Deli Balidemaj: Mërgata nuk e ka braktisur kurrë Kosovën

Nga Deli Balidemaj, Këshilltar në Bashkinë e Munihut – Gjermani

Mërgata kosovare e di më së miri çfarë do të thotë të lësh gjithçka pas. Jo nga dëshira për luks apo rehati, por nga frika, lufta dhe nevoja për mbijetesë.

Shumë bashkatdhetarë tanë jetojnë prej dekadash larg Kosovës. Ata kanë punuar me ndershmëri, kanë krijuar familje, janë integruar në shoqëritë perëndimore dhe kanë ndërtuar jetë të suksesshme. Por, pavarësisht distancës, një pjesë e zemrës së tyre ka mbetur gjithmonë në Kosovë. Sepse atdheu mund të lihet fizikisht, por kurrë nuk harrohet shpirtërisht.

Pikërisht për këtë arsye, sot mërgata ndien më shumë shpresë se në shumë vite më parë. Kosova, më në fund, duket se është futur në një rrugë më serioze drejt Evropës dhe Perëndimit — me parime më të qarta, me dinjitet shtetëror dhe me përpjekje konkrete për ndërtimin e një shteti ligjor.

Kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti, nuk e ka zgjedhur këtë rrugë për populizëm apo për të qëndruar në pushtet me çdo kusht. Shumë qytetarë besojnë se vendimet e tij burojnë nga bindja se Kosova mund të ketë të ardhme të sigurt vetëm duke luftuar korrupsionin, varësitë politike dhe strukturat e vjetra që për vite e kanë mbajtur peng zhvillimin e shtetit.

Për herë të parë pas një kohe të gjatë, shumë njerëz kanë ndjesinë se Kosova nuk po administrohet vetëm për të kaluar ditët apo mandatet, por se po bëhet një përpjekje reale për të ndërtuar një shtet për të cilin gjeneratat e ardhshme do të krenohen.

Dhe pikërisht për këtë arsye, zëri i mërgatës sot është më i rëndësishëm se kurrë. Sidomos në një kohë kur bllokadat politike po e shtyjnë vendin drejt krizave të reja institucionale dhe zgjedhjeve të mundshme, shpresa nuk duhet të heshtë.

Kosova sot ka nevojë për qytetarë që nuk dorëzohen nga lodhja, por që ngrihen nga dashuria për atdheun.

Mërgata ka qenë gjithmonë pranë Kosovës në momentet më të vështira — gjatë luftës, në rindërtim dhe në çdo krizë kombëtare. Edhe sot ajo bart përgjegjësi historike.

Jo vetëm përmes ndihmës ekonomike apo mbështetjes morale nga larg, por edhe përmes zërit dhe votës së saj.

Sepse Kosova, sot më shumë se kurrë, ka nevojë për njerëz që besojnë në një shtet evropian, të drejtë dhe të fortë.

Dhe shumë prej tyre besojnë se Kosovës i duhet vazhdimësia e udhëheqjes së Albin Kurtin.