SHQIPTARËT DUHET TË BASHKOHËN
Kryesia e Alternativës Shqiptare, e kryesuar nga kryetari Nik Gjeloshaj, sot me datën 20 shkurt, në Tuz mbajti mbledhjen e radhës!
Në takim u diskutuan shumë çështje të rëndësishme, me fokus të veçantë në bashkëveprimin e subjekteve nacionale, për proceset politike që pasojnë!
Në mënyrë të detajuar u diskutua për zgjedhjet e ardhshme lokale në Guci, si dhe për ato parlamentare që mendohet të mbahen në të njëjtën datë, në tetor të këtij viti.
Kryesia konstatoi se koalicioni shqiptar në Tuz funksionon shumë mirë dhe se rezultatet e kësaj qeverisje lokale janë të dukshme çdo ditë e më shumë.
Një nga përfundimet e mbledhjes së Kryesisë mbetet përkushtimi maksimal i Alternativës Shqiptare, me të gjitha strukturat e veta për bashkëveprimin dhe unifikimin e faktorit shqiptar për këto procese të rëndësishme!
Përkushtimi jonë primar mbetet fuqizimi i Forumit Shqiptar si një subjekt unik dhe më i fuqishëm politik i shqiptarëve në Mal të Zi.
Andaj apelojmë te subjektet simotra, që të mbështesin këtë ide dhe sa më parë të ulemi të gjithë bashkë, me të vetmin qëllim bashkimin e faktorit shqiptar në një listë të vetme për këto procese!
Po dëshmohet me vepra se modeli i Tuzit duhet të jetë shembull për të gjithë shqiptarët në Mal të Zi dhe më gjerë. Vlerësojmë që vetëm në këtë mënyrë, dhe me ndihmën e diasporës mund të arrisim aspiratat tona politike, në të gjitha nivelet kudo jetojnë shqiptarët në Mal të Zi.
Me respekt,
Alternativa Shqiptare