Dinosha i drejtohet Abazoviqit: Ka ardhur koha ta shpëtosh Malin e Zi

Ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha i është drejtuar me një letër publike liderit të koalicionit “E zeza në të bardhë”, Dritan Abazoviq.

Letër e hapur Dritan Abazoviqit

Të ka ardhur dita ta shpëtosh Malin e Zi

I dashur Dritan,

Po të drejtohem, pa persi, në emrin tim personal, si mik i babait tënd të ndjerë dhe si shqiptar i cili para teje ka pasur beteja në skenën politike të Malit të Zi.

Po të drejtohem sepse të ka ardhur dita (kucnula URA) për ta shpëtuar Malin e Zi.

Pas zgjedhjeve parlamentare të së dielës, URA jote determinon përbërjen e ardshme të Qeverisë së Malit të Zi. Por, determinon edhe mbrojtjen ose zhdukjen e Malit të Zi të pavarur.

Ndoshta më shumë se UNIONI im ( Unioni Demokratik i Shqiptarëve) që ka determinuar logjistikën minoritare që Mali i Zi ta rikthente pavarësinë dhe të bëhej shtet sovran e ndërkombëtarisht i njohur.

Po të drejtohem sepse po dëgjoj se të është mbushur mendja që qeverinë e re ta krijosh me ata të cilët nuk janë të lumtur që është krijuar Mali i Zi i pavarur, që nuk e njohin atë, të cilët e shohin vetëm si Spartë serbe.

Nga ana tjetër, e di se ti e don Malin e Zi. Ndoshta më tepër se unë. Sepse, unë e dua Shqipërinë më shumë se ti.

E di se që të dy kemi qenë të lumtur në ditën e shpalljes së rezultatit të Referendumit me 21 maj 2006.

Unë sot jam krenar, që si njëri prej liderëve shqiptarë kam ndikuar në atë rezultat. Ti nesër do të mund të ishe krenar që si “politicien qytetar” në mënyrë vendimtare do të ndikoje që ky rezultat të vazhdojë të jetojë.

Por, i dashur Dritan, këtë mund ta bësh vetëm nëse heq dorë nga qëllimi yt. Vetëm nëse ujdi bën me kundërshtarin tënd më të madh politik.

Pse ta them këtë?

Për arsye se në kohën time unë jam sjellë ashtu. Dhe nuk jam penduar.

Z. Millo Gjukanoviq në vitet e 90-ta të shekullit të shkuar ka qenë kundërshtari im më i madh politik, sepse sulmonte më së shumti trupin tim zgjedhor, por ka qenë edhe partneri im më i madh politik, sepse pa të nuk mund të merrej rruga e rikthimit të pavarësisë së Malit të Zi. E pa të, nuk do të zbardhte dita as për malazezët, as për shqiptarët.

Për këtë arsye, e kam përkrahur me zemër në zgjedhjet e para presidenciale në fund të viteve të 90-ta, pasi që ai ishte distancuar nga politikat e Sllobodan Millosheviqit. Për këtë arsye e kam përkrahur me zemër në fillim të viteve 2000, per të krijuar logjistikën për shumicën e referendumit, për këtë arsye kam bërtitur deri ne kup të qiellit në mitingun përfundimtar se të gjithë shqiptarët do të përkrahin pavarësinë e Malit të Zi, sespe ai është edhe shtet i tyre.

Ashtu edhe u bë. E di me siguri se ishe në mesin e tyre.

Nuk ishte pushteti malazez as atëherë, e nuk është as sot pa mangësi. Por, është dashur e duhet edhe sot q t’ia vëmë mirë gishtin kokës se me kë duhet të zvogëlohen ato mangësi, pasi që është vështirë të eleminohen.

I kam folur Millo Gjukanoviqit për ato mangësi dhe lëshime të pushtetit të tij karshi të drejtave demokratike të shqiptarëve publikisht, në Kuvendin e Malit të Zi. Por, edhe kam shtuar se ai do të ketë përkrahjen tonë. Sepse, i kam thënë, “pa Ju Mali i Zi do të ishte i çetnikëve”. (“Bez Vas bi Crna Gora bila Ravna Gora”).

Për këtë arsye e kam përkrahur.

Kështu do të ishte edhe sot. Së këndejmi, ti nuk do të krijosh aleancë me forcat që “Ravna Goren” e duan me shumë se “Crna Goren”.

Nuk do të shkosh atje, sepse nuk do të ta bënin hallall malazezët, shqiptarët, disa serbë, boshnjakët, myslimanët, kroatët, romët, rajoni, NATO, BE…

Kishte edhe në atë kohë nga ata që do t’më duartrokisnin sikur të mos e përkrahja. Në prag të Referendumit, kam pasur edhe ofertë që përkohësisht do të më çonte në telat e çiftelisë, vetëm sikur të pranoja që shqiptarët në prag të referenumit të ashpërsonin kursin ndaj Gjukanoviqit. Nuk e doja lavdinë e cila do ta rrezikonte pavarësinë e Malit të Zi, e me këtë edhe pavarësinë e Kosovës.

Sikur ti sot të shkoje në aleancë me kundërshtarët e Malit të Zi të pavarur do të kaloje në lakun e lahutës. Do të të lavdonin për një përdorim shefat e tu potencialë në qeverinë e Malit të Zi. Ata të cilët kanë qenë kundër pavarasisë së Malit të Zi dhe të cilët kanë bërë grevë urie kur Mali i Zi e ka njohur Kosovën e pavarur. Do të të bekonte lideri i tyre politik me fustanellë të popit, i cili e ka mallkuar Gjukanoviqin kur e ka njohur Kosovën.

Por, Dante do të të hidhte në rrethin e nëntë.

Andaj, mos shko atje, të lutem si njeri!

I dashur Dritan,

Do të kishe mirëkuptimin tim për ta rrëzuar pushtetin kohëgjatë vetëm sikur të kishe mundësi ta zëvendësoje me një tjetër i cili Malin e Zi do ta kishte në rend të parë.

Por, ta dish se as sot Mali i Zi nuk mund të ruhet pa Millo Gjukanoviqin.

Me partnerët tu potencialë nga Fronti Demokratik në pushtetin e ri, Mali i Zi do të zhdukej. Dalngadalë, por në mënyrë të paevitueshme. Ashtu si edhe ti, që do të zhdukeshe në kthesën e parë të mësymjes së tyre nacionaliste proserbe-ruse në Malin e Zi sovran.

Krijo një qeveri pro-evropiane me ata që e kanë krijuar Malin e Zi dhe të cilëve nga posti më i lartë ekzekutiv do t’iu tregoje gabimet e bëra për të cilat duhet të ketë përgjegjësi.

Sikur unë të isha kryetar i PDS-së (Partisë Demokratike Socialiste), e cila edhe këtë herë ishte lista më e fortë zgjedhore dhe pa të cilën nuk do të kishte Mal të Zi të pavarur, do të kisha bërë Kryeministër.

Para kësaj, dua të më thërrasësh për drekë, në shtëpinë tënde, siç ka bërë babai yt në kohën kur po krijoheshin logjistikat për Malin e Zi sovran e ndërkombëtarisht të njohur, të cilin, kësaj radhe, mund ta shpëtoni vetëm ti me bashkëpartiakët tuaj.

Miqësisht

Ferhat Dinosha

Leave a Comment