Bruno, thjesht të gjithë e njohin me emrin Bruno. Por t’i pyesësh shqiptarët e zonës metropolitane të Nju Jorkut ose edhe në krejt SHBA-në nuk e dinë se ku t’ia fillojnë për Brunon. Një gjysmë shekulli dera e Brunos ka qenë e hapur për të gjithë në stilin e atyre malësorëve të vjetër të Nokshiqit, që fatkeqësisht kanë mbetur pak.
Sikur bujkun e thjeshtë të Vuthajve apo presidentin Shqipërisë, të gjithë Bruno karizmatik i ka pritur me një buzëqeshje të thjeshtë e me fjalët “ Mirë se t’ka pru Zoti”. Respekti ndaj shefit shumëvjeçar të restorantit Teddy Anderson ishte në të njëjtin nivel me atë të “bossboy” nga Rugova apo Shkodra.
Restoranti i Brunos, jo vetëm që ishte një vendtakim i shumë e shumë mbledhjeve më rëndësi për kombin tonë, por në fakt ishte një mini Shqipëri Etnike, në rrugën 58, në zëmër të Nju Jorkut.
Por kush është Bruno? U takuam në Gucinë tonë dhe në stilin e gucianëve duke pirë kafe na ndërpritnin njerëz, njëri pas tjetrit, vetëm për ta përshëndetur dhe për të ia shtrënguar dorën Brunos legjendar. Bruno për mua është shok, komshi e bashkudhëtar i veprimtarive politike në SHBA, e zemra më bëhet mal, kur e shoh nderin dhe respektin që njerëzit kanë për të.
Një ndër 9 fëmijët e Bajram Mujit të Mujbardhajve prej Nokshiqit, si dhe djali më i madh, Bruno ishte nxënës në shkollën 8 vjeçare të Gucisë në gjuhën serbokroate dhe pasi që në Guci nuk kishte shkollë të mesme dhe ishte i
etur për dituri vendosi të merrte një hap më radikal për t’u shkolluar në gjuhën amtare. Më 14 Mars 1968, në moshën 16 vjeçare u la një letër të thjeshtë babës dhe nënës në dollap, se po shkon në Shqipëri dhe me një kmesë në dorë kaloi kufirin nga Gërnçari në Vermosh dhe u dorëzua tek ushtria shqiptare. Ata e veshën me uniformë ushtarake dhe u nisën për Tamarë nëpër borë. Dy ditë rrugëtim. Në Tamarë e mori një xhip ushtarak dhe e dërguan në Shkodër.
Gjatë rrugëtimin nëpër borë, Bruno ishte sëmurë dhe përfundoi në spital për shtatë ditë nën vëzhgimin e policisë 24 orë në ditë. Qeveria i premtoi shkollimin dhe punën me një konditë. Ta nënshkruajë një dokument që mos
të kthehet kurrë në vendlindje. Bruno refuzoi, sepse e mendoi si të jetonte pa e parë familjen e tij kurrë më. E deportuan për ish-Jugosllavi. Për çudi qeveria nuk e bezdisi shumë, por në shkollë kishte probleme. Ai tregon rastin me
mësuesin e matematikës Vlado Dragoviq, i cili i kishte dhënë 1 në Matematikë dhe pas disa ditësh mësuesi pyeti a ka kush që do ta përmirësojë notën dhe siç thotë Bruno, “unë e çova dorën e mësuesi m’u përgjigj, ti shko te
Enver Hoxha e përmirësoje notën atje.
Në vitin 1970 Bruno vendosi të shpërngulet në SHBA te daja Nimon Gjonbalaj. Qëndroj nëpër kampet e Italisë për gjashtë muaj dhe më në fund u gjet në botën e premtuar. Punoj disa muaj në një fabrikë të ashensorëve dhe pastaj filloi në një restorant duke larë pjata, pak nga pak arriti deri në pozita të larta në restorante. Mikpritjen dhe ushqimeti kishte pothuajse në gjak. Si fëmijë thotë gjyshja ime Bjeshka, më dërgonte në Guci së bashku me kushëririn tim Xhevatin të shesim kos me “bokalla”. Në vitin 1974 Bruno me djersë e me shumë mund mbajti premtimin që i
kishte dhanë vetit dhe u bleu familjes shtëpi në Guci dhe u shpërngulën nga fshati në qytet.
Në vitin 1977 hapi restorantin e tij të parë me kuzhinë italiane “ La Triestina” Pas një viti e shiti dhe në vitin 1978 hapi restorantin “Bruno” që ekziston edhe sot. Ndërtesa në rrugën 58 u bë pronë e tij. Në katin e parë dhe të dytë
gjendet restoranti, ndërsa në katin e tretë jeton Bruno me familje. 10 vite para luftës në Kosovë hapi restorantin e dytë “Opus Two” të cilin e mbylli me fillimin e luftës dhe u shndërrua në zyrat e “Kosova Relief Fund” me një numër të
madh të vullnetarëve që ditë për ditë punonin për ta ndihmuar popullin e Kosovës. Një ndër ata vullnetarë të zellshëm ishte edhe kryetari i sotëm i Prishtinë z. Përparim Rama.
“Na thuaj një moment me rëndësi te restoranti”, e pyetëm Brunon. “Vështirë ta ndaj një moment” thotë ai. “Për shembull, aty është krijuar Liga Qytetare Shqiptare Amerikane me Joseph DioGuardin. Kemi qenë gjashtë persona që e kemi filluar ketë lëvizje të rëndësishme. Aty u organizua vizita në Kosovë e ashtuquajtur Vija E Kuqe me Senatorin Bob Dole dhe Xhim Xhemen. Aty për një natë u mblodhën 1,620.000 dollar për UÇK-në, pra ka shumë kujtime të rëndësishme”.
Shumë njerëz kanë kaluar nëpër dyert e Brunos. Ismail Kadare, Mark Krasniqi, Anton Çeta, Bajram Kelmendi, Agim Vinca, Dr.Ibrahim Rugova, Hasan Mekuli, Gjelosh Gjokaj, Wesley Clark, Bob Dole, Thomas Lantos,
William Walker, Hillary Clinton, Senatori Alfons D’Amato, Senatori Larry Presler, At Antonio Bellushi e shumë e shumë tjerë.
Me 2 dhe 3 tetor Bruno Selimaj është i ftuar të marrë çmimin Athanas Award në Berlin të Gjermanisë në Global Albanian Gastronomy Festival dhe e pyetëm për Anthony Athanas legjendën e gastronomisë botërore.
Në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar Anthony Athanas kishte restorantin më të suksesshëm në SHBA, Anthony’s Pier 4 me një pazar rreth 12 milion dollarë në vit. E pyetëm Brunon se a do të shkojë në Berlin dhe se a e kishte njohur
ndonjëherë z. Anthony Athanas. Patjetër se do të shkoj, tha ai, e Athanasin e kam pas shok, mik, koleg dhe mbi të gjitha bashkatdhetar. Ne i vizituam tokat shqiptare së bashku dhe një rast me ka mbetur në zemër, bile thellë në zemër.
Kur e kaluam kufirin Maqedoni- Kosovë Anthony Athanas i tha shoferit të autobusit që ta ndalonte autobusin. Doli jashtë, u ul në gjunjë dhe e puthi tokën e Kosovës. Ku janë tani Fan Noli e Faik Konica ta shohin djalin e tyre në tokën Dardane.
Ishte një moment shumë emocionues për të gjithë.
E pra, ky është shkurtimisht Bruno Selimaj