Mali i Zi nuk do të dëmtohej nëse do të kishte më shumë gjuhë zyrtare, por në këtë moment nuk duhet të theksohen tema për të cilat është e vështirë të arrihet një konsensus, tha nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi Nikollë Camaj për Radion e Malit të Zi.
Çështja e gjuhës serbe, gjegjësisht njohja e saj si gjuhë zyrtare në vend të gjuhës në përdorim zyrtar, po ngrihet gjithnjë e më shpesh në opinion nga radhët e shumicës parlamentare.
Deklarata e fundit për këtë temë vjen nga kryetari i Kuvendit Andrija Mandiq.
Për një nga mediat e Beogradit, Mandiq ka bërë të ditur se gjuha serbe nuk mund të trajtohet si gjuhë e dorës së dytë me Kushtetutë dhe se shpallja e saj si gjuhë zyrtare në Kushtetutën e Malit të Zi është një proces që vazhdon.
Nënkryetari Camaj, beson se aty ku konsensusi është i vështirë për t’u arritur, nuk duhet theksuar çështjet identitare.
“Edhe çështja e gjuhës edhe ajo e nënshtetësisë janë tema shumë interesante që ne shqiptarët në Mal të Zi t’i zgjidhim ndryshe nga siç janë tani, por për të qenë parimor deri në fund, nuk do të ishte keq që këto çështje të prisnin një kohë tjetër”, thotë Camaj.
Megjithatë, Camaj nuk sheh asgjë të keqe që të ketë më shumë gjuhë në përdorim zyrtar, por vëren se çështja duhet të zgjidhet me kujdes dhe në kohën e duhur.
“Të kesh më shumë gjuhë në përdorim zyrtar ose gjuhë zyrtare në Mal të Zi nuk do ta dëmtonte Malin e Zi më shumë se sa dëmton Zvicrën që ka tre gjuhë zyrtare. Kështu që unë mendoj se kjo çështje duhet të zgjidhet, por është çështje marrëveshjeje dhe mendoj se mund të zgjidhet edhe me konsensus, por jo ndoshta në këto kohë kur çdo çështje që ka të bëjë me zgjidhjen e një çështjeje kombëtare në Mal të Zi prodhon distancim nga njëri-tjetri. Ne ende duhet të punojmë në atë që aktualisht na afron,” theksoi Camaj.