INSTITUTI SIZMOLOGJIK I KOSOVËS JEP DETAJE RRETH TËRMETIT

Dejtori i Institutit Sizmologjik të Kosovës, Shemsi Mustafa përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka publikuar një raport të Rrjetit Sizmologjik të Kosovës për tërmetin që ndodhi në Shqipëri dhe që u ndje edhe në Kosovë.

Sipas këtij raporti, Shqipëria është goditur nga disa tërmete me magnitude 3.1-6.3 sipas shkallës Rihter.

“Tërmeti në fjalë ishte i fuqishëm dhe është ndier dukshëm nga qytetarët e Kosovës dhe tërë rajonit”, thuhet në këtë raport.

Postimi i plotë i tij:

RAPORT I RRJETIT SIZMOLOGJIK TË KOSOVËS, SHGJK

Duke u bazuar në Rrjetin Sizmik, Shërbimi Gjeologjik i Kosovës dhe Qendrës Sizmike Euro-Mediterane, si dhe në analizën numerike të Rrjetit Sizmologjik të Kosovës, më 26/11/2019 n’ora 03:54 sipas kohës lokale, Shqiperia është goditur nga disa tërmete me magnitude 3.1-6.3 sipas shkallës Rihter, përkatësisht me intensitet V-IX ballë të Merkalit.
Epiqendra e këtij tërmeti ishte 12 km Juglindje te Durrësit
respektivisht në koordinatat : 41.40 (latituda) dhe
19.43 (longituda), ndërsa thellësia hipoqendrore ishte 12 km.
Tërmeti në fjalë ishte i fuqishëm dhe është ndier dukshëm nga qytetaret e Kosovës dhe tere rajonit.

Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka bërë thirrje që të mos krijohet panik.

“Ju lutemi mos krijoni panik te qytetarët. Në orët e mëngjesit Shqipëria është goditur me tërmete të fuqishme dhe kjo është arsyeja që është lëkundur edhe territori i Kosovës e më gjerë”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Ndryshe, sipas të dhënave jo zyrtare thuhet se dridhjet janë ndjerë edhe në Shqipëri, Maqedoni, Serbi e Mal të Zi.

Nga panika qytetarë të shumtë në Prishtinë dhe qytete të tjera në Kosovë kanë dalë jashtë nga shtëpitë dhe banesat e tyre.