Vritet në Holandë Festim Lato, presidenti i Republikës së Çamërisë

Festim Lato, që njihet si themelues i Republikës së Çamërisë dhe shpalljen e pavarësisë së saj nga Greqia, është vrarë sot në Holandë. Lajmin e ka bërë të ditur shkrimtari Atdhe Geci.

Përmes një komunikate të nënshkruar nga Geci dhe Ali Aliu, që njihet si Kryeministër i “Republikës së Çamërisë”, njoftohet se Festim Latos i është bërë atentat.

“Në Holandë iu bë atentat presidentit të Republikës së Çamërisë z. Festim Lato. Për atentatin e Festim Latos, sot familjen Lato në Vlorë e njoftoi Policia Holandeze. Me këtë rast Qeveria e Republikës së Çamërisë, me në krye Kryeministri Ali Aliu, është shumë e pikëlluar, dhe i shpreh ngushëllime Familjes Lato nga Vlora, miqëve dhe shkove të tij. Vrasja e Presidentit të Republikës së Çamërisë, z. Festim Lato është vrasje me motive politike. Festim Lato është heroi i parë i Republikës së Çamërisë. Festim Lato, dritë tu bëftë gjaku o trim! Çamëria është gjaku ynë që s´falet! Lavdi që të patëm” – thuhet në komunikatë, përcjell in7.

Festim Lato ka lindur në Vlorë më 1 Janar të vitit 1973. Ai u vra sot nga atentatorë të paidentifikuar, thonë njerëz të afërt me të. Nuk dihen as arsyet e vrasjes dhe as nëse ka lidhje me veprimtarinë e Latos për pavarësinë e Çamërisë.

Policia holandeze po heton rastin dhe së shpejti do dalin edhe me njoftim zyrtar.