Se situata epidemiologjike në Mal të Zi është e volitshme, stabile e nën kontroll dhe se me hapa të sigurt është duke vajtur drejt zhdukjes së saj dhe normalizimit të jetës, dëshmojnë raportet e Institutit për shëndetin publik, të cilat konfirmojnë se në gjashtë ditët e fundit radhazi, prej gjithsej 13 deri më tani, analizat laboratorike në mostrat e testuara nuk kanë regjistruar raste të reja me koronavirus dhe se numri i të shëruarve nga virusi është në ngritje graduale, kurse ai i të infektuarve aktiv është në rënie rapide.
Rezultatet e fundit të Institutit në fjalë tregojnë se në 294 mostrat e testuara gjatë 24 orëve të fundit në laboratorët e mikrobiologjisë molekulare, nuk është regjistruar asnjë rast i ri i infektuar me koronavirus dhe se numri total i të prekurve prej rastit të parë e deri më tani ka mbetur i pandryshuar – 324, prej të cilëve 59 janë fëmijë dhe të rinj të moshave 0-19 vjeçare.
Raportet e Institutit në fjalë dëshmojnë se numri i të shëruarve është në rritje të vazhdueshme. Në dy testimet e njëpasnjëshme të fundit në mostrat e prekura me koronavirus, 16 persona kanë rezultuar negativ dhe janë shpallur të shëruar duke u liruar nga vetizolimi, ashtu që numri total i tyre është ngritur në 290, kurse ai i të infektuarve aktiv ka rënë në 25 (në Ulqin – 10, Podgoricë – 6, Tivarë e Guci nga 3, dhe në Plavë, Herceg Novi e Bijello Pole nga 1. Nëntë persona janë viktima të koronavorusit.
Pasqyrëza e të prekurve me virusin Covid-19 nëpër komuna:
Podgoricë-164,
Tuz-37,
Nikshiq-34,
Tivarë-23,
Ulqin-23,
Andrijevicë-7,
Budva-7,
Plavë-7,
Bijello Pole-7,
Herceg Novi-6,
Danillovgrad-3,
Tivat-3 dhe
Guci-3.
Edhe në shtetet e rajonit situata epidemiologjike është në përmirësim e sipër. Numri i rasteve të reja me koronavirus është në rënie, kurse ai i të shëruarve në rritje, ku më shumë e ku më pak. Numri i të vdekurve po ashtu është në rënie.
Sipas të dhënave të instituteve të tyre relevante, në 24 orët e fundit ka këta parametra:
– Në Shqipëri: 872 të infektuar, 654 të shëruar dhe 31 të vdekur;
– Në Kosovë: 884 të infektuar, 655 të shëruar dhe 28 të vdekur;
– Në Serbi: 10114 të infektuar, 3006 të shëruar dhe 215 të vdekur;
– Në Kroaci: 2187 të infektuar, 1764 të shëruar dhe 90 të vdekur;
– Në Bosnje e Hercegovinë: 2141 të infektuar, 1114 të shëruar dhe 113 të vdekur;
– Në Slloveni: 1460 të infektuar, 256 të shëruar dhe 102 të vdekur dhe
– Në Maqedoninë e Veriut: 1664 të infektuar, 1200 të shëruar dhe 91 të vdekur.
Theksojmë se prej sot në Mal të Zi ka filluar zbatimi i ca masave të zbutura: fillimi i normalizimit të punëve në institucionet shëndetësore, hapja e objekteve fetare dhe qarkullimi i komunikacionit në nivel ndërkomunal (rajonal): në rajonin bregdetar, qendror dhe atë verior.
Për faqen e Portalit “Plava dhe Gucia Sot”
Shaban Hasangjekaj