Shkruan Shaban Hasangjekaj, Martinaj, Guci
Arsimi fillor shqip në territorin e komunës së tashme të Plavës ka filluar menjëherë mbas Luftës II Botërore, kur me iniciativën e entuziastëve të atëhershëm shqiptarë të etur për dritë e dituri në gjuhë amtare, edhe përkundër rezistencës së fortë nga pushteti i atëhershëm i ngurtë, u hapën paralelet e para me mësim në gjuhën shqipe.
Kështu, në vitin shkollor 1945/46, në fshatin Vuthaj u hap paralelja e parë me mësim shqip, ku mësuesi i parë ishte Ahmet Rexhepagiqi prej Plave. Një vit shkollor më vonë, hapet edhe në fshatin Martinaj, ku mësuesi ishte pishtari i parë i arsimit shqip nga ky fshat, Jusuf Sylë Balidemaj. Ndërkohë, edhe në shkollën fillore të Gucisë hapën paralelet e para shqip të klasave të ciklit të lartë, të udhëhequra nga mësimdhënësi Ragip Abdurrahman Rexhepagiqi nga Plava. Procesi mësimor në shkollat e hapura shqip në Vuthaj dhe Martinaj është zhvilluar në lokalet e shtëpive private. Madje në Vuthaj, deri në ndërtimin e godinës shkollore, mësimi është mbajtur edhe në karakollën e ushtrisë. Në të dy shkollat e porsahapura, mësimi zhvillohej në dy ndërrime për shkak të numrit të madh të nxënësve (në Vuthaj mbi 90, në Martinaj mbi 50), që vijonin mësimin në klasën e parë (mosha prej 7 – 12 vjeç). Edhe përkundër kushteve të vështira (pa inventar dhe mjete të nevojshme për punë), entuziazmi e vullneti e mundësuan që të punohej pa pushim gjithë ditën me zell, përkushtim dhe përpikëri. Deri sa në Vuthaj ca vjet më parë u ndërtua godina e shkollës me vetëkontribut, në Martinaj objekti që ishte ndërtuar për nevojat e kooperativës bujqësore në kohën e reformës së atëhershme agrare, u shndërrua në godinë shkollore, ku mësimi shqip dhe serbo-kroatisht është zhvilluar prej vitit shkollor 1954/55 e deri më 1997/98, kur mu në themelin e saj është ngritur shkolla e re, në të cilën edhe tani mbahet mësimi vetën në gjuhën shqipe. Edhe në Vuthaj u bë gati objekti i ri për vitin shkollor 1979/80.
Nëxënsit nga Vishnjeva dhe Hoti, dy fshatrat tjera të komunës së Plavës të banuara me popullatë shqiptare, ndiqnin mësimin në gjuhën serbo-kroate në Vojno-Sellë dhe Krushevë deri që u hap shkolla shqipe. Në Vishnjevë, paralelja e parë me mësim shqip është hapur në vitin shkollor 1968/69. Mësimi është zhvillua në lokalin e një shtëpie të këtushme private, ku rreth një muaj e mbajti mësuesi Mehmet Ramë Balidemaj, deri që u pranua mësuesi i ri i përhershëm, Rexhep Bali Balidemaj, i cili për disa vite punoi në edukimin dhe arsimimin e vogëlusheve të këtij fshati, si dhe të dy fshatrave fqinje, Hakaj e Krushevë (lagja Kukaj), që në të rregullisht i vijojnë mësimet.
Ndërkaq, në Hot paralelja e parë në gjuhën shqipe u hap në vitin shkollor 1970/71. Mësimin e zhvilloi mësuesja nga Vuthajt Dushe Ramë Gjonbalaj në një shtëpi private në Hot 3 vite shkollore. Mandej u kalua në fshatin fqinj Jasenicë, po ashtu në shtëpi private, deri që u ndërtua shkolla e re në Hot (gjysmë vjetori i dytë i vitit shkollor 1974/75). Mirëpo, për shkak të shpërnguljeve dhe emigrimit të familjeve nga ky fshat dhe fshatrat fqinje Zabel dhe Jasenicë, u pakësuan edhe nxënësit dhe shkolla u mbyll mbas përfundimit të vitit shkollor 1987/88. Pesë vjet më vonë, me iniciativën e entuziastëve shqiptarë, kryesisht atyre që kanë jetuar në Hot, Zabel dhe Jasenicë, e tash banonin e punonin në Plavë dhe rrethinë, të etur që fëmijët e tyre të mësojnë në gjuhën amtare si më parë gjatë 18 vjetëve në shkollën e Hotit, Ministria e arsimit dhe shkencës të Malit të Zi dha pëlqimin në kërkesën e tyre, që pranë shkollës fillore ‘Hajro Shahmanoviq’ të Plavës të hapet paralelja me mësim në gjuhën shqipe. Në këtë shkollë, në vitin shkollor 1993/94, fillon mësimi shqip, i udhëhequr nga arsimtarja e mësimit klasor Xhufe Hasan Vuçeta, e fshatit Vuthaj. Paralelja e pandarë me 4 klasat kishte 23 nxënës, 12 prej tyre në klasën e parë.
Mësimin shqip në klasat e larta të fillores nxënësit e kanë ndjekur në shkollën fillore të Gucisë deri në fund të vitit shkollor 1955/56, kur me vendimin e regjimit të pushtetit të atëhershëm shtetëror, ndërpritet në Guci e Martinaj (jo në Vuthaj), për t’u rihapur mbas 3 vjetëve (më 1959/60). Gjatë kësaj kohe fëmijët shqiptarë nga Martinajt u detyrua që prej klasës së parë mësimin ta ndjekin në gjuhën serbo-kroate, kurse në klasat e larta edhe ata të fshatit Vuthaj. Ndërprerja e mësimit shqip në Guci e Martinaj krijoi pakënaqësi te prindit, si dhe fëmijët të cilët disa e ndërprenë mësimin në klasa të larta.
Rihapja e mësimit shqip në klasat e larta në shkollën e Gucisë karakteri-zohet me ardhjen e 3 mësimdhënësve të diplomuar në Kosovë në shkollat normale, Ramadan Gjonbalaj, Ramë Qosaj dhe Hysën Novaj, të cilët me zell dhe vullnet iu përvishen edukimit dhe arsimimit të vogëlushëve kureshtarë, të cilët mbas kryerjes së fillores, të gjithë vazhduan mësimet në gjuhën shqipe në shkollat e mesme në qendrat e ndryshme në Kosovë.
Deri në fillet e viteve 1980-ta, kur fillon emigrimi i familjeve shqiptare në botën e jashtme (kryesisht në SHBA, Evropën perëndimore, nëpër mbarë botën), për shkaqe ekonomike por edhe politike, numri i nxënësve me mësim shqip në shkollat fillore të Gucisë, e cila në vitin 1962 me vendimin e pushtetit të atëhershëm merr emrin e revolucionarit gucjan Xhafer Nikçeviqit, të cilin e mban edhe tani, dhe në tri shkollat katërklasëshe paralele të ndara të saj në Vuthaj, Vishnjevë e Martinaj, si dhe në shkollën katërklasëshe të Hotit, paralele e ndarë e shkollës fillore të Plavës, numri i nxënësve për çdo vit shkollor ka qenë në rritje. Për shembull, në vitin shkollor 1974/75, në klasat e larta me mësim shqip në shkollën e Gucisë mësimet i kanë ndjekur më se 260 nxënës (prej tyre rreth 70 vajza, 17 në klasën e tetë). Në të njëjtin vit shkollor, në klasat u ulëta të fillorës (Vuthaj, Vishnjevë, Martinaj, shkolla amë në Guci dhe në Hot) mësimet i kanë ndjekur rreth 290 nxënës. Prej viteve 1980-ta, numri i nxënësve në të gjitha shkollat e përmendura prej vitit në vit është gjithnjë më i vogël. Kjo është një brengë e madhe, preokupim i të gjitha strukturave të popullatës shqiptare në komunën e Plavës, që po trajtohet në shumë takime, tubime, simpoziume, tryeza të rrumbullakëta, ku po kërkohet zgjedhja pozitive sa më e shpejtë.
Se numri i nxënësve në shko-llat fillore me më-sim shqip në komu-nën e Plavës është në rënie e dëshmon ky vit shkollor (2010/11): në dy shkollat fillore 9-klasëshe në Plavë e Guci dhe në 3 shkollat e ndara 4-klasëshe (Vuthaj, Vishnjevë dhe Martinaj) mësimet i ndjekin 254 nxënës (prej tyre 218 në shkollën e Gucisë të sistemuara në 14 paralele mësimore të ndara, kurse 36 nxënës në shkollën fillore të Plavës të sistemuara në 2 paralele mësimore).
Në shkollën fillore të Gucisë, që është bartëse e mësimit shqip në komunën e Plavës, ku qe 6 vite shkollore po aplikohet reforma e re shkollore 9-vjeçare, në klasat e ciklit të lartë (V-IX) mësimin e ndjekin 128 nxënës në 8 paralele mësimore, kurse në ato të ciklit të ultë (I-IV) – 21 nxënës në 2 paralele të kombinuara mësimore më nga 2 klasë. Në të gjitha shkollat fillore 4-klasëshe në fshatra punojnë nga 2 paralele mësimore me nga 2 klasë të kombinuara (Vuthaj 26 nxënës, Vishnjevë 18, Martinaj 25). Në shkollën fillore ‘Hajro Shahmanoviqi’ të Plavës mësimet shqip i ndjekin 36 nxënës në 2 paralele të kombinuara me nga 2 klasë.
Së numri i nxënësve po zvogëlohet pa ndërpre e dëshmon regjistrimi i fillestarëve në klasën e parë, gjithsej 25 (në Plavë 10, Guci 6, Vuthaj 3, Vishnjevë 4, Martinaj 2). Krahasuar me vitin shkollor 1974/75, numri i nxënësve këtë vit shkollor është 46.18% më i ultë. Në këtë vit shkollor në komunën e Plavës mësimin shqip e zhvillojnë 10 profesorë, 4 arsimtarë dhe 3 mësimdhënës të pakualifikuar.
Mbas kryerjes së shkollës fillore në Guci, nxënësit kryesisht i vijojnë mësimet shqip në shkollën e mesme të përzier ‘Beqo Bashiqi’ në Plavë