, sot nuk ka rrymë  fare,  mërgimtarët kanë ndërtuar  disa shtëpi të  reja por elektrodistribucioni malazez ua kushtëzon mërgimtarëve kyçjen e rrymës në shtëpitë tyre me  investime të tyre private në rregullimin e rrjetit shpërndarës të Elektrodistribucionit. Ndriçimet publike janë të pjesshme dhe simbolike në Vuthaj dhe Martinaj në dy lagje të vogla te këtyre fshatrave, kurse çdo vendbanim tjetër shqiptar është në terr apo pa ndriçim publik, edhe pse energjinë elektrike të shpenzuar në vendbanim përkatës e paguajnë  vet banorët e vendbanimit ku ekziston ndriçimi publik.

Në fshatra joshqiptare  në pikat ma ekstreme të banueshme edhe për një shtëpi të vetme në mes të pyllit dhe në maje të kodrave  kanë rrymën kualitative trefazore dhe ndriçim publik deri në maje të fshatit jo shqiptar Velikë te Morinës.

Për kohërat që jetojmë mosfunksionimi normal i furnizimit me energji elektrike nuk është luks, por është nevojë e domsdoseshme e mbijetesës dhe funksionimit të një familje, lagje, fshatit e qytetit.

Është domosdoshmëri që edhe të zgjedhurit  e popullit, partitë politike pa dallim të ndikojnë në kompaninë përgjegjëse Elektrodistribucioni  qe metodat e tilla diskrimuese  ndaj vendbanimet shqiptare në Plavë Guci të ndalojnë, sepse ky nuk është problem i ri por vazhdimësi e një politike të segregacionit dhe diskriminimit ndaj shqiptarëve në trojet dhe vendbanimet e tyre stërgjyshore.

 

Esad Gjonbalaj