Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Vuthaj: Përvjetori u shënua me akademi solemne

Në sallën për takime, tubime dhe manifestime të ndryshme të Shtëpisë së kulturës në Vuthaj ishin tubuar qindra qytetarë profilesh e strukturash të ndryshme profesionale e sociale, bashkëvendës – nikoqirë e mërgimtarë nga vendbanimet me popullatë shqiptare të komunave të Plavës dhe Gucisë, por edhe mysafirë të nderuar nga Malësia e Madhe dhe Kosova, ndër të cilët edhe dekani i Universitetit të Gjakovës, Kamber Kamberi, dhe profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe, Nikollë Camaj nga Tuzi, për të marrë pjesë në manifestimin kulturor me temën “Shkollat shqipe të Plavë-Gucisë, tempuj dije e atdhetarie, me përkushtim të veçantë shënimit të 44-vjetorit të hapjes së shkollës së mesme me mësim në gjuhën shqipe në Plavë.
Pjesëmarrësit e pranishëm të akademisë solemne, i përshëndeti dhe u dëshiroi mirëseardhje moderatorja e programit të manifestimit, maturantja e drejtimit të gjimnazit në Shkollën e mesme të përzier “Beqo Bashiq”, Anjeza Hasangjekaj, kurse manifestimin në fjalë me admirim e hapi ish nxënësi i gjeneratës së parë të shkollës së mesme me mësim në gjuhën shqipe, Vesel A. Qosaj (tani në mërgim në Nju Jork), i cili me emocion dhe mallëngjim në fjalën e rastit u shpreh: “Kam kënaqësinë e veçantë që jam sot në mesin tuaj, është nderë dhe privilegj për mua që të jem në mesin e atyre që bënë të pamundurën që shqiptarët e kësaj treve kreshnikësh të mbijetojnë dhe ta ruajnë identitetin e vet kombëtar, falë angazhimit tuaj të jam në mesin e mësuesve, arsimtarëve dhe profesorëve dhe në mesin e juve të tjerëve që po ashtu ishit pjesë e këtij rrugëtimi të përbashkët”.
Në vazhdimin e elaborimit të vet, Qosaj tha se “sot e shohim realitetin e hidhur që plaga e mërgimit dhe e braktisjes së këtyre trojeve kanë rezultuar me faktin se shumë shkolla janë në gjendje të rëndë, si pasojë e mungesës së nxënësve. Por, për shkak të kaluarës së ndritur, morra iniciativën që përmes këtij manifestimi, sot këtu në Vuthaj, ta kujtojmë dhe ta pasqyrojmë të kaluarën duke i përjetuar këto portrete pishtarësh e kontribuuesish të denjë dhe të paepur të arsimit që i kemi para nesh, e që janë pjesë e historikut të shkollave shqipe në rajonin e Plavë-Gucisë, duke filluar nga Josip V. Rela, e deri më sot, por njëkohësisht ta kujtojmë të kaluarën e ndritur dhe përkushtimin e juaj, gardianëve të dijes, mësimdhënësve të respektuar të shkollave shqipe në trevën e Plavë-Gucisë”.
Qosaj po ashtu në vazhdim të elaborimit tha se “përmes këtyre portreteve duam t’iu shprehim mirënjohje të gjithë atyre të cilët dhanë kontributin e vet në lartësimin dhe përhapjen e dijes, duke filluar nga ata që nuk janë më në mesin tonë, e do t’i përmendi disa nga ata: mësuesin tim Ibrahim Gjonbalaj, arsimtarët Bajram Balidemaj e Hysen Novaj, si dhe profesorët Riza dhe Zenun Prelvukaj, si dhe të gjithë ata që nuk jetojnë më. Por gjithsesi respekt pafund për të gjithë juve që punuat edhe ende punoni në edukimin dhe arsimimin e të rinjve dhe të rejave në këto troje kreshnike”.
Në emër të vet dhe të mësimdhënësve të kohës së mësimit të gjeneratës së parë të shkollës me mësim në gjuhën shqipe në Plavë, të pranishmit i përshëndetën ish mësimdhënësit, ekonomisti i diplomuar, Ramë Sinanaj, dhe profesoresha e gjuhës dhe letërsisë shqipe, Shkurtë Ulaj-Arifaj.
Në fjalën e rastit, ish mësimdhënësi Ramë Sinanaj me emocion theksoi se ishte në moshën 24 vjeçare atëherë kur erdhi në mjedisin të cilin siç u deklarua, e gjeti të gatshëm. Tha se i vjen keq që nuk u përmend, por ndoshta do ta përmend ndokush kohën kur u hap shkolla e mesme në gjuhën shqipe në Plavë, kur për hapjen e saj, ndër shumë të tjerë, në veçanti kontribut të dukshëm dhanë veprimtarët Ramadan Gjonbalaj nga Vuthajt dhe Zeqir e Smajl Balidemaj nga Martinajt, duke ndjerë në zemër e shpirt nevojën për hapjen e shkollës së mesme me mësim në gjuhën shqipe në Plavë, ngase nxënësit që kryenin shkollën fillore tetëvjeçare në Guci ishin të detyruar që shkollimin e mesëm ta vazhdonin në Kosovë apo gjetiu.
Edhe ish kolegia e tij, profesoresha e gjuhës dhe letërsisë shqipe, Shkurte Ulaj-Arifaj, me mallëngjim, mbresë dhe emocion, në mënyrë koncize shpalosi dhe reflektoi veprimtarinë e vet të punës me vlerë dhe humanitare në vitet e 80-ta të shekullit të kaluar kur ishte mësimdhënëse e kësaj vatre arsimore.
Ndërkaq, ish nxënësi i gjeneratës së parë të shkollës së mesme me mësim në gjuhën shqipe në Plavë, Ramë B. Selimaj, edhe pse i emocionuar dhe i mallëngjyer, në emër të vet dhe të shokëve dhe shoqeve të gjeneratës, evokoi me dinjitet dhe përpikëri mbresat, përjetimet dhe përkujtimet e kohës katër vjeçare 1978-1982, kur ishte nxënës i shkollës në fjalë.
Profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe, Fadil Ulaj, në emrin e vet personal, por edhe të nxënësve dhe mësimdhënësve shqiptar të Shkollës së mesme të përzier “Beqo Bashiq” në Plavë, ku ai punon, me admirim përshëndeti të pranishmit e akademisë solemne dhe në fjalën e rastit u shpreh: “Hapja e shkollës së mesme me mësim në gjuhën shqipe në Plavë, në vitin shkollor 1978/79, ishte një arritje me rëndësi të shumëfishtë për të gjithë shqiptarët e kësaj treve në përgjithësi. Në radhë të parë, lindi një vatër e re e diturisë, por edhe çerdhe e atdhedashurisë, sepse një pjesë e njerëzve tanë, sidomos nga Plava, për shkak të kushteve ekonomike dhe mungesës së tetëvjeçares në gjuhën shqipe, në atë kohë detyroheshin t’i çonin fëmijët e tyre në gjuhën serbokroate, që rrezikonte përdorimin e gjuhës shqipe te disa fëmijë, duke i hapur rrugë boshnjakizimit dhe asimilimit. Së dyti, shkolla e mesme në gjuhën shqipe në vendlindje, ua lehtësoi shkollimin të gjithë nxënësve të kësaj ane, të cilët deri atëherë shkolloheshin në Kosovë, larg shtëpive në kushte jo çfarëdo, dhe së treti, vijimi i rregullt i mësimit nën përkujdesjen e prindërve, sidomos për vajza, sepse nuk ishte e lehtë në një moshë të papjekurisë fëmijët të ndjekin mësimet larg familjes pa mbikëqyrjen e askujt”.
Ai në vazhdim shtoi se “fatbardhësisht populli ynë i kësaj ane e ka dashtë arsimimin dhe e ka kuptuar vlerën dhe domosdoshmërinë e shkollimit, dhe i është përkushtuar me mish dhe shpirt për të realizuar këtë dëshirë si të vetmen rrugë drejt së ardhmes së ndritur dhe ngritjes së vetëdijes së të rinjve”, është shprehur prof. Ulaj dhe në vazhdim ka shtuar se “në fillim shkolla ka funksionuar në kushte jo të mira, pa kuadër të kualifikuar, por megjithatë, duhet t’u jemi mirënjohës të gjithë atyre mësimdhënësve të parë në moshë të re dhe pa përvojë, por me vullnet dhe dëshirë të flaktë që shkollën e posa hapur me mësim në gjuhën shqipe, ta çojnë drejt një vatre të mirëfilltë të diturisë. Fatbardhësisht një pjesë e tyre sot janë në mesin tonë, por respekt edhe për ata kudo që janë në botë”.
Profesori Ulaj nuk ngurroi për të thënë se padyshim njëri nga figurat kryesore që në hapjen e shkollës së mesme me mësim në gjuhën shqipe në Plavë, ishte profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe, Isa Nikçi nga Rugova, i cili për shkak të gjendjes shëndetësore nuk është i pranishëm sot në mesin tonë, por ne gjithsesi e çmojmë dhe e vlerësojmë lartë punën, sakrificën dhe kontributin e tij gjatë tri viteve sa punoi në këtë shkollë.
S’duhet harruar kurrsesi as kontributi i atyre mësimdhënësve nga shkolla tetëvjeçare e Gucisë që e plotësuan mungesën e kuadrit mësimor në hapjen e kësaj shkolle. Në elaborimin e vet, prof. Ulaj e quajti veten të pafat që koha nuk ia mundësoi të ishte nxënës i gjeneratës së parë të kësaj shkolle, për faktin se deri në vitin 1978, shkolla e mesme me mësim në gjuhën shqipe në Plavë nuk ekzistonte, ashtu që gjithë nxënësit e kësaj treve pas tetëvjeçares shkonin të vijonin shkollimin e mesëm në Kosovë. Në fund të elaborimit, profesori Fadil Ulaj theksoi se hapja e shkollës së mesme në Plavë në vitin shkollor 1978/79, u bë një ngjarje e jashtëzakonshme e cila u prit, u mbështet dhe u përkrah me entuziazëm nga të gjithë bashkëvendësit tanë të të gjitha moshave.
Programi i akademisë solemne u gërshetua edhe me recitime dhe recitale të përformuara nga nxënësit e Shkollës së mesme të përzier në Plavë, kurse programi i manifestimit u mbyll me interpretimin e një kënge kreshnike të përcjella me tinguj të lahutës nga lahutari Xhavit Balidemaj.

Shaban Hasangjekaj

Exit mobile version