Fshati Kukaj – Vuthjanët e vjetër

Mes gjelbërimit të dendur dhe hijeve madhështore të Alpeve Shqiptare, aty ku ajri është i pastër dhe zërat e maleve përzihen me rrjedhën e lumit të Luçës, shtrihet fshati Kukaj. Është një vend ku historia dhe peizazhi ecin dorë për dore – një vendbanim shqiptar që ruan kujtesën e brezave dhe krenarinë e fisit. Nga lindja, malet ngrihen si mure të gjalla, ndërsa perëndimi i lë vend ujërave të qeta të lumit. Veriu e lidh fshatin me Vishnjevën dhe Hakajt, ndërsa jugu i hapet miqësisht familjeve Bekteshaj dhe Radonçiq. Një nga dy rrugët kryesore që lidh Plavën me Gucinë kalon këtu, duke i bërë Kukajt jo vetëm një vatër banimi, por edhe një nyje lidhëse mes vendbanimeve të luginës. Përmes Vishnjevës, banorët e Kukajve mund të lidhen përballë me fshatin Martinaj, ndërsa një pjesë e madhe e tokave shtrihet nga njëra anë e luginës së Luçës në tjetrën, pasojë e zgjerimit të madh të vëllazërisë.

Nga Altin F Kukaj

Historia e Kukajve është e gdhendur thellë në gurët e luginës së Plavë–Gucisë. Rrënjët e tyre shtrihen deri te Kelmendi – paraardhësi i shumë shqiptarëve të veriut – dhe përmes Vuthajve mbërritën këtu në shekullin XIX. Emri Kukaj, njëherazi i familjes dhe i fshatit, buron nga Kukë-Lula, pasardhës i drejtpërdrejtë i Nikë Ndreut, bashkëthemelues i fshatit të Vuthajve. Kukë-Lula, një luftëtar i pamposhtur kundër Perandorisë Osmane, dha jetën për lirinë e tokës, duke lënë pas legjendën se trupi i tij prehet në Vuthaj dhe koka në Stamboll.

Lidhjet e gjakut i lidhin Kukajt me vllazëritë e tjera vuthjane: Kukë-Lulë-Nika me Ulajt (Ulë-Nika), Vuçetajt (Vuçet-Nika) dhe Ahmetajt (Ahmet-Nika). Sot, duke numëruar brez pas brezi, gjenerata më e re e Kukajve lidhet me Kelmendin në një vijë të pandërprerë prej 20 brezash, apo rreth 600 vite histori.

Shperngulja nga Vuthajt dhe vendosja në Kukaj erdhi si pasojë e perndjekjeve Otomane. Dy nipërit e Kukës – Asllan Murseli dhe Sadri Murseli e krijuan fshatin Kukaj – ndërsa Et’hemi dhe Halili qëndruan në Vuthaj. Vëllau i Murselit, Hysë-Kuka, dhe axha i Murselit, Hakë-Lula gjithashtu qëndruan në Vuthaj, ani pse më vonë, ky i pari shpërngulet në Valbonë, duke krijuar edhe vllazërinë e Hysajve. Vëllëzrit që mbetën në Vuthaj, e mbajtën gjallë edhe mullin e Kukë-Lulës që edhe sot ani pse i rindertuar, qëndron si simbol rezistence ndaj shekujve pushtim.

Në shekullin e fundit, fshati është rritur, dhe familja është shpërndarë gjerësisht: 30 familje jetojnë në Kukaj, 30 në Kosovë (Pejë e Prishtinë), mbi 100 familje në Shtetet e Bashkuara dhe mbi 20 në vende të ndryshme të Evropës. Përndjekjet politike i shtynë shumë prej tyre të gjejnë strehim në SHBA, ku sot janë pjesë kyçe e komunitetit shqiptar të diasporës, sidomos në New York.

Kontributi i Kukajve për kombin është i pasur e shumëdimensional. Që nga luftëtarët legjendarë të shekullit XVII-XVIII si Kukë-Lula, i biri Murseli e nipi Sadriu, deri te figura të guximshme të shekullit XX si Zymer Haxhia, Ramë Isufi, Hasan Isufi dhe Zeqir Bajrami – të katërt të dënuar me pushkatim, ku vetëm Zeqiri i shpëtoi vdekjes. Familja i qendroi besnike idealit Shqipëtar për bashkimin e trojeve, por u dënua rreptësisht nga regjimi komunist Jugoslav, dhe ai i Shqipërisë. Sidomos në vitin 1945! Nga figurat kyçe të familjes ishte edhe Haxhi Hyseni, një ndër tregtarët më të fuqishëm Vuthjanë të shekullit XIX. Në fund të shekullit XX, Kukajt dhanë ndihmesë të drejtpërdrejtë në çlirimin e Kosovës: në front me Ymer (Halil) Kukaj në UÇK; në politikë me veprimtarë përmes Lidhjes Demokratike të Malit të Zi; dhe në mërgatë me emra si Din Salihi, Xhevat Neziri e Musë Tahiri që mobilizuan fonde për luftë.

Fusha e dijes është një tjetër krenari e kësaj dere. Bijtë e Lecit – Brahimi, Amiri, Riza dhe Sherifi – shërbyen si pedagogë e intelektualë që ngritën Plavë–Gucinë në arenën akademike të Universitetit të Prishtinës. Sherif Leci, një nga doktorët e parë shqiptarë të shkencave ekonomike, themeloi Institutin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, dhe revistën Ekonomia, por jeta e tij u ndërpre tragjikisht nga regjimi jugosllav. Më pas vijnë Prof.Dr. Halil (Vesel) Kukaj me të shoqën Verën. Dhe sot, gjenerata e re përfaqësohet nga doktorë shkencash si Diellza (Asllan) Kukaj e Qendresa (Fadil) Kukaj, si dhe shumë mjekë e magjistra. Në telekomunikacion, Agim Kukaj mban pozita udhëheqëse në Ministrinë e Ekonomisë së Kosovës.

Edhe sporti mban vulën e Kukajve. Në xhudo, emrat e Sylës, Agronit dhe Dritonit janë sinonim i suksesit. Syla ishte ndër të parët në Ballkan që fitoi titullin 6 Dan; Agroni është drejtor sportiv i Federatës Evropiane të Xhudos; ndërsa Dritoni, trajner i tri kampioneve olimpike, është shpallur trajneri më i mirë në botë në vitin 2021. Në futboll, Liridon Kukaj, ish-lojtar i KF Prishtinës dhe përfaqësues i Kosovës në vitin 2007, sot është trajner i licencuar nga UEFA, ndërsa Viktor Kukaj spikat në Superligën e Kosovës.

Kukajt, në Kukaj e në botë, mbeten një bashkësi e fortë, që ruan kujtesën e brezave, krenarinë e prejardhjes dhe vlerat e punës, dijes e trimërisë.