Site icon PLAVA E GUCIA SOT

Ymer Halil Kuka 1942- 2024 : Vullnetar i Batalionit Atlantiku ushtar i lirisë së Kosovës


Binak ULAJ

Pasi i ishte dhënë lamtumira e fundit  dhe ishte varrosur me nderime të veçanta si luftëtar i lirisë në Nju Jork, më 24 mars 2024 ,  shokët e kamotshëm, Meriman Braha, Zymer Neziri dhe Binak Ulaj,  së bashku me Shoqatën e të Burgosurve  Politikë dhe Shoqërinë Lëvizja, më 6 prill 2024, në Prishtinë, organizuan  pritje për ngushëllime për ndarjen nga jeta të  ushtarit të UÇK-së, pjesëtar i Batalionit Atlantiku, Ymer Halil Kuka.  Djali  i Ymerit, Arbeni, vëllai, Mustafa dhe reja, Luljeta, që kishin ardhur apostafat nga SHBA-të dhe familjarët në vendlindje, do të ndajnë dhembjen  me  bashkëluftëtarë, veteranë të UÇK-së, zyrtarë të institucioneve shtetërore , shokë e miq që vinin për ngushëllime.   

Ymri është i lindur më 10 korrik të vitit 1942, në fshatin Vuthajtë Plavës e Gucisë, mu pranë kufirit që e ndante dhe vazhdon ta ndajë trupin e Atdheut tonë. Posta e ushtrisë kufitare dhe ajo e milicisë jugosllave, të ngritura menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, që ishin vetëm disa dhjetëra  metra larg shtëpisë së prindërve të tij, pa e hetuar do të nguliten në kujtesën e Ymerittë vogël si godina që mbillnin frikë e pasiguri . Kjo ndjenjë frike  do të reflektohet tek ai shumë vite më vonë.

Ymeri do të rritet e burrërohet me rrëfimet për krimet erepresionin e organeve shtetërore mbi popullsinë shqiptare, të cilat do t ‘ i përjetojë edhe vetë që në moshë mitare. Në vitin 1956, në Plavë e Guci, si gjithandej në Mal të Zi, do të mbyllën shkollat shqipe. Ymeri, si dhe nxënësit tjerë shqiptarë, do të detyrohet t’ i vijojë mësimet në gjuhën serbe, por shumë nga nxënësit e gjeneratës së tij dhe të gjeneratave pasuese,  do ta braktisin shkollën njëherë e përgjithmonë dhe marrin botën në sy. Në kushte të tilla ku shteti jugosllav ndalonte shkollimin   në gjuhë amtare e, me këtë, edhe përparimin e të rinjve shqiptarë, ishin mësimdhënësit shqiptarë të qyteteve të ndryshme të Kosovës që ua hapen dyert e shkollave e fakulteteve. Në këto institucione arsimore, nxënësit shqiptarë nga Mali i Zi, Maqedonia, Presheve, Bujanoci e Medvegja, përveç se do të jenë të mirëpritur, në shumë raste  do të jenë edhe të privilegjuar. Këtë të mirë jetësore ata s’ do ta harrojnë kurrë. Nuk do ta harrojë as Ymeri.  

Pas diplomimit në Shkollën Normale të Pejës, i ndërgjegjshëm për misionin që i kishte caktuar vetit, ai do të jetë i gatshëm të punojë e të japë kontributin e vet kudo që kishte nevojë. Pa humbur kohë do të punësohet në shkollën 8- vjeçare në Korishë, fshatin e njohur atdhedashës e arsimdashës në rrethinë tëPrizrenit. Në punën e tij arsimore, përveç dijes dhe edukimit mekulturë qytetare,  kujdes të veçantë do t’ i kushtojë frymëzimit të nxënësve me dashurinë ndaj atdheut. Për punën e tij me përkushtim, Ymeri do të gëzojë respektin e kolegeve e kolegëve, por edhe të prindërve e qytetarëve tjerë. Me qëndrimin dhe sjelljen e tij, ai do të fitojë besimin e koleges  Nermine Rruka, mësimdhënëse  e dalluar, me të cilën do të martohet dhe  do t’ i bëhet shoqe e pandarë e jetës. Lindja e dy djemve , e Arbenit dhe Driteroit, do ta gëzojë e lumturojë  këtë familje. 

Pas disa viteve, për shkak të një gjendjeje të krijuar pa dashur e pa pritur, Ymeri dhe tre vëllezërit e tij, emigrojnë në SHBA.Edhe atje Ymeri, pa kursyer asgjë nga vetja e familja, do të angazhohet dhe japë kontributin e vet për ta ndihmuar Kosovën në përpjekjet e vazhdueshme për t’ u çliruar nga pushtimi serb. Ai do të marrë pjesë në protestat e shumta të zhvilluara në SHBA kundër terrorit e krimeve të policisë serbe ndaj popullsisë shqiptare, për njohjen  e faktorëve vendimmarrës amerikanë dhe të faktorëve tjerë ndërkombëtarë me  gjendjen e rëndë me të cilën përballej Kosova nën pushtimin  serb në vitet e nëntëdhjeta e, veçmas, për fitimin e përkrahjes së këtyre faktorëve  për luftën e drejtë mbrojtëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas Betejës së Prekazit, më 5,6 e 7 mars 1998, kur  lufta e UÇK-së po hynte në një periudhë vendimtare, Ymeri do t’i ngjeshë armët për t’ i dalë zot lirisë së atdheut si amanet brezash dhe  obligim ndaj Kosovës për bukën, dijen dhe edukatën që i kadhënë. Përveç kësaj, ai ishte i vetëdijshëm se pa këtë dije dhe pa këtë edukatë , shumë më shumë djem e vajza të krahut të atdheut të tij, por edhe të krahëve tjerë të atdheut, do ishin tjetërsuar apodo të kishin emigruar!

Kur eprorët ushtarakë të Batalionit Atlantiku kishin dashur tapengonin Ymerin të mos u bashkohej për shkak të moshës , ai kishte ngulur këmbë duke u thënë: ‘’ Bash për shkak të moshës mund të mos kem më rast të luftojë për çlirimin e atdheut. Për këtë rast kam punuar dhe e kam pritur gjatë .’’  I vendosur, siç ishte gjatë gjithë jetës, kishte ardhur dhe bashkë me vullnetarët atlantikas u ishin bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i shtuar kështu faqet e ndritshme të historisë së luftërave të shqiptarëve për  një atdhe të bashkuar, të lirë e të përparuar.   

Exit mobile version