Fjala përshëndetëse e aktivistit shqiptaro-amerikan z. Vesel Qosaj e mbajtur sot më 1 Gusht 2024 në takimin e organizuar nga Gazeta e Alpeve “Takimi Kombëtar i Plavë-Gucisë, 2024”, takim ky i mbajtur në Shtëpinë e Kulturës në Vuthaj.
I nderuar z. Princi Loris Kastrioti Skënderbeu II,
I nderuar akademik Mentor Petrela,
I nderuar Bilall Kasimi,
Të nderuar të pranishëm.
Para së gjithash ju uroj mirëseardhje në Plavë e Guci dhe në shtëpinë e përbashkët të Vuthjanëve, “Shtëpinë e Kulturës në Vuthaj”, dhe në vendlindjen e shumë intelektualëve të shquar të kombit shqiptar, dhe në vendlindjen e shumë atdhetarëve të shquar të kombit si në kohë paqe ashtu edhe në kohë lufte. Përshëndes këtë manifestim kulturor të organizuar nga Gazeta e Alpeve dhe të palodhshmin z. Ramiz Lushaj, i cili me punën dhe me angazhimin e tij po e promovon trevën tonë së bashku me vlerat dhe bukuritë e saj.
Ju flas në emër të Këshillit për Rindërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Vuthaj nga New Yorku. Atdhedashuria nuk ka njësi matëse, por ka vetëm vepra, se sa bën dhe vepron për të mirën e tokës ku jemi lindur dhe jemi rritur. Mirënjohje për kontribuesit që mundësuan jetësimin e kësaj vepre. Ju sot këtu shihni historinë e kësaj treve përmes portreteve të personazheve historike, duke filluar nga Ali Pashë Gucia e Jakup Ferri e deri te personalitetet e shquara të kësaj ane me arritjet e tyre. Qëllimi dhe ideja e paraqitjes së këtyre personaliteteve historike në ambientet e Shtëpisë së Kulturës ishte dhe është t’i nderojmë ato për të mos u harruar kurrë, duke ditur se po në Plavë Guci u bë lufta e parë për mëvetësinë e shtetit shqiptar, “Lufta e Nokshiqit” 1879/80. Luftë kjo që theu vendimet e Kongresit të Berlinit. Këtu, të nderuar të pranishëm, gërshetohet e kaluara historike me prijësit e trevës sonë në Lidhjen e Prizrenit, dhe me të sotmen kushtuar edukimit me Josip Relën me shkronjat e para e me akademikët e së sotmes e bashkë me to edhe dëshmorët e trevës sonë të luftës së fundit për çlirimin e Kosovës. Ky ambient është i vogël por brenda tij është e përfshirë e tërë historia e ndritur e trevës sonë.
Në fund fare, dua që në emër të Këshillit tonë t’ia japim një Mirënjohje për kontributin e dhënë z. Ramiz Lushaj, kryeredaktorit të Gazetës së Alpeve, duke falënderuar Ramizin për punën e palodhshme të tij dhe duke i uruar shëndet të mirë e suksese në të ardhmen.
Ju faleminderit.
—
Një përmbledhje më të zgjeruar do e publikojmë posa t’i pranojmë nga redaksia e Gazetës së Alpeve, ku siç informohemi kishte një pjesëmarrje të shkëlqyeshme të personaliteteve mbarëkombëtare.
/Plava e Gucia Sot