Të nderuar delegatë, rugovistë, faleminderit për besimin e dhënë! (Kështu do te duhej te ishte adresimi i Lumirit pas fitores)
Sot, fillon një epokë e re për LDK-në, epoka e ringjalljes, epoka e shpresës dhe asaj frymës që e braktisëm. Sot jam i detyruar që t’u kërkoj ndjesë LDK-istëve më të përkushtuar, që me sakrificat e tyre sublime e bënë LDK-në një akademi politike, një institucion të pavarësisë, dhe një subjekt me përmasa ndërkombëtare që degët e saja shtriheshin në katër kontinente.
Më falni, LDK-istë të mi, sepse sot s’kam me çka t’ju lavdërohem e as të krenohem, sepse tash e një dekadë, LDK-ja jonë ka qenë një peng i kryetarit tani në dorëheqje, një humbëse serike pa asnjë fitore të vetme të të gjitha zgjedhjeve, humbëse e madhe e bastioneve të saja duke përshirë edhe Prishtinën.
Më falni familje të dëshmorëve të LDK-së, sepse kryetari në dorëheqje nuk këmbënguli që vrasësit të dalin përpara drejtësisë pas shume vitesh, por si kundërvlerë dhe në mënyrë dinake ai i akomodoi djemtë dhe vajzat e tyre me pozita të merituara e të pamerituara për t’ua mbyll gojën atyre, por duke i vra martirët për herë të dytë. Më falni edhe ju familja heroike e Adem Jasharit, sepse edhe pas 23 vitesh vrasësit e masakrës më të madhe të kryer ndonjëherë në Evropë edhe pas 23 vitesh janë të lirë.
Më falni gratë e Kosovës, sepse LDK-ja ime i linçoi, i përjashtoi, i përbuzi, i intimidoi dy gratë e saj më të guximshmet, sepse ata nuk i nënshtroheshin diktatit të kryetarit tash në dorëheqje, dhe paradoksalisht këto dy zonja, në zgjedhjet e fundit e përgjysmuan partinë.
Më falni diasporë, ju shpirti dhe malli i kombit, që ndatë kafshatën nga goja e fëmijëve tuaj, për t’ia dërguar Kosovës, për të mbajtur gjalle jetën dhe shpresën kundër nënshtrimit, ia mundësuat Kosovës të mbijetojë në kohë okupimi e opresioni. Ju ishit buka dhe shpresa jonë, ju ishit anembanë botës ambasadat e Kosovës për një mision të pamundur por që ju e bëtë realitet.
Me falni mërgimtarë, sepse djersa juaj që u shkarkua te Fondi 3% u abuzua keq, nga kryetari në dorëheqje, prezent këtu me ju sot, ky që shiti Dardania Bank-ën, ky që u dha fonde atyre që ishin kundër FARK-ut dhe i vranë profesionistët e mbrojtjes. Më falni, sepse ky fond i refuzohej kryetarit Rugova por jo dhe organizatave fantome.
Më fal Kosovë, sepse kryetari në dorëheqje, që struket këtu në këtë kuvend sot, që shkaktoi grusht shtet, të vetmin në botë në kohë pandemie, me ndihmën e dy komandantëve që ia siguruan votat e tradhtisë pas mesnate për një pushtet ilegjitim. Më falni, sepse ky kryetar e shndërroi LDK-në nga një parti e vlerave në një parti interesash.
Më fal të lutem LDK-ja jonë, sepse kryetari ynë në dorëheqje, Mustafa të bëri filiale të PDK-së dhe çerdhe të Thaçit, më fal pse Isa Mustafa edhe pse si humbës i zgjedhjeve, për ta bë veten kryeministër e votoi Thaçin për kryetar, duke i shkaktuar kështu vendit dëme të pariparueshme, ku ata të dy, si një dyshe e kobshme, falën territore, dhe arritën marrëveshje të dëmshme për Kosovën.
Të dashur delegatë, faleminderit për besimin tuaj që më zgjodhët kryetar, por unë sot kam një mesazh dhe një vendim të madh për ju. Ju që më porositët që të kandidoj dhe ju që më votuat, si dhe ju që e urdhëruat këtë kuvend pa përgatitjet e duhura, dhe unë, si nxënës që vij nga “komiteti” i kryetarit në dorëheqje, Isa Mustafës, nuk mund t’a pranoj votën tuaj, sepse ju së bashku me mua dhe kryetarin, ishim kontribuues fatal i të gjitha humbjeve, unë nuk mund ta pranoj votën tuaj sepse ju së bashku me mua kurrë nuk e ngritëm zërin kundër Isa Mustafës edhe pranë të gjitha atyre humbjeve dhe kësaj fatales së fundit kur u devalvuam në 12%.
Unë, më në fund e gjej kurajën që kjo fitore pa përgatitje të duhura nuk ia vlen, andaj po e shpërndaj këtë kuvend, delegatët, degët e nëndegët sepse te gjithë jemi fajtorë, sepse s’kërkuan kurrë përgjegjësi nga kryetari, derisa kryetarit Isa Mustafa të jep përgjegjësi për shume dëme që i shkaktoi LDK-së dhe shtetit. Nëse kryetari në dorëheqje, Isa Mustafa kishte për mision që t’ia shkruaj epitafin partisë, unë me këtë gjest t’imin sot dëshiroj vetëm t’ia shkruaj një elegji partisë dhe t’i japim edhe një shanse për ringjallje, përfundoi fjalimin e tij “Lumiri imagjinar.”
P.S.
Fatkeqësisht, kryetari i porsazgjedhur e propozoi Isa Mustafën, kryetar nderi të LDK-së, dhe unë në vend të urimit që desha t’ia drejtoj Lumirit, për ketë gjest të tij ndjej indinjatë.