Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar për në Mal të Zi, ku është takuar me homologun e tij malazez, Milo Gjukanoviq. Në takim është folur rreth dialogut Kosovë-Serbi, ndërkohë presidenti malazez ka thënë se dy vendet duhet të kenë kujdes që marrëveshja përfundimtare t’i kontribuojë paqes në rajon.
Në një komunikatë të lëshuar nga zyra e Gjukanoviq, thuhet se takimi ishte kërkuar nga Thaçi me qëllim të njoftimit të shteteve fqinje me rezultatet e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe planeve të së ardhmes.
Gjukanoviq ndërkohë ka thënë se mirëpret përpjekjet e Prishtinës dhe Beogradit për të arritur një marrëveshje, shkruan ‘vijesti’,.
“Gjukanoviq ka falënderuar këtë iniciativë, dhe ka mirëpritur përpjekjet e Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një marrëveshje paqësore, përmes dialogut, nën mbikëqyrjen e BE-së, dhe me bindjen që të gjitha palët do të kenë kujdes që rezultati në fund ti kontribuojë paqes dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në komunikatë.
Në këtë takim gjithashtu është diskutuar për bashkëpunimit e më tejmë ndërmjet dy shteteve dhe bashkëpunimin bilateral.