Harasani për “Evropa tani” – Nuk presim probleme nga kompanitë e mëdha. Gjobat për keqpërdorime deri në 20.000 euro

Programi Evropa Tani, me të cilin paga minimale në Mal të Zi është rritur në 450 euro, ka hyrë në fuqi me miratimin në Kuvend. Të punësuarit duken të kënaqur, punëdhënësit kanë qëndrime të ndara, ndërsa Drejtoria e Inspeksioneve është ajo që do të duhet të përcjellë respektimin. Drejtori i këtij institucioni, Ilir Harasani, tha për TV Teuta se deri tani kanë pasur vetëm një ankesë, por presin më shumë pas janarit, kur do të bëhen pagesat e para.

Harasani: Deri tani kemi pasur vetëm një ankesë nga qyteti i Budvës, por presim që pas janarit të kemi më shumë. Shumicën e punëve i kemi kryer më herët, kemi pasur takime me subjektet afariste të mëdha dhe nga ata nuk presim probleme. I kemi për çdo ndërmarrje të dhënat për të punësuarit…nëse janë të punësuar pët 8 apo 4 orë. 99.2% e të punësuarve në Mal të Zi janë për 8 orë, dhe në muajin shkurt do të bëjmë një analizë tjetër kur do të shohim nëse ka ndryshime. 

Në pyetjen se ku dhe cilët mund të jenë manipulimet në këtë drejtim, Harasani thotë se presin më shumë probleme në verit të vendit, por më tepër me largim nga puna se sa me shkurtim të orarit, pasi dënimet shkojnë deri në 20.000 euro.

Në Ulqin ende nuk flitet për ankesa në këtë drejtim, edhe pse mund të jetë herët. Ardhja e sezonit turistik dhe nevoja për fuqi punëtore shtesë mund të sjellë edhe fillimin e keqpërdorimeve, prandaj nga Drejtoria e Inspeksioneve kanë apeluar disa herë që t’u drejtohen në raste të tilla, duke garantuar anonimitetin. Nga Ministria e Financave kanë publikuar edhe numrin e telefonit, i cili do të jetë në dispozicion të qytetarëve 7 ditët e javës, për të paraqitur keqpërdorimet eventuale.