Nga:Nëntor Oseku
GUCIA – qytezë e bukur rrëzë malesh, është pike atraktive turistike, me Krojet e Ali Pashë Gucisë, me gurra uji të ftohtë dhe të pastër, që burojnë nga bjeshka e Bradës së Vezirit.
Dikur nëpër Guci kalonin karvanët nga Dubrovniku – Kotori – Shkodra – Peja drejt Stambollit (Kostandinopojës).
Kullat e kësaj zone janë karakteristike, të ndërtuara prej gurit të gdhendur nga mjeshtrit dibranë dhe vendorë.
Për bukuritë e kësaj zone të malësisë dhe karakteristikat etno-psikologjike të banorëve të saj është shprehur edhe “ Homeri shqiptar “ – At Gjergj Fishta në kryeveprën e vet, “ Lahuta e Malcis”, ku thotë: “Guci është Ora e Shqypnisë”.
Nga kjo trevë ka dalë edhe poeti i njohur, Akademik Esat Mekuli.
Krijuesi dhe mendimtari i shquar shqiptar, Akademik Rexhep Qosja, i lindur në Vuthaj të Gucisë, për bukuritë e Plavës dhe Gucisë dhe identitetin e banorëve të saj, është shprehur:
“Flitet për historinë, kulturën, identitetin e banorëve të kësaj zone. Ato ishin qytete të cilat natyra i kishte vendosur në zemrën e Bjeshkëve të Nemuna, duke i rrethuar me bukuri të jashtëzakonshme: me visare magjike, me bjeshkë, me male, me kodra, me lugina, me liqene, me lumenj, me përrenj, me burime, me bimësi të shumëllojshme dhe me shtazë të egra të llojllojshme”.
Për shkaqe politike dhe ekonomike, të njohura për ne, më shumë se gjysma e banorëve të kësaj zonë kanë emigruar, kryesisht në SHBA dhe në Kosovë. Por kjo lëvizje e popullsisë së kësaj zone nuk tregon se këta janë shkëputu shpirtërisht nga vendlindja. Mund të themi me plot gojën se pak mërgimtarë shqiptarë janë të lidhur emocionalisht me vendlindjen sesa banorët e kësaj zone. Kësaj radhe do ta prezantojmë vetëm një dëshmi: është bërë traditë njëzetvjeçare që në muajin gusht, në Vuthaj, të mbahen takimet tradicional me mërgimtarët, në kuadër te të cilit organizohet dhe festivali “Alpet Shqiptare”.
Për t’i lidhur shqiptarët e dy shteteve ( Shqipërinë dhe Kosovën) me banorët dhe bukuritë e kësaj zone, Shqipëria e para ka realizuar projektin madhor: rrugën Shkodër – Kelmend – Plavë – Guci, ndërkaq Kosova do të ishte mirë që rrugën Deçan Plavë – Guci, të filluar para disa vjetësh, ta përfundojnë sa më parë.
Zona e Plavës dhe Gucisë i ngjan një vajze të bukur, hijerëndë. Ajo i fton bashkëkombësit, ngado qofshin, ta vizitojnë dhe sigurisht se nuk do të pendohen; përkundrazi, do të dehën nga bukuria e saj.
Plava dhe Gucia asnjëherë nuk kanë qenë më afër nesh. Rruga nga Shkodra, që të çon nëpër Leqet e Hotit, Tamarë, Selcë, Lepushë, Vermosh, Plave dhe Guci, ka rreth 100 kilometetra, (rreth 2.5 ore).
Për këtë që thamë, nga zemra po na buron një thirrje, që shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës mos ta shpërfillin bukurinë mahnitëse të zonës së Plavës dhe të Gucisë, kur ata më së shumti kanë nevoje për ne, por edhe ne për bukuritë e kësaj zone dhe njerëzit e saj.