Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Vendimi i Gjykatë Speciale dhe e Ardhmja e Politikës në Kosovë

Republika e Kosovës përpos problemeve të mëdha që ka me shëndetësinë të krijuara nga virusi koronar COVID-19, ajo po kalon në një faze të vështirë politike. Ndërrimi i shpeshtë i qeverive, koalicione të brishta, mosmarrëveshjet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropës perëndimore, dhe së fundi aktakuzat për krime lufte dhe krime njerëzore pas luftës ndaj kryetarit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli kanë bërë që Kosova të jetë në një pozitë shumë të papëlqyer. E gjithë barra i bie popullit!

Duke marrë parasysh që janë dy verdikte që nxjerrën nga aktakuza e Gjykatës Speciale ndaj Thaçit, ose shpallet I akuzuar ose jo fajtor. Cilido vendim të arrihet do të ndryshojë skenën politike të Kosovë përsëri. Unë i shoh dy drejtime në të cilat mund të shkojë Kosova.

Drejtimi i parë: Nëse Hashim Thaci dhe Kadri Veseli kthehën në Kosovë si triumfues dhe jo fajtor për akuzat ndaj tyre nga Gjykata Speciale atëherë do ta shohim një ngritje masive të Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e ardhshme. Edhe pse zgjedhjet parlamentare u mbajtën vitin e kaluar, brishtësia e koalicionit qeverisës nënkupton shpërndarjen e afërt të kuvendit të Kosovës. Vlerat e Ushtrisë Çlirimtares të Kosovës akoma luajnë një rol të madh në politikën e vendit tonë. Kur Ramush Haradinaj u shpall I pafajshëm nga Gjykata e Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e vitit 2010 mori mbi 77,000 vota, krahasur me zgjedhjet e vitit 2007 ku AAK-ja kishte vetëm 54,000 vota. E njëjta situatë pritet të ndodhë nëse kryetari i vëndit dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës kthehen të pafajshëm e si heronj. Në këtë mënyrë PDK-ja që tani qëndron si partia e tretë, do të ngritej ndoshta edhe si parti e dytë. Lidhja e vjetër PDK-LDK me gjasat më të mëdha do ta krijonte koalicionin qeverisës pas zgjedhjeve, edhe nëse Lëvizja Vetëvendosje do të dilte e para. Nëse gjatë qeverisjes së LDK-PDK do të bëhej liberalizimi i vizave dhe nënshkruhej marrëveshja e paqës me Serbinë atëherë edhe zgjedhjet e pasardhëse do të fitoheshin nga të njëjtat parti.

Drejtimi i dytë: Nëse Hashim Thaci dhe Kadri Veseli shpallen si të akuzuar nga Gjykata Speciale, atëherë dorëheqja e tyre nga pozitat udhëheqëse të vëndit do të nënkuptonte një ndryshim të ashpër në politikën e Kosovës. Pasi Thaçi do të ofronte dorëheqje nga pozita e kryetarit, atëherë kryeparlamentarja Vjosa Osmani do të merrte pozitën e kryetarit të shtetit edhe pse vetëm deri në zgjedhjet e reja. Me afrimin e zgjedhjeve Komunale, dhe domosdoshmërinë e zgjedhjeve presidenciale Osmani do të shpallte zgjedhje të trefishta duke përfshirë edhe ato parlamentare. Në këto zgjedhje që do të mbaheshin brenda gjashtë muajsh nga marrja e detyrës nga Osmani do të nënkuptonte një qeverisje e re me Lëvizjen Vetëvendosje si partia udhëheqëse e zgjedhjeve. Idetë e LVV që janë shumë populiste si shkapja e shtetit, luftimi I krimit të organizuar dhe korrupsionit do të merrnin miratimin e popullit. Partia Demokratike e Kosovës, pa dy figurat prirëse, do te kishte probleme te mbrendshme për shkak te udhëheqësisë se re dhe si pasoje do të pësonte zbritje të madhe në zgjedhjet e ardhshme, ndoshta për herë të parë nga paslufta do të arrinin më pak se 20% të votave. Në ç’rast Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Aleanca Kosova e Re, dhe Nisma Social-Demokrate e Kosovës do të ishin ato që vëndosin për koalicionin qeverisës. Edhe pse sontazhet e shohin Lëvizjen Vetëvendosje si fituese të zgjedhjeve të ardhshme, është pothuajse e pamundur të krijohet një qeveri pa koalicion.

Përderisa Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kryetari I shtetit Hashim Thaçi kan mbështetje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Levizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti duket ta kenë mbështetjen e shteteve Evropiane. Evropa dhe SHBA-të për momentin nuk I kane mardhëniet më të mira, që u pa edhe nga shpallja e aktakuzes ndaj Thaçit (si parandalim i ndonjë marrëveshje politike) tri dite para se SHBA-të të mbanin samitin për Ballkanin. Largimi i SHBA-ve nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, tërheqja e donacioneve ndaj NATO-s, largimi i trupave Amerikane nga kampet Gjermane e shumë politika tjera të SHBA-ve tregojnë se misioni i ketij shteti për të ndikuar në politikat botërore ka përfunduar, e si rrjedhojë edhe nderhyrja e drejtëpërdrejtë në politikat Kosovare. Viti 2021 do të jetë vit i ngjarjeve të mëdha politike në Kosovë dhe rajon, se në cilin drejtim do të shkojë, mbetet të shihet.

Altin Kukaj,

New York 2020.

Exit mobile version