Më 16 maj të vitit 1999 në rrethana ende të pa ndriçuara është zhdukur Ukshin Hoti.Veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, profesori Ukshin Hoti ka lindur më 17 Qershor të vitit 1943 në fshatin Krushë të Madhe të Rahovecit. Ishte profesor,shkrimtar, filozof, intelektual, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare gjatë viteve 1981-1999. Ukshin Hoti ka qenë edhe ligjërues ne disa universitete të Amerikës ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar. Për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Milosheviqit. Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundra Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’ rast ishte dënuar 5 vjet burg. Më 16 Maj të vitit 1999 pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë. Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve. Prej asaj kohe e deri tani, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, magjistri, filozofi, shkrimtari, publicisti, atdhetari i përkushtuar, Ukshin Hoti edhe sot e kësaj dite konsiderohet ende i zhdukur.