Zgjedhjet e nesërme në Mal të Zi, sa deputetë pritet të marrin partitë shqiptare?

Ditën e djeshme u mbyll fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të së dielës në Malin e Zi dhe sot vendi ndodhet zyrtarisht në heshtje zgjedhore.

Partitë shqiptare garojnë në dy koalicione të ndryshme politike në zgjedhjet parlamentare të 11 Qershorit, “Forumi Shqiptar” dhe “Aleanca për Shqiptarët” .

Bekim Çobo, analist nga Mal i Zi tha në një intervistë për Euronews Albania se lëvizja Europa e presidentit Milatoviç pritet të marrë shumicën e numrave, edhe pse do t’i duhet ndihma e partive të tjera për të formuar qeverinë.

Çobo u shpreh se partitë shqiptare pritet të marrin deri në 2 mandate edhe pse nuk është çudi që mund të përfundojnë vetëm me 1.

“Pritet që shqiptarët të kenë sërish 2 përfaqësues, por mund të ndodhë të përfundojnë edhe me 1. Shpresojmë të kenë 2 që të jenë pjesë e bisedimeve për formimin e qeverisë së ardhshme. Edhe pakicat e tjera pritet të marrin një numër të konsiderueshëm të mandateve. Pakicat me shumë mundësi do jenë ato që do të vendosin për formimin e qeverisë së ardhshme”, tha Çobo.