Veseli i premton banorëve të Plavës dhe Gucisë tunelin që do t’i lidhë me Kosovën

Kryeparlamentari, Kadri Veseli gjatë ditës së sotme ka marrë pjesë në manifestimin tradicional që zhvillohet çdo vit nën hijen e rëndë të bjeshkëve të fshatit Vuthaj.

Me këtë rast, Veseli tha që Kosova është veçanërisht mirënjohëse për kontributin e banorëve të Plavës dhe Gucisë në art, arsim, shkencë, kulturë, shëndetësi, ekonomi, politikë e të gjitha fushat e tjera shoqërore.

Tutje Veseli i ka premtuar banorëve të këtyre trevave që punimet për ndërtimin e një tuneli që i lidhë këto vatra me Kosovën do të përshpejtohen.

“Bashkombasve të shumtë të këtij tubimi, iu thashë se Kosova ka shumë borxhe ndaj kësaj treve, dhe një ndër borxhet më të mëdha që ka është ndërtimi i rrugës Deçan Plavë. Prandaj iu premtova se atë borxh kemi për ta larë shumë shpejt duke përshpejtuar punimet, në mënyrë që ato male që na ndajnë të çahen sa më parë me një tunel, që do të na lidh si asnjëherë më parë. Po ashtu i sigurova se sa më shumë të konsolidohet Kosova, aq më shumë do të mund të vij në ndihmë të vëllezërve dhe motrave nga Plava e Gucia”, ka shkruar Veseli në facebook.

nga: Arta Sopi