Apel i Ekipit për mbrojtje dhe shpëtim të Komunës së Plavë

ME PËRGJEGJËSI TË PLOTË TË ZBATOHEN MASAT DHE REKOMANDIMET E MINISTRISË SË SHËNDETËSISË

Plavë – Në takimin e Ekipit për mbrojtje dhe shpëtim të Komunës së Plavës, të mbajtur të mërkurën, më 1 prill 2020, në sallën e vogël të Qendrës për kulturë “Husein Bashiq” të Plavë, e dedikuar për seanca, takime dhe tubime të ndryshme, është konstatuar se deri më tani nuk është shënuar asnjë rast i ndonjë personi të prekur (infektuar) me koronavirus në Komunën e Plavës. 67 persona gjenden në vetizolim, kurse masat dhe rekomandimet e Trupit koordinues nacional në luftë kundër sëmundjeve infektive dhe Ministrisë së Shëndetësisë të Malit të Zi, respektohen në përqindje të lartë.

          Të gjitha objektet publike: i Komunës, Shtëpisë së shëndetit, Gjykatës themelore, Qendrës për kulturë, Kopshtit të fëmijëve, MPB-së dhe i atyre private në të cilat kryhen aktivitete të caktuara ekonomike, janë dezinfektuar kohë më parë, kurse dezinfektimi i serishëm i tyre planifikohet për vikend, në periudhën e ndalesës së daljes së qytetarëve nga objektet e banimit.

          Shërbimet relevante kompetente të komunës, ditët e ardhshme do të bëjnë inspektimin dhe kontrollimin shtesë të subjekteve ekonomike, të cilat merren me shitje me pakicë, me distribuim të ushqimit dhe bukëpjekje, për të verifikuar dhe konstatuar të punësuarit a i respektojnë udhëzimet e rekomandimet dhe a i bartin pajisjet mbrojtëse në vendet e punës.

          Në takim është lavdëruar publikisht efekti kontribuues i Kryqit të Kuq dhe i vullnetarëve të shumënumërt, të cilët në ditët paraprake bashkëqytetarëve që janë në situatë nevoje u kanë mundësuar blerjen e artikujve ushqimor, medikamenteve dhe nevojave të tjera të cilat në këtë moment u janë të domosdoshme.

          Ekipi komunal për mbrojtje dhe shpëtim, u ka bërë apel bashkëqytetarëve me vëmendje dhe përkushtim t’i përcjellin të gjitha udhëzimet dhe rekomandimet e Trupit koordinues nacional në luftë kundër sëmundjeve infektive dhe të kuptojnë me plot seriozitet masat e reja të përkohshme që u përkasin ndalesës së daljes nga objektet e banimit prej orës 19 deri në ora 05, prej të hënës deri të premten dhe prej orës 13 të ditës së shtunë deri të hënë në ora 05. Në të kundërtën do të merren në proces nga organet relevante kompetente. Përjashtim nuk do të ketë.

Shaban Hasangjekaj, gazetar dhe publicist