Për shërbimet e mëdha që mirditasit i bënë Perandorisë osmane, Porta e Lartë, u dha tituj e grada Gjonmarkajve, ku Bibë Doda u bë Pashë dhe…

Nga Dr. Nikoll Loka

Pjesa e gjashtë

                         “PRENGË BIBË DODA, DRITËHIJET E NJË BURRËSHTETASI”     

Memorie.al / Libri më i ri “Prengë Bibë Doda, një fenomen në jetën politike shqiptare”, i studiuesit Nikollë Loka, jo vetëm zgjeron fushën e studimeve historike mbi Mirditën, Derën e Gjonmarkajve dhe figurën e Princit mirditor, Prengë Bibë Doda, por është edhe një kontribut, në historiografinë kombëtare. Lënda shumë e pasur arkivore, literatura e shfrytëzuar apo e konsultuar, gojëdhënat etj, e bëjnë këtë libër, një thesar të vërtetë studimor, duke i dhënë shkencës së historisë një monografi shkencore, që pasuron njohuritë tona mbi Mirditën, kapedanët e saj, traditën, historinë etj. Të studiosh një figurë sa të rëndësishme dhe komplekse, siç është figura e Prengë Bibë Dodës, është përgjegjësi e lartë shkencore që, jo çdokush e merr përsipër. Nikollë Loka, ka bërë një punë të madhe hulumtuese dhe trajtim prej studiuesi profesionist, duke na e dhënë portretin e Princit dhe gjeneralit mirditor, me konturet e vërteta. Loka i është përmbajtur fund e krye hapësirës dhe kohës, në të cilën janë zhvilluar ngjarjet shumëdimensionale dhe protagonistët e tyre. 

Gjithashtu mund të lexoni

MONOGRAFIA “PRENGË BIBË DODA, NJË FENOMEN NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE”, NJË STUDIM SHKENCOR ME VLERË QË PASURON FONDIN E STUDIMEVE TONA HISTORIKE

                        (Nga Mr. Sc. Murat Ajvazi, mars 2017, Zvicër) 

                                              Vijon nga numri i kaluar

Edhe Sarajet që tregojnë fuqi e aristokraci, janë ndërtuar vonë. “Sarajet e Gjonmarkajve, me 17 dhoma, i ndërtuan 4 vëllezër të fisit Përshqefa nga Bisaku. Mbi portë ishin vendosur emrat e kapedanëve; Mark, Ndue, Llesh, Dedë e Nikollë”.(80)Para tyre, kishin qenë Sarajet e vjetra të ndërtuara nga Lleshi i Zi dhe akoma më herët, sarajet e Prengë dhe Llesh Lleshit (Lleshit të Zi). Kujtojmë se sarajet e Gjonmarkajve, janë djegur tri herë. Nuk kemi ndonjë të dhënë për kështjellë të Dukagjinit dhe nga ana tjetër, Sarajet u ngritën çdo herë e më të mëdha, krahas me shtimin e fuqisë së Gjonmarkajve.

E mbyllim temën mbi prejardhjen e Gjonmarkajve, me një shkrim interesant të Dom Nikollë Kimzës, i cili është cituar shpesh në pjesë të veçanta të tij.

Nikollë Kimza, mendon që ta besojmë prejardhjen e Gjonmarkajve nga Dukagjinët, sepse:

  1. Gojdhana e Mirditës, që thotë se dera e Gjomarkaj, asht oxhak ma i vjetër se oxhaku i Toptanit. Përpara asaj kohe, nuk ka pas tjetër Oxhak n’kto ana, veç Oxhaku i Dukagjinve.
  2. Gojdhana tjetër, që kanë Mirdita dhe vetë Dera e Gjomarkut, se kjo Derë, rrjedh prej Dukagjinëve.
  3. Urtij vet e shkrimtarevet n’kët çashtje, pa pasun provë ma të gjallë se gojdhanat, të cilat të na diftonin se prej Dukagjinsh, nuk ka metë asnjë e se Gjomarkajt prej tyne, nuk rrjedhin.
  4. Kryqa e nreçme prej Pal Dukagjinit e Nikoll Dukagjinit e vjetit 1447, e cill nderi n’dorë, o s’pakut pranë Gjomarkajve, e thoshin: Nji shej i t’parve t’vet.

Pse kjo kryqë, me u gjet afër e pranë Gjonmarkajve përherë, e ku zatet arsyeja se kjo kryqë, asht: Nji shej i të parve të vet?

Kjo kryqë, kje djegë pahiri përnjiheri me kishin e Oroshit, n’vjetin 1898. Ksaj kryqeje, gati krejt i përngjahen n’trajtën qi ka kryqja, ba prej Derës Gjomarkaj, vjetin 1809, e cila gjindet dhe sot, n’Kishën Famullitare t’Velës…!

…Kur Dera e Gjomarkut, tue e vërtetu ene Mirdita, thotë se unë jam nji asish, e me shej vërtetimi jo të Parandësi, na pse ta mohojm…, pa pasun në dorë provë t’pathyeshme, qi t’ja difton se me të vërtetë, nuk rrjedhin prej Dukagjinëve.

Me pas lanë një shkresë një i Gjomarkaj, sod dy-tre-qind vjet, se dera e vet e ka burimin prej Dukagjinëve, a do t’i besohet ati dokumenti, apo jo? Shumë e paurti kishte për t’kenë, me thanë se jo…! A s’asht marri, mos me u besue, e pohimet me jau mohue, pa dalun fjala e mbrame, e vërtetë, e fundëme e Istorisë qi t’a diftojnë se; Dera e Gjomarkut, nuk asht rrjedha e natyshme e Dukagjinëve.

Asnji derë tjetër, nuk mvaret m’kët rrjedhë, pse pra ta hupim Derën e Dukagjinëve, pa e dijtë për t’saktë, se nuk asht ma kush aso dere. E pra, kush n’kët çështje shkruen e boton, masat e pohimeve, t’i temelojë aty ku zanë vend, për ndryshe rrxohen, se Istoria pa da, rrin tuj u zhvillue.(81)

Siç thotë vetë Dom Nikollë Kimza; “Istoria pa da, rrij tuj u zhvillue”. Edhe sot, akoma nuk kemi prova bindëse se; Gjonmarkajt, rrjedhin prej Dukagjinëve, prandaj në histori, nuk merret e vërtetë një e dhënë, që nuk mund të kundërshtohet, por një e dhënë që provohet.

                                            Si u rrit fuqia e Gjonmarkajve?!

Dokumentet osmane, japin të dhëna për kryengritjet kundër Portës së Lartë, në nahijet e Fanit të Madh, Fanit të Vogël dhe të Mirditës. Por edhe relatorët e krishterë, të shekujve XVI-të dhe XVII-të, japin një përshkrim të hollësishëm të vendeve dhe njerëzve, duke na sjellë të dhëna intersante, për historinë tonë kombëtare. Në Kuvendin e Dukgjinit, morën pjesë krerët dukagjinës, që nga mbiemrat e tyre, duket se i përksnin trevës së Mirditës së sotme.

Në krye e vënë emrin e vet; Gjin Gjergji, Gjet Laloshi, Gjon Qefalia, Geg Zajsi, krerë, pleq të parë të krahinës së Dukagjinit. Ndër këta krerë, Gjon Qefalia, është nga Oroshi, Geg Zajsi, nga Zajsi dhe Gjet (Gjekë) Laloshi, është nga Fani, personi për të cilin flet Marin Bici, në vitin 1610.(82)

Mirditasit vazhduan traditën e luftëtarit, si ushtar me pagesë. Agjentët e Mbretërve të Francës, i rekrutonin shqiptarët e fiseve katolike të Mirditës dhe deri në kohët e fundit, gjendet një regjiment shqiptar në roje të mbretërve të Napolit, i cili quhej Real Macedonia.(83)

Pas dështimit për të vendosur sistemin feudal-ushtarak në zonat e malësive, turqit, u interesuan për fuqinë ushtarake të tyre. Ata punuan që këto malësi, të përjashtoheshin nga taksat në shkëmbim të dërgimit të forcave ushtarake, në ndihmë të ushtrive turke. Popullsitë e trevave të Mirditës së sotme, nuk e pranuan menjëherë këtë ofertë të pushtuesit. Por, kur e panë që nuk gjetën mbështetje nga princat e Europës së krishterë, krerët, vendosën të bëjnë një marrëveshje me turqit.

Detyrimi për të dhënë një kontigjent luftëtarësh, njihet që në vitin 1681, përsëritet më 1696 dhe përforcohet gjatë luftërave turko-austriake, të viteve 1737-1739. Thirrja e Sulltanit, për t’u bashkuar forcave turke, kundër Austrisë, i vuri në lëvizje krerët e “Lidhjes së Mirditës”. Në kuvendin e tyre të mbajtur në vitin 1683, vendosën: “T’i shkonin në ndihmë Sulltanit, me armët dhe rrobat e tyre, me kusht që turqit, të mos i cënonin në venome, besim e armë, të mos i shtrëngonin të paguanin taksa që për të dhënë nizamë”. (84) Mirditasit, luftuan për turqit në disa beteja dhe si rezultat i rolit të tyre, në vitin 1684, u ishin njohur privilegjet e kërkuara.

Në vitin 1737-1739, shpërtheu lufta midis koalicionit të krishterë, me në krye Austrinë dhe Perandorisë Osmane. Për t’u bërë ballë ushtrive të koalicionit, Turqia, u bëri thirrje krahinave malore të Shqipërisë Veriore, që t’i shkonin në ndihmë me forcat e tyre. Pasi u pleqërua kjo thirrje e Sulltan Mahmutit I-rë nga krerët e vegjëlia e Mirditës, u vendos të shkonin në luftë përkrah Turqisë, duke zgjedhur si prijës të forcave të Mirditës, Qefalinë e Oroshit, Marka Kol Gjokën. Sulltan Mahmuti i I-rë, me kërkesën e mirditasve, për shërbimet e bëra në ato luftime, ua rinjohu atyre privilegjet e fituara në vitin 1684 dhe i dha Marka Kolë Gjokës, titullin “Kapidan”, dhe u lidhi mirditasve, një subvencion të përvitshëm prej 100 barrë drithë.

…Këtu e mbrapa, mirditasit i pranuan djemtë e kësaj dere, që t’u prinin në luftë, sa herë të ngriheshin përkrah Turqisë, apo kundër saj dhe ajo derë u njoh si; “Dera e Kapidanëve”. (85)

Siç del në dokumentat, deri në vitin 1739, Gjonmarkajt kishin arritur të bëhen krerë të Oroshit dhe fituan të drejtën t’i prinin atij në luftë. Por në këtë periudhë, fillon procesi i formimit të unitetit krahinor të Mirditës, që siç dihet përfshinte Oroshin, Spaçin dhe Kuzhnenin. Meqenëse malësorët përdoreshin vetëm si fuqi ushtarake, shqetësimi i autoriteteve turke ishte ndikimi në kuvendet e malësorëve dhe përdorimi i tyre, për qëllime ushtarake. Por futja në dorë e autoritetit të kuvendeve, në kushtet e mungesës së plotë të një klase feudale vendase, ishte e pamundur.

Prandaj krahinat malore, u ndanë në njësi të vogla administrative, që u quajtën bajrakë. Në Mirditë, ato u vendosën plotësisht në gjysmën e parë të shekullit XVIII-të, kohë që përkon me dhënjen e titullit; “Kapidan”, për familjen e Gjonmarkajve.

“Lindja e Derës së Gjonmarkajve, më duket se ka histori të ngjashme me formimin e organizatës së bajrakut, në kohën e sundimit osman në Shqipëri”- shkruan Mark Krasniqi. (86)

Në ndryshim nga bajrakët e tjerë, që u krijuan në Shqipërinë e Veriut dhe që vareshin drejtpërdrejtë nga autoritetet turke, në Mirditë, sipas marrëveshjes, këta bajrakë do të gëzonin autonomi e, do të qeveriseshin sipas ligjeve të tyre. Por administrata turke, ishte e interesuar që të kishte një kre të Mirditës, atëherë trebajrakëshe. Pra, në luftë, sejcili bajraktar, komandonte forcat e bajrakut të vet, ndërkohë që Kapidani, ishte komandanti i të tre bajrakëve. Pra u pa e nevojshme që kjo Krahinë, ta kishte përfaqësuesin e vet, me të cilin autoritetet, duhet të merreshin vesh. Nga ana tjetër, Kreu i Mirditës, duhet të kishte patjetër miratimin e autoriteteve osmane, sundimtarët me të drejtë trashëgimie, dilnin nga shtëpia e Kapidanit, po natyrisht të emëruar nga Begollajt dhe pastaj nga Bushatllinjtë. (87)

Kapidanët nuk qëndruan duarkryq, duke pritur kërkesën e Stambollit për të dërguar kontigjentin mirditas të luftëtarëve të radhës. Ata u treguan shumë aktivë në skenën politike, deri sa u bënë një faktor i rëndësishëm ekuilibrues, në mes të dy pashallëqeve të mëdha shqiptare: Ali Pashës dhe Bushatllinjëve. Siç dihet në fillim, Mirdita e kishte varësinë nga Peja dhe në vitin 1769, u ndihmon Tahir Beut dhe Hysen Beut, kundër Mustafë Pashë Bushatit, i cili kërkonte ta shkëpuste Zadrimën nga sundimi i Begollajve…! (88)

Me 2 prill 1769, Hysen Beu, mblodhi ushtri për të luftuar Mehmet Pashën. Thirri në ndihmë dhe Gjon Markun e Mirditës, që erdhi me shumë njerëz nga Mirdita e, nga katunde të tjera.(89)

Në vitin 1772, Gjonmarkajt provokojnë një grindje me Begollajt e Pejës, që kishin në zotërim bajrakun e Fanit, me popullësi krejtësisht katolike. Në atë betejë, të fituar nga Gjonmarkajt, vritet Mehmet Begolli i Pejës. Thuhet se në atë betejë, është vrarë edhe Llesh Gjoni. Për vrasjen e Llesh Gjonit, na informon edhe Degrand.(90)

Në nëntor të vitit 1775, Nënkonsulli i Venedikut në Shkodër, Andre Duoda, i drejtohet Zyrës së Tregtisë së Republikës dhe e informonte se; “Mustafa Pasha, ka marrë 10 mijë burra dhe deshi të shkojë të ndeshet me Ahmet Pashë Kurtin e Beratit në Peqin, gjashtë orë pranë Beratit. Mustafa Pasha, është thyer dhe është vënë në ikje, me të gjithë ushtrinë e Shkodrës. Në Peqin qe vrarë Gjon Marku i Mirditës, me gjashtëdhjetë të vetët, të gjithë të krishterë. (91)

Titulli “Kapidan”, i dhënë nga Sulltani, konfirmohet më vonë edhe nga dy sunduesit më të fuqishëm shqiptarë, tek të cilët Gjonmarkajt, kishin dërguar kontigjente ushtarake. Të dy pashallëqet, për të realizuar politikën e tyre gjysëm të pavarura nga Porta e Lartë, kishin nevojë për fuqinë ushtarake të Mirditës.

Prengë Lleshi, duke qenë në shërbim të Ali Pashë Tepelenës, mori prej tij titullin “Kapidani” si shpërblim që u shkëput prej Bushatasve.(92)

Por, pas rregullimit të marrëdhënjeve midis Bushatllinjëve dhe Gjonmarkajve, Mustafa Pashë Bushati, më 25 nëntor 1815, u drejtohej me një shpallje pleqëve, bajraktarëve e vegjëlisë së Mirditës: “Ju njoftoj ta dini, se shtëpia e Gjon Markut, ka qenë e njohur, e çmuar, gjithmonë e para e tërë Mirditës, e kështu do të jetë edhe në të ardhmen e, ju lajmëroj ta njihni të gjithë ju që jeni përmend këtu. Kështu ka qenë njohur prej të parëve të mij, vezirave të divanit tonë”. (93)

Edhe pas rënjes së Bushatllinjëve, emërtimi i sundimtarit, vinte nga institucionet e larta shtetërore osmane. Në vitin 1837, u dërgohet bajraktarëve të Mirditës një urdhër nga Divan i Armatës Mbretërore dhe një letër e Ismet Pashës, sundimtar i Dukagjinit, që pohonte privilegjet e Mirditës. (94)

Në një periudhë të gjatë kohe prej 60 vjetëve, nga viti 1771, deri në vitin 1831, marrëdhënjet midis Kapidanit të Mirditës dhe autoriteteve osmane, u zhvilluan pa probleme. Gjatë kësaj periudhe, Turqija nuk ndërmori ndonjë ekspeditë ndëshkimore kundër Mirditës dhe nuk kemi përpjkje nga autoritetet osmane, për të ndërhyrë në kompetencat e Kapidanit. (95)

Pas rënjes së Bushatllinjëve, ku Mirdita kishte qenë aleate kryesore e tyre, Porta e Lartë, ndryshoi kursin e saj dhe filloi të ndërhynte në punët e brendëshme të Krahinës. Kështu për shembull, kur Bibë Doda gjendej në Prizren, Valiu i Shkodrës i shkruante që të caktonte si zavenës të tij në Mirditë, Marka Gjonin. (96)

Në vitin 1865, Mirdita u bë njësi administrative osmane dhe Kapidani paguhej me një rrogë vjetore, prej 600 groshësh. Këshilli administrative i Mirditës, përveç Kapidanit, kishte pesë antarë, nga një për bajrak, që thirreshin nga populli krenët e mëdha. (97)

Edhe me këtë emërtim të ri, vetëqeverisja tradicionale respektohej, por synohej që krerët tradicionalë, të luanin rolin e nëpunësve administrative dhe si të tillë, të interesoheshin më shumë për ligjet osmane, sesa për kanunin e tyre. Nën urdhërat e Kapidanit, ishin edhe njëzet djem. Këta, njëzet e pesë vetë, ishin administrata e Mirditës. Por Kapidani-Qeveritar, për veprimtarinë e tij administrative dhe politike, përgjigjej para sundimtarit të Shkodrës. Si Qeveritar, ai njihej nga autoritetet, si mbajtësi i pozitës më të lartë administrative dhe shoqërore në Mirditë.

Megjithatë, futja e Mirditës nën administratën osmane, ekzistonte vetëm në letër, pasi në Mirditë, qeverisej në bazë të Kanunit dhe Kapidani-Qeveritar, nuk mund të vendoste asgjë pa pëlqimin e kuvendit të krenëve, apo të popullit të Krahinës. (98)

Ndryshimi i emrit të krahinës, nga Kapidanat në Kajmekamllëk, nuk kishte thjeshtë karakter simbolik. Ai, shpreh fillimin e përpjekjeve, për t’a shkatërruar vetqeverisjen e Mirditës, që vazhdoi deri sa turqit, u larguan nga Shqipëria. Pas rënjes së pashallëqeve të mëdha shqiptare, Kapidanët për të ruajtur dhe forcuar pozitën e tyre në Mirditë, i forcuan lidhjet me Portën e lartë dhe u dalluan në shumë luftra. Por, Porta nuk ua harroi kurrë pjesëmarrjen në rebelimin kundër saj, së bashku me Bushatllinjtë. Sidoqoftë, marrëdhënjet nuk kishin arritur deri në atë shkallë, sa të kishte përplasje.

Kapidanët, gjatë kësaj kohe, morën pjesë rregullisht në fushatat ushtarake osmane, ku mirditasit u dalluan për trimëri. Për shërbimet e mëdha që i bënë Perandorisë, mirditasit, krerët e tyre Gjonmarkaj, nga Porta e Lartë, fituan tituj dhe grada. Kështu, Bibë Doda u bë Pasha, duke i dhënë institucionit të Kapidanit, më shumë autoritet në sytë e autoriteteve osmane. I biri i tij, Prengë Bibë Doda, e vazhdoi rrugën e të atit dhe pavarësisht peripecive që e shoqëruan gjatë jetës, mundi të fitojë ata grada dhe tituj që i kishte patur babai i tij dhe kishte arritur të bëhej në vitin 1905, Ajdutant i Sulltan Abdyl Hamitit dhe komandant i Brigadës Shqiptare, të Rojeve të Pallatit. (99)

Duke filluar me Bibë Dodën, në Derën Kapidanore, fillon të përvijohet një politikë e jashtme e pavarur. Në këtë periudhë, dy Fuqitë e Mëdha, Franca dhe Austria, kishin mundur të fitonin të drejtën e mbrojtjes së katolikëve dhe në këtë kuadër, ishin të interesuara për respektimin e venomeve tradicionale të Mirditës. Po kështu, interes për Mirditën dhe kapidanët, filluan të tregojnë edhe vendet fqinjë: Mali i Zi, Serbia dhe Italia. Kapidanët e Mirditës, mundën të tërheqin të gjitha përfitimet e mundëshme që i takonin një krahine katolike e të panënshtruar dhe e përdorën fuqinë e Mirditës, për të forcuar pozitat e tyre.

Gjonmarkajt e Kanuni

Vetëqeverisja në Mirditë, kishte disa veçori origjinale. Përsa i përket formës së vetëqeverisjes, autorë të huaj dhe vendas, e kanë emërtuar në mënyra të ndryshme, si: ‘Republikë Autonome’, ‘Republikë Aristokratike Ushtarake’, ‘Republikë Oligarkike’, ‘Demokraci fshatare’, ‘Principatë Shqiptare’, ‘Konfederatë Aristokratike’, etj.

Preferoj të veçoj si emërtimin më të përshtatshëm atë të dhënë nga Abati i Mirditës, Prend Doçi “Republikë aristokratike, me një të parë të trashëgueshëm”! (100)

Në Mirditë, në një periudhë të caktuar historike, u krijua institucioni i Kreut të Mirditës, Kapidanit, që dilte nga Dera e Gjomarkajve, të cilët pavarësisht autoritetit që gëzonin, i ushtronin tagret e tyre kanunore, në kuvende dhe jo në zyra. Kapidanët, ishin krerë me pushtet të trashëguar si dhe pleqtë, veçse me status qeverisës, më të lartë, që dekretohej nga Porta e Lartë. Por ata këtë miratim, e merrnin vetëm për të komunikuar me autoritetet osmane, ndërsa brenda Mirditës, autoriteti i tyre ishte i pacënueshëm, sepse vinte nga e Drejta Zakonore. Gjomarkajt, ishin të parët në mes të barabartëve dhe tagret qeverisëse, i ushtronin në udhëheqje të krerëve të Mirditës në kohë lufte dhe në veprimtarinë gjyqësore e pleqnuese, në bashkëpunim me pesë krerët e mëdhenj në kohë paqe.

Mirdita, u vetëqeveris prej Gjonmarkajve, në bazë të Kanunit të Maleve, në ato kohëra, kur nuk kishte shtete e ligje dhe Kanuni, ka qenë më se i domosdoshëm, për të rregulluar jetën në krahinat e vetëqeverisura. Kanuni për rreze të tij, kishte shtëpinë e Gjonmarkajve, por qeverisjen në bazë të Kanunit, familja e Gjonmarkajve, e ushtronte në bazë të së drejtës zakonore. Këtë, po e vërtetojmë në disa pika të Kanunit. Prona e familjes Gjonmarkaj, është e kufizuar me kufij, si çdo pronë tjetër. Çdo dëmtim, i bërë prej një pjesëtari të familjes Gjonmarkaj, çmohej, gjykohej dhe dënohej.

Me ra në kundërshtim krenët me Gjonmarkun, mblidhej populli burrë për shtëpi, e vendimet e kuvendit, Gjonmarku, detyrohet t’i pranonte. (101)

Pavarësisht shkallës së lartë të Gjonmarkajve në hierarkinë e pushtetit, vendimmarrësi suprem, vazhdon të jetë Kuvendi. Ashtu si dhe krerët e tjerë, ata kishin të drejtë ta ushtronin pushtetin, kryesisht në kuvend dhe jo në “zyrë”, pasi nuk kishin seli, administratë, sekretari. Kapidanët, ishin krerë me pushtet të trashëguar, si dhe pleqtë, veçse me një status qeverisës më ta lartë, të dekretuar (njohur) nga Porta e Lartë e të mirëkuptuar nga Selia e Shejtë.

Pushteti i familjes Gjonmarkaj, realisht është ushtruar në dy drejtime, së pari në udhëheqje të popullit të Mirditës, në kohë lufte dhe në bashkëpunim me pesë krenët e mëdhenj, formonte Këshillin Gjyqësore të Kanunit, i cili merrte vendime të formës së prerë. Memorie.al

                                                   Vijon numrin e ardhshëm

  1. Zef Përgega, Sarajet, f.43
  2. Dom Nikoll Kimza, Hetime mbi vjetërsinë dhe rrjedhën e Derës së Gjomarkajve… f. 345-350
  3. Nikollë Loka, Dera e parë e Fanit, shtëpia botuese «Ideon», Tiranë 2001, f.25
  4. De La Jouquiere Jouquiere, Vicomte de la, Historie de l’ Empire Ottoman, Parigi, 1897
  5. Simon Prendi, Historia: Mesjeta, Koha e re dhe e sotme, në Mirdita, njohuri për vendlindjen, f.65
  6. Simon Prendi, Historia: Mesjeta, Koha e re dhe e sotme, … f .59
  7. Mark Krasniqi, Mirdita ka qenë gjithmonë qendër e strehimit të kosovarëve, shih Gjon Marku, Mirdita Intervista, vëllimi III, shtëpia botuese “ Mirdita”, f.55
  8. Kahreman Ulqini, Bajraku në organizimin e vjetër shoqëror, f.76
  9. Stavri Naçi, Pashallëku i Shkodrës, Tiranë 1964, f. 276
  10. Pjesë nga një ditar i kohës në Shkodër, -Mahmut Pashë Bushati zhvillon luftë në Zadrimë,Hylli i Dritës 1931, f.203
  11. Stavri Naçi, Pashallëku i Shkodrës, …, f.276
  12. Pjesë nga kronika e Dajçit të Zadrimës, 1809-1810, f .3002. Shih Hylli i Dritës 1931,f.109-113.
  13. AIH, Dosja 45, viti 1850 (1876), f. 5
  14. AQSH, F.79, Dosja 21, f.6
  15. AQSH, F.10, Dosja 1, f.1
  16. AQSH, F.10, Dosja1, f.1
  17. Petrika Thëngjilli, Kryengritjet popullore në vitet 30 të shek. XIX, Tiranë 1978, f.253
  18. Kahreman Ulqini, Bajraku në organizimin e vjetër shoqëror,… f. 77
  19. Kahreman Ulqini, Bajraku në organizimin e vjetër shoqëror… f. 76
  20. Joseph Swire, Shqipëria, Ngritja e një mbretërie botimi shqip “Dituria”, Tiranë 2005, f. 83. Ismail Qemali, Kujtime, botimet “Toena” 2009, f. 360
  21. Dr. Luigj Martini, Bibë Doda,… f. 60
  22. Ndue Dedaj, Kanuni midis kuptimit dhe keqkuptimit, botimet “Geer”, Tiranë 2010, f.13