TË GJITHË JEMI ISUFA!
Shumë bashkëvendas tanët, në shenjë solidariteti me familjen Çelaj, po ngrejnë zërin kundër një padrejtësie të pafalshme: heqjes së bustit të heroit Isuf Kamer Çelaj, i cili ra heroikisht në mbrojtje të Plavës e Gucisë.
Ky akt i Ministrisë së Kulturës së Malit të Zi, i zbatuar nga organet komunale të Gucisë, është një fyerje e rëndë ndaj kujtesës historike të popullit tonë. Në rrjete sociale dhe me protesta simbolike, bashkëvendasit po e shprehin zemërimin e tyre të ligjshëm ndaj këtij vendimi arbitrar dhe politikisht të motivuar.
Arsyetimi absurd se gjoja Isuf Kamer Çelaj ka kryer “krime ndaj serbo-malazezëve” dhe pretendimi për mungesë leje të përmendores nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje për të njollosur figurat tona kombëtare dhe për të fshirë kujtesën historike të rezistencës shqiptare.
Historia nuk fshihet me kazma e me urdhra politike!
Kush ngre dorë mbi heronjtë tanë, ngre dorë mbi dinjitetin e një populli të tërë.
✊ Kërkojmë nga institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë që të reagojnë publikisht dhe me vendosmëri ndaj këtij akti të turpshëm. Heshtja në raste të tilla është bashkëfajësi.
Herojtë tanë nuk mund t’i gjykojë as të shlyejë asnjë qeveri – ata i ka vulosur historia dhe sakrifica e tyre.
Isuf Kamer Çelaj jeton në kujtesën e popullit – përjetësisht!
/Plava e Gucia Sot


