Elmaz Plava lindi në Plavë më 18 maj 1902. Ishte i biri i Bejtullahut dhe i Zades. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, duke e përfunduar më 1911. Në vitin 1917, u shpërngul familjarisht në Shkodër, ku vazhdoi shkollimin në gjimnazin e qytetit dhe përfundoi studimet e mesme.
Më 1928 filloi punë si nënoficer në një repart ushtarak në Tiranë. Një vit më pas, ndoqi një kurs njëvjeçar veterinarie në Durrës dhe, pas përfundimit më 1930, u punësua si veteriner në Pogradec. Me të ardhurat e tij mbante familjen në Tiranë – nënën, motrën dhe, që nga viti 1931, edhe babanë e kthyer nga Turqia.
Më 20 qershor 1931, Elmaz Plava u martua me Hamide Ferin (bijën e Hasan Ferit). Nga kjo martesë lindën katër fëmijë, dy djem dhe dy vajza.
Nga shtatori 1942 deri në tetor 1944, ai shërbeu në Plavë si sekretar komune, ndërsa në nëntor të vitit 1944 rifilloi punën si veteriner në Shijak, ku jetoi deri në ndarjen nga jeta më 25 gusht 1965.
Gjatë 20 viteve të fundit të jetës, përveç profesionit të tij si veteriner, Elmaz Plava iu përkushtua me pasion mbledhjes së materialeve dhe dokumenteve historike për vendlindjen, duke vazhduar një punë të nisur nga i ati. Ai punoi deri në momentet e fundit të jetës për përpunimin e tyre në formën e një libri.
Sigurisht, materiali që ai arriti të hulumtojë për historinë e krahinës së Plavë-Gucisë nuk është i plotë dhe mund të përmbajë pasaktësi apo subjektivizëm në vlerësimin e ngjarjeve dhe figurave historike. Megjithatë, për nga vëllimi dhe vlera e kujtimeve të mbledhura nga bashkëkohësit e ngjarjeve, ky material mbetet i pazëvendësueshëm. Përgjithësisht, edhe sot, kur disponohet një dokumentacion më i gjerë, konkluzionet e tij vazhdojnë t’i qëndrojnë kohës.
Ndërsa mund të diskutohen disa prej koncepteve të autorit apo saktësia e disa datave historike, veprat që bazohen në kujtime dhe hulumtime mbi periudha të hershme natyrisht mbartin sfida të tilla. Megjithatë, si një e tërë, vepra e Elmaz Plavës përfaqëson një arritje të rëndësishme.
Pas një përpunimi dhe përshtatjeje të kujdesshme, duke respektuar kriteret për publikimin e materialeve të kësaj natyre, libri i tij u botua për herë të parë në vitin 1995 dhe u mirëprit nga lexuesit.
Në mbyllje të këtyre pak fjalëve kushtuar autorit dhe veprës së tij, duhet përshëndetur nisma e z. Muharem Plava për të nxitur botimin e këtij libri. Njëkohësisht, falënderoj z. S. Ahmeti për disa fotografi të ofruara për pasurimin e ilustrimeve.
Një falënderim i përzemërt shkon gjithashtu për të gjithë ata që ndihmuan në realizimin e ribotimit, i cili u vjen lexuesve me shkrime dhe dokumente të reja, si dhe me ilustrime fotografike.
Tiranë, 2002
Prof. Dr. Marenglen Verli