Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai njofton publikun se, si rrjedhojë e pakënaqësive të tij me zgjedhjet e Kuvendit të LDSH-së, të mbajtura në prill të këtij viti, ka vendosur të dorëhiqet nga subjekti politik Lidhja Demokratike Shqiptare, dega Plavë-Guci. Përndryshe, z. Çelaj është intelektual i shquar, Master i Filozofisë i diplomuar në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës dhe në LDSH ka kontribuar për një kohë të gjatë, duke mbajtur poste si nënkryetar i LDSH-së dhe këshilltarë i LDSH në Kuvendin komunal të Gucisë në disa mandate dhe në kuadër të Komunës së Gucisë ka ushtruar detyrën e Këshilltarit në Sekretariatin për administratë të përgjithshme, aktualisht është UD Drejtor i Drejtorisë për rregullim hapsinorë dhe investime.
Postimi i plotë i Asdren Çelaj:
—
Të dashur e të respektuar bashkëvendës,
Ju njoftoj se nga tani e tutje nuk do të jem pjesë e Lidhjes Demokratike Shqiptare, duke liruar postin e nënkryetarit të kësaj partie, veprim për të cilin do informoj edhe Kryetarin e partisë.
Në Prill të këtij viti u mbajt “Kuvendi zgjedhor” i LDSH- së në Guci, i cili ishte gjithçka tjetër vetëm Kuvend jo!
Çdo gjë dukej se po shkonte në rrugën e duhur, derisa dolën disa të papritura; inate, sharje e fyerje të cilat atë ditë e sot nuk i kam të qarta pse ndodhen.
Më e keqja ndodhi ditën e Kuvendit, ku gara u bë me hile, ku për delegatë u sollën njerëz nga rruga, njerëz nga subjekte tjera, emrat e disa prej të cilëve Komisioni për përgatitjen e Kuvendit i mbajti të fshehur deri në ditën e fundit!
E gjitha kjo ndodhi vetëm sa për të bërë “shumicën” dhe për të mbivotuar e eliminuar nga kryesia e partisë disa prej antarëve të cilët ishim të padëshirueshëm (pa asnjë arsye konkrete).
Na u mbyllën mundësitë e kontributit, në një kohë që ishim të gatshëm të kontribuojmë shumë, të kontribojmë maksimakisht për partinë.
Në kryesi të partisë u emëruan disa nga këta njerëz të ardhur nga rruga, të ardhur nga subjekte tjera, ndërsa aktivistët më të zjarrtë të partisë, të dëshmuar me vite, mbetën jashtë!
U veçuan emra familjesh, të cilat “nuk kishin” vota të mjaftueshme për të pasur antarë në kryesi dhe u lobua tinëzisht tek delegatët që mos të votohet emri im që të jem antar kryesie. Pse?!
Kryetari i partisë ishte mirë i informuar për të gjitha ngjarjet, dhe fatkeqësisht nuk ndërmori ndonjë hap konkret në këtë drejtim, duke lënë heshtjen të mbizotëroj.
Ndjehem shumë krenar për kontributin tim 10 vjeçar në këtë parti, ku pjesën më të madhe e kaluam si parti opozitare (pa të ardhura, pa punë, pa interese personale).
Qendrova besnik i partisë për gjithë ato vite me gjithë ofertat për punësim e privilegje nga subjektet tjera.
Asnjëherë nuk bëra tregti me besimin që ma dhanë bashkëvendasit e mi, asnjëherë nuk lobova për parti jo-shqiptare, gjë që disa “aktivistë” të partisë e bënë pa turp e me plot vullnet dhe krenari.
Për asnjë moment nuk ja ktheva shpinën partisë, qëndrova aty pa hile e me dinjitet.
Pa modesti dhe me shumë krenari e pohoj se isha një ndër akterët kyç që shqiptarët në vitin 2020 dolën në zgjedhje unik, me një listë të përbashkët dhe arritëm suksese historike.
Përsëri kontributi im do të shkoj në këtë drejtim, sepse dua që para vetës, ta shoh mirë popullin tim, ta shoh vendlindjen time duke përparuar e duke u zhvilluar.
Besoj se sukseset arrihen duke lënë mënjanë interesat personale, duke lënë mënjanë interesat e ngushta të dy a tre personave, duke lënë mënjanë interesat e dy a tre familjeve.
U bëj thirrje të gjithë bashkëvendasve, vëllezërve e motrave kudo ndodhen, që të bashkohen e të bëhën pjesë e ekipit fitues të këtyre zgjedhjeve.
Të gjithë së bashku të na përkrahin në Lëvizjen për Guci e cila do të ç’rrënjos njëherë e përgjithmonë nepotizmin, diktaturën partiake, korrupsionin e interesat e ngushta klanore e familjare të dy a tre personave.
Lëvizja për Guci është bashkim i qytetarëve të lirë të cilët nuk ka të drejtë ti akuzoj askush për asnjë tradhëti.
Kushdo që na akuzon për tradhëti, bën mirë ta shoh një herë pragun e shtëpisë së vet, ta shoh të kaluarën e vet personale e familjare.
Nuk ka lind akoma ai që mund ta njollos emrin tim as të familjes time e as të bashkëpuntorëve të mij.
Nuk i kemi hak as hile askujt mbi këtë tokë, vetëm se mundohemi me shpirt e me zemër që të japim kontribut për zhvillim e përparim të vendlindjes tonë pa asnjë interes personal a familjar.
Kurrë në jetë nuk do të kërkojmë që ndonjë shqiptar ta largojmë nga vendi i punës, veçse do kontribojmë në punësim sa më të madh të shqiptarëve, zhvillim, investime në infrastrukturë, turizëm e bujqësi.
Lëvizja për Guci nuk ka kurrfarë marrëveshje koalicioni me asnjë parti, për dallim nga “patriotët” të cilët kanë marrëveshje (kinse ta ndajnë përgjysmë postin e Kryetarit të Komunës).
Ne do të jemi çelësi për formimin e qeverisë pas datës 15 shtator.
Bashkohuni ekipit fitues sepse nuk do zhgënjeheni!
Nr. 1