Çelaj: Lëvizja për Guci realizoi dhjetëra projekte gjatë vitit 2025:

RAPORT I PUNËS DHE INVESTIMEVE NGA LËVIZJA PËR GUCI GJATË VITIT 2025

SI PJESË E QEVERISJES LOKALE

Guci – Nënkryetari i Komunës së Gucisë, Asdren Çelaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka publikuar një përmbledhje të projekteve dhe investimeve të realizuara gjatë vitit 2025, si pjesë e qeverisjes lokale.

Sipas Çelajt, subjektit politik të cilit i përket, Lëvizja për Guci, i atribuohet një numër i madh projektesh konkrete që kanë ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme në komunë, veçanërisht në aspektin infrastrukturor, kulturor, sportiv dhe të punësimit.

Në raport përmenden investime të rëndësishme në infrastrukturë rrugore në Vuthaj, Kukaj, Martinaj, Vishnjevë, Gërçarë, Kolinë dhe zona të tjera, përfshirë asfaltimin e rrugëve lokale dhe kryesore, zgjerimin e akseve rrugore, ndërtimin e mureve mbrojtëse dhe vendosjen e sinjalistikës dygjuhëshe.

Po ashtu, gjatë vitit 2025 janë realizuar projekte me rëndësi kulturore dhe institucionale, si asfaltimi i hapësirave rreth Shtëpisë së Kulturës dhe varrezave në Kukaj, organizimi i koncerteve dhe manifestimeve në gjuhën shqipe në sheshin e Ali Pashë Gucisë, si dhe angazhimi për herë të parë i një përkthyesi profesional në Kuvendin Komunal.

Në raport theksohet edhe blerja e objektit të ish-fabrikës në vlerë prej 800 mijë eurosh, i cili do të shndërrohet në sallë moderne sportive, si investim i drejtpërdrejtë për rininë dhe sportin.

Ndër projektet strategjike të përmendura janë edhe shpallja e tenderëve për rrugën Guci–Krushevë–Vojnosellë, si dhe projektimi i rrugës me dy korsi dhe urës së re në drejtimin Martinaj–Vishnjevë.

Gjithashtu, sipas Çelajt, gjatë vitit 2025 janë hapur vende të reja pune, është ndërtuar parking publik në Guci, ka filluar renovimi i Stadiumit të Qytetit, është rregulluar stacioni policor dhe po zhvillohen punime për shtegun e këmbësorëve në Dosugje.

Në mesazhin përmbyllës, Çelaj thekson se viti 2025 ka qenë vit i punës intensive dhe projekteve të realizuara, duke shtuar se edhe në vitin 2026 Lëvizja për Guci do të vazhdojë me projekte të reja zhvillimore në të gjithë territorin e komunës.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të z. Çelaj: