Sali Berisha
Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar pasi Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, u rrëzua nga pushteti mbrëmë, duke thënë se u shkarkua me të drejtë nga Parlamenti i Malit të Zi.
Sipas Berishës, Abazoviqi bëri historinë, por se gabimi i tij fatal ishte marrëveshja me Kishën Serbe.
“Miq, Dritan Abazoviç bëri histori. Pas Mark Milanit gjeneralit, vojvodës së Malit të Zi me origjinë shqiptare të mirënjohur për betejat e tij kundër shqiptarëve dhe kujtimet e tij pro-shqiptare, Abazoviç është personaliteti i dytë më i rëndësishëm dhe kryeministri i parë shqiptar i Malit të Zi. I ri, energjik pro-europian e kam pritur mirë emërimin e tij në atë post. Por mjerisht Dritanit në detyrë siç thotë populli ynë një fjalë i peshoi bishti (viçi) më rëndë se koka. Në një gabim fatal firmosi një marrëveshje me Kishën raciste të Serbisë në kundërshtim flagrant me interesat, pavarësinë e Malit të Zi dhe interesin e shqiptarëve në vendin fqinj, marrëveshje që nuk e firmosi as paraardhësi i tij serb”, ka shkruar Berisha.
Theksojmë se, pas dymbëdhjetë orë diskutimi, Kuvendi i Malit të Zi ka votuar mosbesimin ndaj Qeverisë së Dritan Abazoviqit, një orë pas mesnatës së 20 gushtit.
Qeveria është rrëzuar me 50 vota për dhe një kundër.
Për rrëzimin e qeverisë ishin të nevojshme votat e të paktën 41 deputetëve, nga gjithsej 81 sa janë në Kuvend.
Tash e tutje qeveria e Abazoviqit do të funksionojë në mandat teknik deri në zgjedhjen e qeverisë së re.