ËNDRRAT MUND TË BËHEN REALITET – Histori suksesi e mërgimtarëve tanë

New York 2 Mars 2018

Ëndrrat kanë të bëjnë shpesh me dëshirat e mundshme e të pamundëshme për të ndërtuar një jetë dhe një shpresë më të mirë, por shpeshherë janë përtej mundësisë së kontrollit dhe arritjes nga vet ëndërruesit. Çdo mërgimtar kur del nga pragu i shtëpisë ku u lind dhe u rrit ëndërron që një dite të arrij majat e suksesit duke besuar në vlerat dhe potencialin që posedon. Plavë guciasit të rritur në një natyrë të përkryer, dhe të rrethuar me maja të bjeshkëve të larta, po sikur në hapërimet e vegjëlisë së tyre që kurreshtja nuk i lenë të qetë, pa arritur deri te pushtimi i atyre majave të larta që i rrethonin, edhe në jetën e përditshme sikur gjenet e tyre të origjinës nuk i lanë të qetë dhe sikur u thonë që mos të ndalen pa arritur mu në majat dhe pikat më kulmore të suksesit të jetës.

Bashkëvendësit tonë Shaban Sinanaj dhe Alban Prelvukaj janë shembull i ndritshëm  se si  jetësohet një ëndërr e mërgimtarit. Sot Shabani dhe Albani janë pronarë të disa restoranteve me ekskluzive në SHBA si “Benjamin Steak House” “Manhattan NY” dhe “Hartsdale”, dhe “Tokio” në  Japoni pastaj  “Benjamin Steakhouse Prime Manhattan NY,” “The Sea Fire Grill,” Manhattan, rrjetin dhe fushën e veprimtarisë së tyre  së shpejti do ta zgjerojnë  edhe në Londër me një restorant ekskluziv.

Arritjet e tyre janë sukses mbi suksese, sepse të jesh i suksesshëm në kryeqendrën botërore New York nënkupton të jesh më i miri në qytetin me kompetitiv të botës. Diaspora shqiptare në SHBA krenohet dhe mburret me këta dy Plave Gucias sepse zemërgjerësia e tyre është shëmbëlltyrë e komunitetit tonë dhe si mirëqenia e tyre reflektohet në të mirë të komunitetit shqiptar në SHBA. Në restorantet e tyre punojnë më se 300 punëtorë shqiptar që nënkupton se më se 300 familje shqiptare sigurojnë mirëqenien e tyre duke qenë të punësuar,  por njëkohësisht  janë pjesë e të arriturave dhe suksesit të ndërsjellët. Restorantet e tyre janë ambiente të ngrohta të yjeve, të filmit, të biznesit dhe të politikes botërore, por njëkohësisht janë edhe fole shqiptarie dhe sofër mikpritje për shqiptarët nga mbarë globi. Rritja dhe fuqizimi i tyre nuk e ka qit në harresë në asnjë mënyrë vendlindjen e tyre Plavë Gucinë, por në çdo moment dhe çast ata janë prezent dhe shumë aktiv në çdo nismë, në çdo përkrahje dhe në çdo aktivitet për Plavë Gucinë dhe në të mirë të saj.

Ëndrra e Amerikës (American dream) jetësohet atëherë kur ke të bësh me njerëz të përkushtuar, të dedikuar dhe vizionarë si Shabani dhe Albani që ndërtojnë ardhmërinë dhe suksesin e tyre mbi vlera dhe kualitete të mirëfillta njerëzore.

 

Esad Gjonbalaj