Si qytetar e, veçmas, si punëtor shumëvjeçar i arsimit, përpos periudhës kur kjo punë më është pamundësuar dhe ndaluar, po e përcjell, me shqetësim, për shumë arsye, rrjedhën dhe përmasën kohore të grevës së punëtorëve të arsimit dhe të çerdheve.
Ndonëse me vite të tëra është folur, shkruar e faktuar se qarqe e vetje të caktuara, përveç tjerash e kanë gllabëruar pronën publike dhe buxhetin e shtetit, s’ kam mundur ta marr me mend se edhe shumica e punëtorëve të arsimit, të nxitur nga po ato qarqe e vetje, do të pajtohen e cenojnë rëndë të drejtën themelore për shkollim të fëmijëve e të rinjve që u besohen. Mosmbajtja e mësimit për mbi treqin e njëzet mijë nxënës tani, në kohën kur për herë të parë pas më së një shekulli, na është dhënë mundësia të punojmë të lirë e të pavarur falë sakrificës së brezave e brezave, të kurorëzuar me fitoren e luftës heroike të UÇK-së, është komprometim i arsimit shqip.
Duke marrë parasysh gjendjen e përgjithshme nëpër të cilën ka kaluar e po kalon shteti ynë, kërkesat e SBASHK-ut për shpërblim shtesë, të diferencuar nga kategoritë tjera , e komprometon vetëdijen shtetformuese të arsimtarëve.
Kërkesa e SBASHK-ut për të vazhduar grevën, me arsyetimin se ” Qeveria nuk po reflekton” , nënkupto, nuk pajtohet të shkel ligjin e t’ u paguajë, krahas rrogës, edhe nga 100 euro , në emër të përballimit të kostos së jetesës të rënduar nga kriza globale, thua se kriza nuk i ka goditur edhe kategoritë tjera, është fyerje e dinjitetit dhe e etikës së mësimdhënësve
Nuk e di nëse janë të vetëdijshëm mësimdhënësit për atë se çfarë mesazhi u japin miqve dhe armiqve tanë me lënien e stërzgjatur tê nxënësve jashtë bankave të shkollës për shkak të mosplotësimit të kërkesave të padrejta.
Është obligim qytetar e moral i gjithë atyre që kanë sakrifikuar e vazhdojnë të jenë të gatshëm të sakrifikojnë që Kosova të jetë shtet i përparuar demokrat, të ngrenë zërin dhe të marrin masa të arsyeshme për tejkalimin e gjendjes së krijuar dhe t’ i japin fund viktimizimit të fëmijëve e rinisë sonë nga qarqe e vetje të papërgjegjshme.
Është obligim i punëtorëve të arsimit t’ i kthehen punës e të mos vazhdojnë t’ i nxijnë edhe më faqet e historisë së arsimit shqip, çfarë s’ ka ndodhur më parë, se, pastaj, s’ besoj se do të mund t’ i shlyejnë më.