Në kilometrin e pestë të rrugës magjistrale, që nga Plava shpie për në Guci, në anën e djathtë të luginës piktoreske të Lumit Luça, mu rrëzë Bjeshkës së Visitorit të lartë, thepisur e kreshnik, fillon shtrirja e Martinajve, fshat i Komunës së Gucisë, i cili dikur radhitej ndër vendbanimet më të mëdha, atëherë të Komunës së Plavës, i cili numëronte më se 80 familje me mbi 500 banorë, kryesisht të popullatës shqiptare
Por, mjerisht, migrimi dhe emigrimi e ka bërë të veten. Sot numri i familjeve dhe i banorëve ka rënë dukshëm. Shpërngulja mjaft e shprehur, sidomos e të rinjve, e kohët e fundit edhe të rejave, është brenga më e madhe e tij, ngase më se gjysma e shtëpive familjare janë të mbyllura me dry, e çelja e dyerve të ca prej tyre bëhet në muajt e verës kur pronarët në Diasporë, vijnë për t’i kaluar ca ditë të pushimeve të veta vjetore me ose pa familje. E gjithë kjo është pasojë e shprehur e papunësisë, e cila i ka detyruar ta braktisin atë, për të kërkuar në Diasporë, anë e kënd Botës kushte më të mira jetësore për vete dhe familje.
Mirëpo, edhe përkundër gjithë kësaj, ajo që më së shumti e karakterizon dhe e bën të zëshëm dhe më të theksuar, është fakti se fshati Martinaj është truall burimi i një numri vërtetë të madh intelektualësh profilesh të ndryshme profesionale, të cilët kontributin e vet e shprehin në komunat e Plavës dhe Gucisë, në ca qendra të Malit të Zi, në Kosovë e Shqipëri, në Evropë e SHBA, dhe anë e kënd botës. Njëri ndër ta është edhe mjeku subspecialist i anesteziologjisë OA. Dr. i Med. Halil Shpen Hasangjekaj.
U lind në Plavë, më 1 mars të vitit 1958, nga e ëma Razë Zymer Kukaj – Hasangjekaj dhe i ati Shpen Halil Hasangjekaj, në një familje tipike tradicionale shqiptare, me veti dhe tipare atdhedashëse, patriotike, mikpritëse e bujare, në familje ku prindërit, babai Shpeni (tani i ndjerë) ish nëpunës i ish Industrisë së përpunimit të drurit “Bor” në Plavë, dhe nëna Raza, amvise (tani mërgimtare në Nju Jork), rritnin gjashtë fëmijë, tre djem dhe tri vajza, e Halili ishte fëmija i parë në familje (ndër vëllezër dhe motra). I rritnin në kushte modeste ekonomiko-sociale, duke bërë përpjekje që t’i eduko0nin dhe arsimonin dhe t’i orientonin në rrugëtimin drejt dritës dhe dijes.
Halil Shpen Hasangjekaj, shkollimin fillor katërklasësh (I-IV) e ka kryer në Martinaj, ndërsa katër klasët e ciklit të lartë (V-VIII) i ka kryer në Shkollën fillore tetëvjeçare “Xhafer Nikoçeviq” në Guci në vitet shkollore 1965-1973. Me shumë shokë dhe shoqe të asaj kohe, ka udhëtuar çdo ditë mësimi nga 10 kilometra në këmbë, me biçikletë, e ndonjëherë edhe me automjet, me veshmbathje jo të mirë, e ndonjëherë edhe i uritur.
Halili gjatë gjithë shkollimit fillor, ishte nxënës shembullor dhe fitues i shpërblimeve me nga një libër çdo vit. Ai njëherazi ishte edhe nxënësi më i mirë i gjeneratës dhe laureat i Diplomës “Lluça” (“Pishtari”).
Ndonëse në atë kohë, në Plavë dhe Guci nuk kishte shkollë të mesme në gjuhën shqipe, Halili vazhdon shkollimin e mesëm në Gjimnazin “11 Maji” në Pejë (tani “Bedri Pejani”), si shumë nxënës të kësaj ane, ndër të cilët edhe autori i tekstit të këtij portreti (SH. H.), të cilin ai në drejtimin shkencoro- natyror – matematikor e vijon rregullisht dhe e përfundon në vitin shkollor 1976/77 me sukses shembullor.
Në kohën kur Halili ishte në prag të përfundimit të maturës në gjimnazin e Pejës, në muajin maj të vitit 1977, në një numër të revistës “Zëri”, që botohej në Prishtinë, shkrova portretin për Halilin, fototekstin nga origjinali i të cilit ia bashkëngjisë portretit të tanishëm.
Ndarja e hershme nga familja në moshën 15 vjeçare, kushtet modeste ekonomiko-sociale të kohës, adoptimi në jetën e qytetit, ambicia për të qenë gjithmonë më i mirë, për Halilin kureshtar, ishin sfida të cilat jo lehtë u përballuan. Për katër vjet të shkollimit të mesëm (1973-1977), në gjimnazin e Pejës, Halili ka banuar me nipat – vëllezërit Jusuf dhe Hysen Smajl Ulaj. Jusufi tani është me profesion neuropsikiatër dhe psikoterapeut në Prishtinë, kurse Hyseni është inxh. i diplomuar i makinerisë dhe gjendet në mërgim në Nju Jork.
Gjatë asaj periudhe kohore të qëndrimit në Pejë, ata kanë ndërruar shumë shtëpi banimi, e besa edhe podrume të këtij qyteti, ku shumicën e dimrave pa ngrohje, e shpeshherë edhe me bark të uritur. Për Halilin, libri ishte mbi të gjitha. Halili, por edhe nipat e tij Jusufi dhe Hyseni me të cilët banonte, ishin nxënësit më të mirë, jo vetëm në klasë, por edhe në gjeneratë. Suksesi i tillë, atyre ua ka mundësuar regjistrimin në fakultetet e preferuara, Halilit e Jusufit në Fakultetin e Mjekësisë, kurse Hysenit në atë Teknik, pa asnjë problem dhe pa u detyruar tu nënshtrohen provimeve pranuese.
Në vitin akademik 1977/78, Halil Shpen Hasangjekaj fillon studimet e rregullta në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, ku dhe diplomohet në vitin 1984, në drejtimin e Mjekësisë humane e përgjithshme me notë të lartë mesatare. Në kohën e regjistrimit në fakultetin në fjalë, Halilit i krijohen kushte të volitshme studimi në fakultet, sepse babai i tij, Shpeni, me familje shkon për të banuar në Prishtinë, falë mirësisë së ndërmarrjes ku ai punonte, e cila ia mundësoi që si komercialist ta menaxhojë depon me seli në Prishtinë.
Pas diplomimit në fakultet dhe përfundimit të praktikës së obliguar, dr. Halili punësohet në Entin e atëhershëm Krahinor për mbrojtje shëndetësore në Prishtinë. Në ndërkohë, dërgohet në kryerjen e shërbimit ushtarak në Beograd, ku përballet me shumë probleme dhe vështirësi, pasi që ishte mjeku i vetëm në ish Jugosllavi, që shërbente aty ku nuk i takonte – në këmbësori. Ishte kjo “dhuratë” e Mbrojtjes Popullore nga vendlindja – Plava, shprehet ai i mllefosur.
Por, dëshira e dr. Halilit për mjekësi invazive, e solli në Klinikën e Kirurgjisë, reparti i anesteziologjisë në Prishtinë. Ishte viti 1986 kur e fillon specializimin për ta vazhduar në Maimonides Hospital në Nju Jork dhe e përfundon në Zagreb. Pas kthimit në Prishtinë, si dhe të gjithë kolegët shqiptar, dëbohet me dhunë nga vendi i punës, nga sistemi okupues serb.
Prej majit të vitit 1993, dr. Halili me familje, migron në Gjermani, ku fillon mësimin intensiv të gjuhës gjermane. Meqë diploma universitare nuk i pranohej, dr. Halili detyrohet të bëjë ekuivalencën, që pastaj të fillojë njohjen e specializimit. Mësimet praktike i arriti në St. Augustinus Krankenhaus, St. Marien Hospital, Städischen Krankenhaus Düren, si dhe Universitäts Klinikum Aachen.
Në fillim të vitit 2003, dr. Halil Shpen Hasangjekaj, apsolvon me sukses provimin specialistik, dhe merr njohjen e mjekut të specializuar në lëmin e anesteziologjisë në në Diseldorf. Në vitin 2005, po ashtu në Diseldorf, dr. Halili përfundon me sukses provimin e subspecializimit në lëmia e Mjekësisë urgjente.
Në vitin 2003, dr. Halil Shpen Hasangjekaj, punësohet për ca muaj në St. Josef Krankenhaus në Prüm dhe St. Antonius Krankenhaus në Schleiden, ku gjendet edhe tani në detyrën (funksionin) e kryemjekut në Klinikën e anesteziologjisë, kujdesit intensiv dhe terapisë së dhembjes postoperative. Përndryshe, anesteziologu dr. med. Halil Shpen Hasangjekaj me bashkëshorten Suzanen, motër medicinale, janë prindër të dy djemve, Rinorit, magjistër i Shkencave Politike, dhe Elvinit, student i vitit të fundit në Akademinë Policore, jetojnë dhe punojnë në Gjermani.
Meqë në Martinaj nuk jeton askush nga familja e tij e ngushtë, nëna Raza, vëllai i madh Sadria, dhe motrat Zoja, Zakja dhe Nuria, me familje jetojnë në SHBA, kurse vëllai i vogël, Arbeni, në Suedi, dr. Halili nuk heziton për të vizituar vendlindjen me rastin e pushimeve verore që shpesh i kalon në Ulqin.