Nga Deli Balidemaj,
Mynhen- Gjermani
Edhe pse numerikisht jo të mëdha, votat e diasporës janë ndër treguesit më të saktë dhe më të drejtë të pritshmërive që qytetarët kanë ndaj qeverisjes së re, si në nivel qendror ashtu edhe lokal. Për dallim nga një pjesë e elektoratit brenda vendit, diaspora nuk është e varur nga punësimet partiake, tenderët, presionet lokale apo favoret politike. Përjashtim mund të bëjnë vetëm pak individë që garojnë prej radhëve të diasporës, por shumica absolute voton e lirë, pa interesa personale dhe pa frikë nga pasojat.
Kjo e bën votën e diasporës më të pastër, më të sinqertë dhe më të drejtëpërdrejtë në raport me realitetin politik. Dhe pikërisht për këtë arsye disa e kundërshtojnë: sepse diaspora nuk blihet, nuk shantazhohet dhe nuk manipulohet. Ajo nuk është pjesë e rrjeteve klienteliste që kanë penguar zhvillimin e vendit për vite me radhë.
Diaspora voton me bindjen se Kosova ka nevojë për institucione funksionale, qeverisje të përgjegjshme dhe orientim të qartë europian. Ajo mbështet politika që luftojnë korrupsionin, forcojnë shtetin dhe krijojnë mundësi reale për të gjithë qytetarët – jo vetëm për të privilegjuarit e pushtetit.
Në thelb, diaspora kërkon një Kosovë moderne, të zhvilluar dhe të orientuar qartë drejt partnerëve strategjikë perëndimorë, veçanërisht SHBA-së dhe Gjermanisë. Për diasporën, ky orientim nuk është një slogan i konsumuar politik, por standard i pa-negociueshëm i zhvillimit të vendit.
Prandaj, vota e diasporës nuk është problem, ajo është vlerë kombëtare. Është zëri i atyre që kontribuojnë financiarisht, ekonomikisht, shoqërisht dhe politikisht për vendin, edhe kur nuk jetojnë fizikisht në të. Ata që e kundërshtojnë votën e diasporës, në fakt po kundërshtojnë transparencën, zhvillimin dhe integrimin euro-atlantik të Kosovës.