HEROI I KOSOVËS, NË MBROJTJE TË PLAVËS E GUCISË, TUTINIT DHE PAZARIT TË RI (Një kujtim i vogël për gjyshin tim, Hero i Kosovës, Adem Ramë Mataj, 1900-1947)

Këtu e 75 vjet më parë, gjyshi im, Adem Ramë Mataj, përafërsisht rreth moshës sime, për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare dhe luftarake, por edhe si prijës i shumë vullnetarëve shqiptarë për mbrojtën e trojeve etnike, si dhe mbështetës i shumë patriotëve më në zë, u pushkatua nga organizata famëkeqe serbe, Ozna, m’u në vitin e trishtë 1947.

Unë, nipi i tij, u rrita më rrëfimet e dhimbshme dhe krenare për të, me mallin e babës tim që e la fëmijë, i cili u burrërua duke gjakuar kohën kur ato pushkë të zbrazura në trupin e babait të tij dhe gjyshit tim, t’i kthente në pushkë të hakmarrjes kundër forcave çetnike serbe deri në çlirimin e Kosovës.

Gjyshi im, Adem Rama, me kohë nuk ishte vetëm heroi i babës dhe i vëllezërve të tii, por edhe modeli atdhetar, idoli dhe udhërrëfyesi im.

Duke kaluar vitet, rritej edhe kujtesa, shtoheshin edhe rrëfimet për heroizmin e tij të pashoq në ballë të vullnetarëve shqiptarë në luftë për mbrojtën e Plavës dhe Gucisë, Tutinit e Pazarit të Ri, por edhe në Kuvendin dhe mbrojtën në Ngujimin e Junikut.

Biografisë së tij i shtohet edhe kontributi i pareshtur  dhe lufta sistematike kundër ideologjisë komuniste, herë si ikonë e Ballit Kombëtar në Rrafshin e Dukagjinit, herë si urë lidhëze e shumë patriotëve të këtij ideali nga të gjitha trevat shqiptare, që nga Drenica, Anadrini  e deri në Malësi të Gjakovës.

Portreti i tij, i varur në mur të kullës tri herë të djegur, sikur më fliste, se ç‘rrugë do të ndiqja, se ç’mision do të kryeja. U desh vetëm një brez të hynte ndërmjet, jo më shumë se pesë dekada dhe nipi i tij, autor i këtyre rreshtave, dhe nipat tjerë të fisit e gjakun tonë vazhduan misionin tënd nga zonat e luftës në Dukagjin e deri në thyerjen e kufirit shiptaro-shqiptar me luftëtarë të zgjedhur, tashmë shumë prej tyre të rënë në altarin e lirisë.

Krisma e pushkës se tij, ishte jehonë për luftën çlirimtare të Kosovës, ishte gjeni i tij i ringjallur, gacë e ndezur që ndezte barot nga beteja në betejë.

Adem Ramë Mataj, për kontributin e tij, sot është Hero i Kosovës, ndërsa vogëlsia ime në mesin e shumë atyre që gjakun e tij e ktheu në emblemë, e ëndrrën e tij për çlirim të atdheut.

Gjyshi im, Adem Rama, fli i qetë.

Ti më nuk je  gjak i humbur.

Nipi yt i vogël,

Florim MATAJ

P.s.

Gjithashtu, ju njoftojmë se, më datë 18 qershor 2023, ditën e diel, në Bjeshkë të Baballoqit, përurohet ngritja e Kullës- monument, e cila i dedikohet heroit të Kosovës, Adem Ramë Mataj.

Me këtë rast, do të zbulohet pllakë memoriale në nderim të heroit në fjalë, i cili për shkak të veprimtarisë atdhetare,  u ekzekutua nga OZNA serbe më 1948.

Adem Ramë Mataj ishte një prej bashkëluftëtarëve të ngushtë të atdhetarit të shquar,  Demë Ali Pozhari, i cili shumë herë u strehua në këto bjeshkë.

Ky aktivitet, e që është në rrjedhën e aktiviteteve për ditët e çlirimit të Deçanit, zhvillohet nën patronatin e kryetarit të Komunës z. Bashkim Ramosaj dhe fillon në orën 12:00.

Nipi ushtar i dalluar i UÇK-së, Florim MATAJ