Ka ndërruar jetë Hadžo Isuf Aslani – “Shok”: Luftëtari shqiptar i paepur i Brigadës së Dytë Viteze që përfundoi fatkeqësisht në rrugët e Bosnjës dhe Hercegovinës

Ka ndërruar jetë Hadžo Isuf Aslani, i njohur me pseudonimin “Shok”, nofkë që e mbante edhe për faktin se ishte shqiptar – një luftëtar i rreptë, sy-patrembur dhe i përkushtuar deri në vetësakrifikim. Ai ishte një nga diversionistët më të njohur të Brigadës së Dytë Viteze të Ushtrisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, duke dhënë gjithçka gjatë agresionit: forcën, guximin dhe rininë e tij.

Pas luftës, megjithëse kishte kontribuar në mbrojtjen e vendit, fati i tij mori një kthesë të rëndë. Aslani jetoi për vite të tëra si i pastrehë, duke fjetur në parqet e Sarajevës, pa strehë dhe pa përkujdesje institucionale. Shteti që ai mbrojti nuk arriti t’i qëndronte pranë në ditët më të vështira të jetës.

Organizata humanitare Pomozi.ba, e cila e kishte ndihmuar në vitet e fundit, bëri të ditur se qëndroi pranë tij deri në çastet e fundit të jetës:

“Dikur hero dhe luftëtar, e më vonë i pastrehë që flinte në park, në dimër e në shi. Që nga viti 2022 u përpoqëm të ishim strehë e tij. Hapëm thirrje për renovimin e banesës ku jetonte dhe çdo muaj i dhuronim 1.000 KM për nevojat bazë — e natyrisht, edhe për cigaret e tij të preferuara. Shoku ynë ‘Shok’ tani është në një vend më të mirë.”

Në nekrologjinë e tij shënohen veteranët e Brigadës së Dytë Motorizuar Viteze të Ushtrisë së RBiH, bashkëluftëtarë, vëllezër të luftës, diversionistë, miq e fqinj — të gjithë ata që e dinin mirë se kush ishte ai dhe çfarë përfaqësonte.

Hadžo Isuf Aslani, shqiptar nga Kosova, ishte një luftëtar i pathyeshëm i Ushtrisë së Bosnjë-Hercegovinës, i shpallur hero, por që fatkeqësisht jetoi e u shua në varfëri dhe braktisje, larg vlerësimit që e meritonte.

ESAD Gjonbalaj