Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, më 19 mars

Kryetarja e Kuvendit të Malit të Zi, Danijela Gjuroviq, ka shpallur zgjedhjet presidenciale për 19 mars, bëhet e ditur në ueb faqen e Kuvendit.

“Duke pasur parasysh se nga dita e shpalljes deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale  nuk mund të kalojnë më pak se 60 ditë dhe as më shumë se 90 ditë,  dhe duke pasur parasysh se në prill janë festa të mëdha fetare, data më e përshtatshme dhe adekuate për mbajtjen e tyre është data 19 mars 2023”, thuhet në njoftim.

Po ashtu theksohet se çështja e mbajtjes së njëkohshme të zgjedhjeve presidenciale me ato parlamentare, temë e diskutuar mjaft kohët e fundit,  nuk varet nga kryetarja i Kuvendit. Në mënyrë që Kuvendi të miratojë vendimin për shkurtimin e mandatit, ai duhet të propozohet nga të paktën 25 deputetë dhe të votohet nga të paktën 41 prej tyre, e pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ato duhet të shpallen nga Presidenti i vendit.