Gjykata dënon me burg 14 ‘puçistët’ në Mal të Zi

Gjyqi i Lartë në Podgoricë, i dënoi 14 të akuzuar për tentim terrorizmi ditën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016.

Të dënuarit përfshijnë dy udhëheqës të partisë opozitare malazeze Fronti Demokratik,

Andrija Mandiq dhe Millan Knezheviq, të cilët u dënuan me nga pesë vjet, kurse shoferi i kësaj aleance politike, Mihaillo Çagjenoviq, është dënuar me një vit e gjashtë muaj burg.

Shtetasit rusë, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, u dënuan në mungesë me 15 vjet burgim, repsektivisht 12.

Nga nëntë shtetasit e Serbisë,të dënuar për tentim terrorizmit, dënimi më i rëndë u shpall kundër Branisllav Dikiqit, ish-gjeneral i policisë serbe, i cili u dënua me tetë vjet burgim.

Predrag Bogiqeviq dhe Nemanja Ristiq, të dy anëtarë të grupeve ultranacionaliste serbe, u dënuan me nga shtatë vjet.

Branka Miliq, e cila u arratis në Ambasadën e Serbisë në Podgoricë në fund të vitit 2018, mori një dënim trevjeçar; Dragan Maksiq u dënua me një vit e 9 muaj, Srbolub Gjorgjeviq dhe Millan Dushiq me nga 1 vitë e 6 muaj, kurse Kristina Hristiq u dënua 1 vitë me kusht.

Katër nga të dënuarit u gjykuan në mungesë, përfshirë dy shtetasit rusë.

Gjykata e Lartë e Malit të Zi konstatoi se grupi ka bërë komplotpër të pushtuar Parlamentin e vendit gjatë zgjedhjeve parlamentare në vitin 2016, për të vrarë kryeministrin e atëhershëm, Millo Gjukanoviq, dhe për të instaluar një udhëheqësi pro-ruse.

Kryetarja e gjyqit të lartë, Suzana Mugosha, tha se të gjithë të pandehurit kishin detyra që synonin rrëzimin me forcë të Qeverisë malazeze dhe shpalljen e Frontit Demokratik fitues të zgjedhjeve, me qëllim pengimin e Malit të Zi nga anëtarësimi në NATO.

Gjykata konstatoi se Mandiq dhe Knezheviq kishin për detyrë të rekrutonin njerëz dhe të përgatisnin një protestë përpara parlamentit, me qëllim të sulmimit të legjislaturës.

Mugosha po ashtu tha se dëshmitë treguan se Knezheviq ka qenë i ngarkuar edhe me përcjelljen e mesazheve tek anëtarët e një organizate kriminale jashtë vendit.

Kremlini ka mohuar se “mekanizmat shtetërorë rusë” kanë qenë të përfshirë.