Përballë Alpeve të thepisura Shqiptare e rrëzë bjeshkëve të larta me pyje, kullosa e kreshta, shtrihet fshati Vuthaj i Komunës së Gucisë, vendbanim me pozitë kodrinoro-malore, me bukuri e atraksione të rralla natyrore, i banuar tërësisht me popullatë shqiptare, i cili dikur me mbi 200 familje me rreth 1.200 banorë ishte njëri ndër vendbanimet më mëdha të Komunës së Plavës.
Mirëpo, ajo që më së shumti e veçon dhe e bën të njohur dhe më të theksuar atë, është fakti se fshati Vuthaj është truall burimi i një plejade intelektualësh shqiptarë profilesh të ndryshme profesionale. Njëri ndër ta ishte edhe, tani i ndjeri Idriz Xhemë Ulaj, i cili ndërroi jetë më 3 qershor 2023 në Spitalin e Beranit në moshën 81-vjeçare si pasojë e sëmundjes së rëndë dhe relativisht të gjatë. U lind në fshatin Vuthaj të Komunës së Gucisë më 10 gusht të vitit 1942 nga i ati Xhemë Sadri Ulaj, patriot dhe atdhedashës kombëtar dhe e ëma Sofie Balidemaj – Ulaj, motra e patriotit, atdhetarit dhe pishtarit të arsimi Isuf Sylë Balidemaj, i cili në vitin shkollor 1945-46 në vendlindje në fshatin Martinaj hapi paralelen me mësim në gjuhën shqipe në shkollën fillore katërklasëshe ku mësimi zhvillohej në gjuhën serbe. Në moshën katërvjeçare Idrizi mbeti jetim me vëllain Rrustemin dhe motrat Fatimen dhe Talen, ngase babai Xhema vritet në fund të Luftës së Dytë Botërore.
Shkollimin fillor katërklasësh (I-IV) e kryen në vendlindje – në Vuthaj. Pas kryerjes së klasës së gjashtë në shkollën fillore tetëvjeçare në Guci, në vitin shkollor 1955-56, detyrohet që për tri vite shkollore ta ndërpresë shkollimin e mëtejm fillor tetëvjeçar, ngase pushteti i atëhershëm në shkollën tetëvjeçare të Gucisë dhe në atë katërklasëshe në fshatin Martinaj, ndalon mbajtjen e mësimit në gjuhën shqipe, për ta vazhduar pas tri vitesh shkollore (1959-60) në klasën e shtatë, e po në të njëjtin vit me korrespodencë e kryen edhe klasën e tetë, kur sërish në shkollën e Gucisë dhe në atë në Martinaj pushteti lejon sërish mbajtjen e mësimit në gjuhën shqipe. Pas kryerjes së shkollës fillore tetëvjeçare në Guci, në vitin shkollor 1960-61, Idriz Xhemë Ulaj, regjistrohet në Shkollën Normale (të Mësuesisë) “Dimitrije Tucoviq” në Prizren, në të cilën një vit shkollor më vonë (1961-62), e regjistron edhe motrën e vet Talen (tani juriste e diplomuar në pension), e cila aso kohe ishte vajza e parë shqiptare nga treva e Plavë-Gucisë e regjistruar në shkollë mesme (në shkollën për mësuese), e njëherazi edhe mësuesja e parë e diplomuar shqiptare nga kjo anë e punësuar në shkollën fillore të Gucisë.
Pas diplomimit për mësues në shkollën normale të Prizrenit, në vitin shkollor 1965-66, Idrizi regjistrohet në Fakultetin Filozofik të Prishtinës në degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe, të cilin e kryen në afat të rregullt. Krahas studimeve, në vitin 1967 fillon punën si mësimdhënës në Shkollën Fillore “Gjergj Fishta” të Prishtinës, ku punon deri në vitin 1971. Në vitin 1972 kalon me punë në Shkollën e Mesme Teknike “19 Nëntori”, e njëkohësisht edhe në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë. Ne fund të vitit 1972, punësohet në NGB “Rilindja” në detyrën lektor-gazetar i Revistës javore “Zëri i Rinisë”, ku kontributin e vet profesional me plot sukses e kryen deri në shuarjen e saj më 31 dhjetor të vitit 2006, kur edhe pensionohet.
Vizionari dhe veprimtari i denjë dhe i paepur, Idriz Xhemë Ulaj, ka qenë studiues dhe krijues universal e gjthëpërfshirës që ka bërë emër të ndritshëm dhe të shkëlqyer në letërsinë shqipe. Qysh si nxënës i Shkollës Normale në Prizren (1962) ka filluar të krijojë dhe botojë poezi për fëmijë dhe të rritur nëpër gazeta dhe revista të ndryshme brenda dhe jashtë Kosovës. Krahas poezisë, ka shkruar edhe prozë dhe satirë. Në satirë ka qenë i njohur me pseudonimet “grethzori”, “shokzori” etj. Poezitë e Idrizit janë përkthyer e botuar në gazetat e revistat në gjuhët: kroate, turke, sllovene, serbokroate, rumune, suedeze, etj.
Veprimtari gjithëpërfshirës i zhanreve dhe opuseve të letërsisë shqipe, Idriz Xhemë Ulaj është marrë edhe me studime etnografike. Ka botuar disa shënime mbi gjenezën e shqiptarëve të trevës së Plavë-Gucisë. Në këtë fushë, nga gjuha malazeze ka shqipëruar, përgatitur dhe botuar dy libra etnografiko-historikë për Malësinë e Madhe dhe për trevën e Plavë-Gucisë, materiale këto të regjistruara, të sistemuara dhe të arkivuara në vitet 1915-1921 në Arkivin e Cetinës.
Krijuesi i mirënjohur letrar nga fshati Vuthaj i Komunës së Gucisë, Idriz Xhemë Ulaj është i njohur edhe si shqipërues i denjë i poezisë së poetëve malazezë, sllovenë, boshnjakë, etj. Është i përfshirë në disa antologji, monografi dhe leksikone të shkrimtarëve brenda dhe jashtë trojeve shqiptare: “Në prehër të jetës së re”, doracak për nxënës të shkollës fillore – grup autoresh, botim i Entit Republikan të Malit të Zi për përparimin e shkollave, “Leksikoni i shkrimtarëve shqiptarë”, 1501-1990, në botim të revistës “Shkëndia” Prishtinë, “Dritaren lëre hapur”, grup autorësh shqiptarë nga Mali i Zi, botim i SHAI “Art Club”, Ulqin, “Portrete shkrimtarësh – Demir Behluli”, botimi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, “Bibliografia e revistës ‘Koha 1978-1989”, Tahir Foniqi, botim i Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, “Degë e drurit të urtë”, letërsi e bukur shqipe për fëmijë të rritur, Hajro Ulqinaku, botim i Asociacionit “Ulqini” Ulqin, “Dritaren lëre hapur” (shqip-kroatisht), botim i Qendrës së Emigrantëve të Malit të Zi dhe i Bashkësisë Nacionale Malazeze “Zagreb”, në Zagreb, “Albumi i shkrimtarëve shqiptarë” (në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë), S. Gashi 2012, Prishtinë.
Prej vitit 1984, Idriz Xhemë Ulaj, ka qenë anëtarë i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit Albanologjik të Prishtinës, si dhe anëtar i redaksisë së revistës mujore informative, kulturore dhe shoqërore “Buzuku” në Ulqin.
Krijimtaria e begatë dhe shumëpërfshirëse letrare e, tani të ndjerit Idriz Xhemë Ulajt, është përmbledhur dhe botuar në këto vepra: “Këngë Popullore nga Gucia” (në 100-vjetorin e Lidhjes së Prizrenit), botim i vetë autorit (1978), “Prizma” (poezi), botim i “Rilindjes”, (1980), “Edhe një orë dritë” (poezi), botim i Revistës “Koha”, Podgoricë (1980), “Zilet e Gëzimit”, bashkautorë, libër leximi për klasën e dytë të shkollës fillore, Podgoricë (1983), “Mjekësi popullore botërore”, Prishtinë 1994, botim i Revistës “Kosovarja”, “Zilet e stinëve” (poezi për fëmijë dhe të rritur), botim i “Ura”, Prishtinë (2007), “Këngë dhe vajtime nga Krahina e Plavës dhe e Gucisë”, botim i Institutit Albanologjik të Prishtinës (2011) dhe “Vite me dy stinë”, botim i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Prishtinë (2012).
Idriz Xhemë Ulaj veprimtarinë e vet letrare e ka shprehur edhe përmes shqipërimit dhe botimit të këtyre veprave: “Nahija e Plavës dhe Gucisë” (“Plavsko-Gusinjska oblast”), vepër etnografiko-historike e autorit malazez Andrija Joviqeviq, botim i “Trend”, Prishtinë (2009) dhe “Malësia” (“Malesija”), vepër etnografiko-historike, po ashtu e autorit malazez Andija Joviqeviq, botim i “Ura”, Prishtinë (2010).
Ndarja e Idriz Xhemë Ulajt nga jeta i pikëlloi shqiptarët, jo vetëm më të afërmit e tij, por edhe shokët, miqtë e bashkëpunëtorët e shumtë, qarqet intelektuale të trevës së Plavë-Gucisë, viseve tjera shqiptare të Malit të Zi, Kosovës, Shqipërisë, intelektualët shqiptarë në diasporë. Vdekja e tij shkaktoi dhimbje dhe vrragë të rënda edhe ndër të gjithë ata që e kanë njohur, që kanë punuar e vepruar dhe janë shoqëruar me të. Familja e ngushtë ka humbur kryefamiljarin – shtyllën e shtëpisë, vëllazëria Ulaj vëllain, vizionarin dhe veprimtarin e denjë, vuthjanët bashkëvendasin e respektuar.
Se Idriz Xhemë Ulaj u takon të gjithëve, u pa edhe në ditën e varrimit varrezat e vendlindjes së tij në Vuthaj ditën e hënë më 5 qershor, ku turmat e qytetarëve dhe elita intelektuale nga Malësia e Plavë-Gucisë, nga qendra të ndryshme të Kosovës e Shqipërisë së Veriut, në veçanti nga Prishtina, ku e ka kaluar kohën më të gjatë të punës dhe jetës së vet. U varros me nderimet më të mëdha, nga i cili në fjalimin memorial shpirtërisht i prekur, në zemër i ngacmuar dhe me lot në sy u nda kushëriri i tij, Prof. Binak Ulaj.
Turma a të pranishmëve në ambientin e Shtëpisë së Kulturës në Vuthaj dhe në përcjelljen e tij në banesën e fundit dëshmoi se kush ka qenë Idriz Xhemë Ulaj.
Për mua (autorin e këtij memoriali, SH.H.), është kënaqësi e madhe dhe nder që pata fatin të bashkëpunoj dhe të shoqërohem që nga koha e rinisë së hershme me mikun, shokun dhe kolegun e nderuar dhe të respektuar gjithnjë deri në vdekjen e tij. Idrizi pas vetes la bashkëshorten Hyrë Prelvukaj – Ulaj dhe djalin Visarin i cili me familje jeton dhe punon në Suedi.
Idriz i nderuar, pusho i qetë në gjirin e vendlindjes sate në Vuthaj, të cilën e deshe shumë dhe të cilës ia kushtove një vistër materialesh nga krijimtaria jote vëllimore letrare.
Të qoftë i lehtë dheu mbi varrin – banesën tënde të përmotshme.