Aleksander Daboviq nga radhët e DPS-it zgjedhet kryetari i ri i Komunës së Ulqinit

Sot në Ulqin në seancën të parlamentit lokal u bë zgjedhja e kryetarit të ri të komunës së këtij qyteti.

Aleksander Daboviq nga radhët e DPS-it u zgjodh kryetar i ri i cili fitoi 20 vota nga 33 të mundshme.

Ai në këtë funksion zëvendësoi Loro Nrekiqin, i cili pas mbushjes së moshës 67 vjeçare, duhej të shkonte në pension.

Për zgjedhjen e Daboviq si kryetar i Komunës së Ulqinit votuan 20 këshilltarë nga radhët e subjekteve politike shqiptare; PD, UDSH, LD në MZ të ndjekur nga këshilltarët e subjektit të tij DPS, këshilltarëve nga Socialdemokratet dhe nga Partia Boshnjake.

Këshilltari i URA-së, abstenoi kurse 6 përfaqësuesit e Forcës votuan kundër.
Kohë më parë Forca e re Demokratike doli nga koalicioni i madh në Ulqin, ndërsa kryetari i Kuvendit të Ulqinit, Ilir Çapuni dha dorëheqje.

Daboviq në tre vitet e kaluara ushtroi funksionin e kryearkitektit të qytetit.

Vlen të ceket se subjektet politike shqiptare edhe kësaj radhë kishin mundësi të zgjedhin kryetarin e komunës nga radhët e veta, por si duket subjektet shqiptare ende vazhdojnë të përkrahin kandidatin nga DPS, në dëm të subjekteve të veta.